Partia Demokratike ka anuluar mbledhjen e grupit parlamentar, ndërsa deputetët demokratë i janë bashkuar protestës që po zhvillohet para Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Kreu i PD-së, Sali Berisha, i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen e menjëhershme, duke e cilësuar largimin e tij si rrugën e vetme për zgjidhjen e krizës politike në vend. Berisha ka kërkuar gjithashtu krijimin e një qeverie teknike, e cila, sipas tij, duhet ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të lira. “I kërkoj Ramës të japë dorëheqjen. Rruga e vetme për zgjidhjen më të shpejtë, më pak të dhimbshme, të krizës së thellë në të cilën ka zhytur vendin, është largimi i tij i menjëhershëm. Krijimi i një qeverie që çon vendin drejt zgjedhjeve të lira është kusht i të gjitha kushteve që vendi të dalë nga kriza”, tha Berisha.
