Për “vejushën e zezë” mungon antidoti, ndërsa mjekët apelojnë qytetarët të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore Spitali Rajonal i Beratit është i përgatitur për të përballuar shtimin e rasteve të pickimeve dhe helmimeve gjatë sezonit veror. Mjeku toksikolog i këtij spitali, dr. Arben Konomi, bën të ditur se institucioni disponon kapacitetet dhe antidotet e nevojshme për trajtimin e pacientëve, ndërsa rastet më të komplikuara referohen në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.Lexo edhe:Kardinali Ernest Simoni rikthehet në Spaç dhe kremton Meshën e Shenjtë: Të mos harrojmë të shkuarën Gjatë muajve të verës, sipas mjekut toksikolog, në urgjencat spitalore paraqiten kryesisht raste pickimesh nga gjarpërinjtë, akrepat, rriqrat, merimanga “vejusha e zezë”, si dhe raste të kontakteve me peshq helmues në zonat bregdetare. “Në Spitalin Rajonal të Beratit trajtohen mesatarisht 6-7 raste në vit. Deri më tani nuk kemi pasur raste me përfundim fatal, ndërsa vetëm dy raste kanë qenë të rënda dhe janë menaxhuar me sukses”, shprehet dr. Arben Konomi. Sipas tij, më të ekspozuar ndaj këtyre rreziqeve janë banorët e zonave rurale, për shkak të punës në bujqësi dhe kontaktit të vazhdueshëm me natyrën. Sa i përket pickimeve nga “vejusha e zezë”, rastet e rënda kërkojnë trajtim të specializuar në Tiranë, pasi në Berat nuk disponohet antidoti specifik për këtë lloj helmimi. Mjeku toksikolog apelon qytetarët që në çdo rast pickimi të mos përdorin metoda popullore, por të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore. “Koha është vendimtare, veçanërisht në rastet e reaksioneve alergjike të rënda pas pickimeve nga bletët apo grerëzat. Personat alergjikë duhet të mbajnë me vete adrenalinën autoinjektuese dhe të paraqiten sa më shpejt në një qendër shëndetësore”, thekson dr. Konomi. Për të shmangur rrezikun, specialistët këshillojnë veçanërisht banorët e zonave rurale që gjatë punës në ara, livadhe dhe zona me shkurre të përdorin çizme të gjata, veshje mbrojtëse dhe doreza. Spitali Rajonal i Beratit garanton se është në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur çdo emergjence toksikologjike gjatë sezonit veror. “Mos neglizhoni pickimet nga gjarpërinjtë dhe insektet, kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore”, është apeli i mjekut toksikolog të Spitalit Rajonal Berat, dr. Arben Konomi.
