Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci ka reaguar lidhur me situatën e zjarreve në dy zona Bardhaj dhe Myselim, duke njoftuar se tashmë situata është normalizuar duke bërë që dhe banesat pranë të jenë jashtë rrezikut. Beci bën me dije se zona po mbahet nën monitorim për çdo rast të mundshëm bashkë me ekipet e emergjencave. Njoftimi i plotë: Pas një riaktivizimi të zjarrit, të favorizuar nga era gjatë mesditës, situata në Bardhaj dhe Myselim është drejt normalizimit dhe banesat janë jashtë rrezikut. Vatrat janë vënë nën kontroll falë ndërhyrjes së koordinuar nga toka dhe ajri. Në operacion u angazhuan zjarrfikësit, Shërbimi Pyjor, Emergjencat Civile, Forcat e Armatosura, punonjësit e njësive administrative, vullnetarët dhe banorët e zonës. Operacioni u mbështet edhe nga ajri me dy helikopterë, të cilët ndërhynë mbi vatrat më problematike, duke ndihmuar në izolimin e flakëve, frenimin e përhapjes së tyre dhe mbrojtjen e banesave. Zona vijon të mbahet nën monitorim për të shmangur çdo riaktivizim të mundshëm.

