Lajme Zone
Begaj takim me senatorët Shaheen dhe Durbin, i pranishëm edhe ambasadori Wendt
PolitikëEuronews Albania

Begaj takim me senatorët Shaheen dhe Durbin, i pranishëm edhe ambasadori Wendt

Presidenti, Bajram Begaj këtë të premte priti në Pallatin e Brigadave Senatorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin. Begaj i dekoroi ata me titullin e lartë “Komandar i Urdhrit Suprem të Shqiponjës”.

Presidenti, Bajram Begaj këtë të premte priti në Pallatin e Brigadave Senatorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin. Begaj i dekoroi ata me titullin e lartë “Komandar i Urdhrit Suprem të Shqiponjës”. Senatorët gjithashtu shoqëroheshin në këtë takim nga ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Eric Wendt. Gjatë takimit, Begaj vlerësoi partneritetin strategjik dhe aleancën e qëndrueshme mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të mbështetur në vlera të përbashkëta demokratike dhe angazhimin për sigurinë Euroatlantike. Ai gjithashtu shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme amerikane ndaj Shqipërisë në proceset e integrimit Euroatlantik, forcimit të institucioneve demokratike, reformës në drejtësi dhe rritjes së kapaciteteve mbrojtëse. Begaj theksoi rëndësinë e vijimit të bashkëpunimit në kuadër të NATO-s dhe, gjithashtu, rëndësinë e pranisë dhe angazhimit të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe perspektivës Euroatlantike të rajonit, si dhe kontributin e tyre në sigurinë e Kosovës përmes misionit të KFOR-it. Një vëmendje e veçantë iu kushtua Bordit të Paqes, ku Shqipëria mbështet nismat ndërkombëtare që synojnë dialogun dhe bashkëpunimin. “Bashkëpunimi i shkëlqyer politik krijon mundësi për konkretizim të bashkëpunimit në fusha, si: energjia, investimet, mbrojtja, mbrojtja kibernetike dhe infrastruktura”, u shpreh Begaj. Ai vlerësoi kontributin e veçantë të senatorëve amerikane në forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe mbështetjen e vazhdueshme për integrimin euroatlantik të Shqipërisë, paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Presidenti Begaj nënvizoi gjithashtu mbështetjen e senatorëve për Nismën “ Western Balkans Democracy and Prosperity Act”, e konkretizuar në ligj dhe që synon forcimin e bashkëpunimit ekonomik, demokratik dhe institucional në rajon.