Presioni ndërkombëtar ndaj Serbisë është shtuar ndjeshëm një ditë pas varrimit me nderime shtetërore të Ratko Mlladiçit, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Komisioni Evropian paralajmëroi se zhvillimet e fundit do të ndikojnë në diskutimet për vijimin e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian. LEXO edhe...Bajram Peçi: Në kokat e turbullta s’ka vend për humanizmin "Siç e dini, diskutimet mbi Klasterin 3 janë duke u zhvilluar aktualisht me shtetet anëtare. Për këtë diskutim duhet të merren parasysh zhvillimet e fundit politike që kemi parë", deklaroi zëdhënësi i Komisionit Evropian për Zgjerimin, Guillaume Mercier. Ai kujtoi se vlerësimi teknik për hapjen e Klasterit 3 ishte bërë në korrik, por theksoi se situata politike e krijuar pas ceremonisë së varrimit të Mlladiçit do të jetë pjesë e diskutimeve me vendet anëtare. Më herët gjatë ditës, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dënuan ceremoninë e organizuar në Beograd. "Pamjet nga varrimi i djeshëm i Ratko Mlladiçit në Beograd ishin tronditëse. Ratko Mlladiç ishte një kriminel lufte i dënuar, përgjegjës për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Mbështetja zyrtare dhe prania e disa zyrtarëve të lartë serbë në varrim janë thellësisht për të ardhur keq. Ato tregojnë se Serbia nuk është përballur me një nga kapitujt më të errët të historisë së fundit të Evropës dhe bien ndesh me vlerat mbi të cilat mbështetet rruga e saj drejt Bashkimit Evropian", thuhet në deklaratën e përbashkët. Reagime pati edhe nga Britania e Madhe. Londra thirri ambasadorin serb për sqarime, ndërsa ministri britanik për Evropën, Lord Wood, deklaroi se glorifikimi i një krimineli lufte të dënuar "minon drejtpërdrejt besimin, nxit përçarjet dhe është i papajtueshëm me procesin e pajtimit në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në rajon". Ndërkohë, Bosnjë-Hercegovina ndërmori masa diplomatike ndaj Beogradit. Ministri i Jashtëm, Elmedin Konakoviq, shpalli persona të padëshiruar Milan Dulanoviqin, atashe ushtarak në Ambasadën e Serbisë në Sarajevë, dhe Darko Maksimoviqin, këshilltar i përfaqësuesit të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA). "Këta dy persona kanë 48 orë kohë për t'u larguar nga Bosnjë-Hercegovina", deklaroi Konakoviq, duke bërë të ditur se kartat e tyre diplomatike do të anulohen. Ministri boshnjak njoftoi gjithashtu se Sarajeva ka tërhequr pëlqimin për nënshkrimin e deklaratës së përbashkët për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal me Serbinë, e planifikuar për më 1 tetor në Mal të Zi. Edhe kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, reagoi duke theksuar se "lavdërimi i një krimineli lufte është fyerje për viktimat" dhe se rruga e Serbisë drejt BE-së kërkon angazhim ndaj vlerave evropiane dhe të vërtetës historike. Ratko Mlladiç vdiq më 27 gusht në Hagë, ku po vuante dënimin me burgim të përjetshëm. Ai u varros të hënën në Beograd me nderime shtetërore dhe ushtarake, ceremoni që shkaktoi reagime të forta nga Bashkimi Evropian dhe vende të tjera perëndimore. Ora 19:25 Varrimi me nderime të larta i Ratko Mlladiç, Komisioni Evropian paralajmëron rishikimin e negociatave me Serbinë Komisioni Evropian e ka paralajmëruar Serbinë se mundësia e vazhdimit të bisedimeve për pranimin e saj në Bashkimin Evropian do të shqyrtohet.Ky paralajmërim vjen pasi Serbia e varrosi me nderime shtetërore dhe ushtarake Ratko Mlladiç, të dënuarin për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit."Siç e dini, diskutimet mbi Grupin 3 janë duke u zhvilluar aktualisht me shtetet anëtare. Dhe, për këtë diskutim duhet të merren parasysh zhvillimet e fundit politike që i kemi parë", tha Guillaume Mercier, zëdhënësi i Komisionit Evropian për zgjerimin, në një konferencë për shtyp të martën. Kujtojmë se Serbia që nga viti 2021 nuk ka hapur ende asnjë grupkapitull të ri negociatash. Share Ora 19:05 Britania thërret ambasadorin serb për sqarime pas nderimeve për Mlladiçin: Glorifikimi i një krimineli lufte nxit përçarjet në rajon Mbretëria e Bashkuar ka thirrur ambasadorin serb në Londër, pasi dënoi nderimet dhe glorifikimin që iu bë në Beograd Ratko Mlladiçit, i dënuar për genocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.Takimi u zhvillua me iniciativën e të dërguarës së posaçme për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce dhe të ministri britanik për Evropën, Lord Wood." Si komandant ushtarak, Mlladiçi ishte përgjegjës për krime që janë ndër më të rëndat e kryera në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ai u shpall fajtor nga një tribunal i pavarur i Kombeve të Bashkuara për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Mohimi dhe glorifikimi i krimeve të tij përbëjnë një fyerje ndaj të drejtës ndërkombëtare dhe minojnë drejtpërdrejt stabilitetin dhe besimin në rajon. Mendimet e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar janë me viktimat e Mlladiqit dhe familjet e tyre. Ata meritojnë respekt, dhembshuri dhe llogaridhënie, e jo përpjekje për të rishkruar një histori të provuar. Udhëheqësit politikë dhe institucionet publike kanë përgjegjësi të shikojnë drejt së ardhmes, jo së kaluarës, dhe të veprojnë në mënyra që mbështesin pajtimin rajonal, e jo të rihapin plagët e vjetra. Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë u themelua nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dhe Serbia është e detyruar t’i respektojë vendimet e tij. Pikërisht për këtë arsye, sot thirrëm në takim të Ngarkuarin me Punë të Serbisë. Glorifikimi i një krimineli lufte të dënuar minon drejtpërdrejt besimin, nxit përçarjet dhe është i papajtueshëm me procesin e pajtimit në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në rajon. Mbretëria e Bashkuar mbetet fuqimisht e përkushtuar ndaj drejtësisë ndërkombëtare, llogaridhënies dhe pajtimit të qëndrueshëm në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe do të vazhdojë të punojë me partnerët në rajon dhe në nivel ndërkombëtar në mbështetje të paqes, drejtësisë dhe një të ardhmeje të sigurt dhe të begatë për të gjitha komunitetet.” tha ai. Share Ora 17:01 Kallas i dërgon mesazh Serbisë: Lavdërimi i një krimineli lufte është fyerje për viktimat Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka dënuar nderimet shtetërore që Serbia i bëri Ratko Mlladiçit, duke theksuar se pajtimi në Ballkanin Perëndimor nuk mund të ndërtohet mbi glorifikimin e autorëve të krimeve të luftës.Në një reagim publik, Kallas e cilësoi lavdërimin e një krimineli lufte të dënuar në Beograd si një fyerje për kujtimin e viktimave, familjet e tyre dhe të gjithë ata që vuajtën gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi."Pajtimi i vërtetë nuk mund të ndërtohet mbi revizionizmin, mohimin e gjenocidit apo nderimin e autorëve të krimeve. Rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian kërkon një angazhim të qartë ndaj vlerave themelore evropiane dhe të vërtetës historike. Nuk ka vend në Evropë për lavdinë e kriminelëve të luftës", shkroi Kallas. Share Ora 16:40 Pas funeralit të Mlladiçit, Bosnja dëbon 2 diplomatë serbë! Ministri i jashtëm: Kanë 48 orë të largohen, me këtë Serbi s’ka marrëdhënie të fqinjësisë së mirë Ministri i Jashtëm i Bosnjë-Hercegovinës, Elmedin Konakoviç, ka urdhëruar dëbimin e dy zyrtarëve të Ambasadës së Serbisë në Sarajevë, duke u dhënë 48 orë kohë për t'u larguar nga vendi. Vendimi vjen mes përplasjes së fortë diplomatike mes Sarajevës dhe Beogradit pas funeralit të Ratko Mlladiçit në Serbi dhe pjesëmarrjes së zyrtarëve serbë në ceremoninë e nderimit të ish-komandantit të dënuar për gjenocid dhe krime lufte.Konakoviç njoftoi në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat se persona të padëshiruar janë shpallur Milan Dulanoviç, atashe ushtarak në Ambasadën e Serbisë, dhe Darko Maksimoviç, këshilltar i përfaqësuesit të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë, BIA.“Kanë 48 orë, duke nisur nga ora 14:00, për t'u larguar nga Bosnjë-Hercegovina. Do t'u anulohen kartat diplomatike në Bosnjë-Hercegovinë dhe i bëjmë thirrje trupit diplomatik që të mos bashkëpunojë më me ta. Ata i kaluan të gjitha vijat e kuqe dje, pardje dhe në ditët e mëparshme”, tha ai.Por dëbimi i dy zyrtarëve të ambasadës nuk është masa e vetme e njoftuar nga Sarajeva. Konakoviç bëri të ditur se Bosnjë-Hercegovina ka tërhequr gjithashtu pëlqimin për deklaratën e përbashkët për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal, e cila ishte parashikuar të nënshkruhej më 1 tetor në Mal të Zi.“Deklarata të tilla, letra boshe, nuk do t'i nënshkruajmë për sa kohë kemi përballë Serbinë që po shohim këto ditë, Serbinë e viteve '90, e cila na paralajmëron se gjërat nuk janë normale. Me një Serbi të tillë nuk do të nënshkruajmë letra dhe fraza për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë derisa të ndryshojë gjendja në Serbi”, tha ministri boshnjak.Konakoviç kritikoi edhe reagimin e presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidentit të Këshillit Evropian António Costa për funeralin e Mlladiçit dhe kërkoi që përgjegjësia politike të mos kufizohej vetëm te disa zyrtarë serbë.Një ditë më parë, Konakoviç njoftoi edhe tërheqjen e pothuajse të gjithë personelit të Ambasadës së Bosnjë-Hercegovinës në Beograd. Ambasadori dhe konsulli do të mbeten në detyrë, pasi emërimi dhe shkarkimi i tyre është kompetencë e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, ndërsa pjesa tjetër e stafit do të tërhiqet. Shërbimet konsullore pritet të kalojnë te ambasadat boshnjake në Zagreb dhe Podgoricë.Përplasja mund të ndikojë edhe në zgjedhjet e përgjithshme të Bosnjë-Hercegovinës të 4 tetorit. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 2.425 shtetas të Bosnjë-Hercegovinës janë regjistruar për të votuar në Serbi. Konakoviq tha se autoritetet do të përpiqen të sigurojnë zhvillimin e votimit, por shtoi se është i gatshëm të marrë përgjegjësinë edhe nëse votimi në ambasadën në Beograd nuk mund të organizohet. Share Ora 14:27 Nderimet për Ratko Mlladiçin, në Bruksel shtohen thirrjet për ndërprerjen e negociatave të anëtarësimit me Serbinë, gazetari: Do të jetë kandidat vetëm në letër njësoj si Turqia Gazetari i Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), Michael Martens, tha se në Bruksel po shtohen thirrjet që Bashkimi Evropian të ndërpresë plotësisht negociatat e anëtarësimit me Serbinë, si edhe pagesat e fondeve të para-anëtarësimit për këtë vend.“Lajme nga Brukseli: Po shtohen thirrjet që BE-ja të ndërpresë plotësisht bisedimet e pranimit me Serbinë, të ndërpresë çdo pagesë para-pranimi për vendin etj. Nëse kjo do të ndodhte, Serbia do të gjendej në një situatë të ngjashme me atë të Turqisë. Turqia është zyrtarisht ende një vend kandidat për në BE, por ky status ekziston vetëm në letër. Më shumë këtu nesër, përfshirë një deklaratë zyrtare”, shkroi Martens.Më herët, komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, anuloi vizitën e planifikuar në Beograd, ndërsa presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, reagoi po ashtu duke i quajtur pamjet e varrimit të Mlladiç tronditëse Share Ora 14:16 Nderimet për Mlladiçin shkaktojnë reagime në Kroaci, Jandrokoviç: Serbia po bën propagandë jashtëzakonisht të pistë ndaj fqinjëve! Një ditë pas varrimit të Ratko Mlladiçit në Beograd, Kryetari i Parlamentit të Kroacisë, Gordan Jandrokoviç, akuzoi Serbinë se po zhvillon “propagandë jashtëzakonisht të pistë” kundër vendeve fqinje,Sipas tij, Serbia po përpiqet të rishkruajë historinë e fundit të shekullit XX dhe të kalojë nga pozicioni i agresorit në atë të viktimës.“Ratko Mlladiç, së bashku me Millosheviçin, është simbol i politikës së Serbisë së Madhe, simbol i krimeve dhe gjenocidit në Srebrenicë. Është pothuajse e pabesueshme që po shohim skena të tilla në Serbi, që do të thotë se ata po rikthehen në pozicionet e viteve ’90. Serbia po bën propagandë jashtëzakonisht të pistë ndaj vendeve fqinje, ndër të cilat Kroacia është veçanërisht e rëndësishme. Serbia po armatoset gjithashtu. Janë tre elementë që tregojnë se situata atje është serioze”, deklaroi Jandrokoviç. Share Ora 12:46 Serbia varrosi Mlladiçin me ceremoni, Kurti akuzon Beogradin për adhurim të genocidit Varrimi me nderime shtetërore i Ratko Mlladiçit në Serbi ka sjellë një reagim të ashpër nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai e cilëson ceremoninë si dëshmi se Beogradi nuk është më vetëm në fazën e mohimit të gjenocidit në Srebrenicë, por ka kaluar në "adhurim shtetëror të genocidit"." Pardje e kemi shënuar 27 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës. Të shtunën e kemi shënuar 29 vjetorin e shkuarjes në amshim të Nënë Terezës dhe 10 vjetorin e shenjtërimit të saj nga Papa Françesku. Ndërsa dje, e kemi shënuar ditën e Kushtetutës së Republikës së Parë të Kosovës nga viti 1990, apo siç njihet në mënyrë të popullarizuar, të Kushtetutës së Kaçanikut. Në anën tjetër Serbia fundjavën e kaloi në përgatitje të asaj që bëri dje: nderime të larta shtetërore për kriminelin e luftës, gjeneralin serb, Ratko Mlladiq, fajtorin e gjenocidit në Srebrenicë të Bosnje e Hercegovinës ku u vranë 8.372 boshnjakë, kryesisht burra e djem, në korrik të vitit 1995.Gjenocidi në Srebrenicë është fakt historik i dëshmuar nga varrezat masive, identifikimet forenzike të mijëra viktimave, dëshmitë e të mbijetuarve dhe dokumentimi i hollësishëm i operacionit të vrasjes dhe fshehjes së trupave, jo interpretim historik apo akuzë politike. Burrat dhe djemtë boshnjakë u ndanë nga familjet, u ekzekutuan sistematikisht dhe u hodhën në varreza masive; pastaj shumë prej trupave të tyre u zhvarrosën e u shpërndanë në varreza dytësore e tretësore për t’i fshehur gjurmët e krimit. Ratko Mlladiq ishte komandanti i kësaj makinerie, jo dëshmitari i saj.Sllobodan Millosheviq është quajtur me të drejtë kasap i Ballkanit dhe ky kasap ka pasur shumë thika, por Ratko Mlladiq ishte sëpata e tij kryesore, të cilin e glorifikojnë tash Beogradi zyrtar. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi më 2007 se Serbia kishte shkelur detyrimin e saj sipas Konventës së Gjenocidit për ta parandaluar gjenocidin në Srebrenicë dhe se, duke mos e transferuar atëherë Mlladiqin për gjykim, kishte dështuar të bashkëpunonte plotësisht me Tribunalin. Shteti që për vite nuk e dorëzoi te drejtësia, dje e solli kufomën e tij me aeroplan qeveritar, e mbështolli me flamur dhe e përcolli me ushtri, ministra, klerikë të lartë e orkestër. Kështu mohimi i gjenocidit kaloi nga deklarata politike në liturgji shtetërore.Nga varrimi i priftit serb Nikolaj Velimiroviq në maj 1991 e deri te varrimi i Ratko Mlladiqit në shtator 2026, Serbia organizon spektakle morbide për gjakderdhje të ardhshme. Me shërbimin e përlotur fetar të djeshëm të Patriarkut Porfirije te kufoma e Ratko Mlladiqit, Serbia po konfirmohet si teokraci militariste ku politikanët e tyre ftohen për tifozeri klubesh të ndryshme të ligës së njëjtë.Nga dita e djeshme, mohimi është fjalë e pamjaftueshme. Serbia ka kaluar në adhurim shtetëror të gjenocidit" shkroi Kurti në rrjete sociale. Share U.D/ReportTv.al Ratko Mlladiç BE Antonio Costa Ursula von der Leyen Komento Komente Sondazhi i ditës: Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë? Qeverisë 78.6% Magjistratëve 15.3% Nuk e di 6.1% Vota total: 1969 Sondazhi i ditës: Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë?

