Lajme Zone
Basti i Melonit me zgjedhjet e parakohshme: Revansh politik apo një tjetër “thyerje hundësh” si në referendum?
PolitikëPamfleti

Basti i Melonit me zgjedhjet e parakohshme: Revansh politik apo një tjetër “thyerje hundësh” si në referendum?

Historia të kujton Matteo Renzin, i cili pas një referendumi të papritur, pësoi një goditje fatale politike dhe i dha lamtumirën përgjithmonë Palazzo Chigi-t, selisë së qeverisë italiane. Ajo që pasoi ishte një rrënim politik i bujshëm.

Giorgia Meloni Pas shuplakës së referendumit, kryeministrja italiane sheh mundësinë për të rimarrë iniciativën politike. Përçarjet e opozitës, dobësimi i Vannaccit dhe përmirësimi i pozicionit në sondazhe po rikthejnë në tryezë mundësinë e zgjedhjeve që në pranverën e vitit 2027. Pranvera e këtij viti, ishte një periudhë e vështirë për Giorgia Melonin. Gjithçka dukej se po shkonte mirë për kryeministren italiane, derisa erdhi befas disfata në referendumin për drejtësinë.

Historia të kujton Matteo Renzin, i cili pas një referendumi të papritur, pësoi një goditje fatale politike dhe i dha lamtumirën përgjithmonë Palazzo Chigi-t, selisë së qeverisë italiane. Ajo që pasoi ishte një rrënim politik i bujshëm.

Meloni, shumë më e kujdesshme dhe më e aftë në manovrimet politike, nuk mendonte se mund të përfnte në një situatë kaq të rëndë. Megjithatë, që në mars kishte filluar të shihte retë e zeza që po mblidheshin mbi të: kriza ekonomike, përplasjet me Donald Trumpin dhe entuziazmi i kundërshtarëve politikë.

Njerëzve të saj më të afërt u thoshte: “Kjo do të thotë se herën tjetër do të shkojmë në opozitë!”. Por as muajt që pasuan nuk sollën ndonjë lajm të mirë. Gjenerali Roberto Vannacci po fitonte terren, ndërsa shumica qeverisëse po tërhiqej përballë vështirësive për reformën zgjedhore.

Në Dhomën e Deputetëve dështoi edhe propozimi për sistemin e preferencave. “Ka fituar këneta politike!”, ankohej kryeministrja, duke u përgatitur për skenarin më të keq: një qeveri e madhe koalicioni, marrëveshje të gjera mes kampeve politike dhe kompromise të përkohshme për të mbajtur pushtetin.

Vera shërbeu për të reflektuar, ndërsa vjeshta për t’u hedhur në kundërsulm. Tani Meloni, e cila nga natyra nuk është ndër njerëzit më optimistë, po përpiqet të përçojë besim. Këtë herë, në vështirësi janë kundërshtarët e saj.

Sondazhet i japin sinjale pozitive. Protestat e të rinjve, ndryshe nga ato në Francë dhe Spanjë, janë vënë nën kontroll, ndërsa projektbuxheti po ecën përpara. Pas miratimit të vështirë të reformës zgjedhore, të pagëzuar “Stabilicum”, në Itali po rikthehet edhe mundësia e zgjedhjeve të parakohshme.

Natyrisht, Meloni mbetet një politikane e zonja dhe këmbëngulëse. Por dobësitë e kundërshtarëve të saj janë po aq të habitshme. E ku mund të gjejë kryeministrja rivalë kaq

të lehtë? Edhe gjyqësori, që deri dje dukej i pathyeshëm pas fitores së kundërshtarëve të reformës në referendum, po humbet terren në opinionin publik.

Tashmë gjyqtarët kanë kërkuar edhe pagesën e prapambetur të disa detyrimeve financiare. Për Melonin, kjo është një mundësi e artë për të kaluar në sulm. “S’mund të firmos me ndërgjegje një dekret që parashikon gati 1 miliard euro për rritjen e pagave të magjistratëve. Përparësi për mua kanë shtresat në nevojë...”, deklaroi ajo.

Reagimi i përfaqësuesve të gjyqësorit, ishte i ashpër. Ata argumentuan se këto fonde nevojiteshin për të garantuar pavarësinë dhe integritetin e sistemit të drejtësisë. Një përgjigje, që mund të tingëllojë e shkëputur nga realiteti përballë vështirësive ekonomike të qytetarëve.

Hakmarrje, një hakmarrje e pamëshirshme! Pikërisht këtë kishte shpresuar të realizonte opozita e bashkuar, e njohur në Itali si “Campo largo”, pas fitores në referendum. Le të kthehemi te ato ditë.

Entuziazmi i opozitës ishte i pakufishëm dhe deklaratat triumfaliste nuk kishin të sosur. Rezultati i referendumit kishte përmbysur të gjitha parashikimet dhe fitorja në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dukej pothuajse e sigurt. Meloni duhej të fillonte të bënte gati valixhet për t’u larguar nga Palazzo Chigi.

Pot 8 muaj më vonë, opozita vazhdon të tregojë një aftësi të jashtëzakonshme për të dëmtuar vetveten. Është një traditë që e përndjek prej përfundimit të Republikës së Parë. Në vitin 1994, e ashtuquajtura “makineria e gëzueshme e luftës” e së majtës u përball me ushtrinë elektorale të Silvio Berlusconit dhe pësoi disfatë.

Në vitin 2026, situata duket po aq paradoksale. Opozita nuk ka ende as një program të përbashkët dhe as një lider të pranuar nga të gjithë. Diskutimet për programin kanë nisur vetëm tani.

Ndër propozimet që po marrin më shumë mbështetje janë rikthimi i një skeme të ngjashme me të ardhurat nga shtetësia, një ndihmë ekonomike për personat pa të ardhura, si dhe vendosja e një takse mbi pasurinë. Ndërkohë, dallimet për politikën e jashtme dhe dërgimin e armëve në Ukrainë mbeten të pakapërcyeshme.

Gjetja e një kompromisi të përbashkët do të jetë veçanërisht e vështirë. Edhe më e ndërlikuar është zgjedhja e kandidatit për kryeministër. Përplasja mes sekretares së Partisë Demokratike, Elly Schlein, dhe kreut të Lëvizjes Pesë Yjet, Giuseppe Conte, diskutohet prej kohësh, por ende nuk është caktuar data e zgjedhjeve paraprake që duhet të përcaktojnë kandidatin.

Si datë e mundshme përmendet 14 marsi 2027, praktikisht fare pranë zgjedhjeve të parakohshme, nëse ato do të mbahen. “Zoti i ruajtë kështu siç janë!”, thonë me ironi drejtuesit e Fratelli d'Italia-s në selinë e partisë, në rrugën della Scrofa.

Schlein, me profilin e saj të aktivistes dhe orientimin e theksuar progresist, do të përfaqësonte një risi të madhe, por mund të krijonte shqetësime te votuesit e moderuar dhe katolikët e kampit të majtë.

Nga ana tjetër, Conte është një politikan me përvojë të gjatë në krye të qeverisë, por me një bilanc që kundërshtarët e tij e konsiderojnë të diskutueshëm. Nga periudha e tij në Palazzo Chigi kujtohet veçanërisht skema “Superbonus”, një lehtësi fiskale për rikonstruksionin e banesave, e cila u kushtoi arkave të shtetit gati 200 miliardë euro.

Përfituesit mundën të kryenin punime në banesat e tyre pa paguar drejtpërdrejt asnjë cent.

“Falas!”. Ky ishte slogani i famshëm i Contes, që mbetet i paharruar, sidomos për zgjedhësit që kundërshtojnë ndërhyrjen e tepruar të shtetit dhe politikën e subvencioneve.

Ndërkohë, përpjekjet për të krijuar një forcë të re të qendrës, e cila synonte të bëhej vendimtare në koalicion, nuk po japin rezultatet e pritshme. Ish-shefi i policisë Franco Gabrielli dhe ish-drejtuesi i administratës fiskale Ernesto Maria Ruffini janë afruar politikisht dhe kanë krijuar një bashkëpunim,

Në skenë po shfaqet edhe Alessandro Onorato, një këshilltar bashkiak i Romës, deri tani pak i njohur në nivel kombëtar. Conte duket se i mirëpret të gjithë. Për të, rëndësi ka që këto lëvizje t’i marrin vota Schlein-it.

Ndryshe nga kundërshtarët, Meloni po punon edhe për zgjerimin e koalicionit të saj. Cateno De Luca, lideri energjik i partisë “Jugu thërret Veriun”, i njohur me nofkën “Scateno”, është përfshirë në aleancën qeverisëse me të gjitha nderimet.

Me të është edhe “Partia e Kryetarëve të Bashkive”, një emërtim që synon të tërheqë mbështetjen e drejtuesve vendorë. Bisedimet vazhdojnë edhe me një tjetër figurë politike me profil të veçantë: kryetarin e Bashkisë së Ternit, Stefano Bandecchi.

Në negociata është përfshirë edhe Luigi Marattin, sekretar i Partisë Liberaldemokratike. Të gjithë së bashku mund t’i sjellin koalicionit disa pikë të vlefshme në sondazhe, pikërisht aq sa mund të nevojiten për të neutralizuar Vannaccin.

Për një farë kohë, ngritja politike e gjeneralit dukej e pandalshme. Shumë politikanë po afroheshin me të, të joshur nga vendosmëria e tij dhe nga mundësia për t’iu bashkuar me një forcë që po fitonte terren.

Partia e tij, “Futuro Nazionale”, po ngjitej në sondazhe dhe pragu i 10 për qind të votave dukej i arritshëm. Për shkak të marrëdhënieve të tensionuara me qeverinë, Vannacci përbënte një tjetër problem për shumicën qeverisëse.

“Do të bjerë. Italianët do ta kuptojnë se po i bën lojën së majtës”, ishte bindja e Melonit. Këtë herë ajo shfaqi optimizëm dhe u dha udhëzime të qarta bashkëpunëtorëve: “Mjaft iu përgjigjët provokimeve. Për Vannaccin nuk duhet të flitet më!”.

Dhe shifrat duket se po i japin të drejtë. Ngjitja e tij triumfale është ndalur dhe gjenerali po humbet terren. Figura e njeriut që drejton i vetëm po e humbet shkëlqimin, ndërsa radhët e grupit të tij politik nuk po shtohen më.

Qeveria ka përvetësuar disa prej temave më karakteristike të Vannaccit, si siguria, lufta kundër bandave të të rinjve të dhunshëm dhe emigracioni. Edhe protestat në Milano dhe manifestimet e dhunshme janë vënë nën kontroll, duke i dhënë qeverisë argumente për masat më të ashpra të sigurisë.

Në këtë klimë, është forcuar edhe debati për ndalimin e burkës dhe vendosjen e kufizimeve për numrin e nxënësve të huaj në klasa. Përballja me islamin radikal, i cili shpesh ndërthuret me propagandën pro-palestineze të së majtës, pritet të jetë një nga temat kryesore të fushatës së ardhshme zgjedhore.

Ndërkohë, Cateno De Luca, pasi ka mbledhur informacione nga radhët e njerëzve të Melonit, ka parashikuar se zgjedhjet do të mbahen më 9 ose 10 maj 2027, njëkohësisht me zgjedhjet vendore. Kjo do të ndodhte menjëherë pas miratimit të dekretit “Milleproroghe”, i cili zgjat afatet e një sërë masash dhe përbën një shtesë të domosdoshme të paketës buxhetore që po diskutohet në Parlament.

Projektbuxheti i këtij viti, nuk është aspak ai buxhet i zymtë që shpresonte opozita. Ai parashikon ulje taksash për shtresën e mesme, më shumë mbështetje për familjet dhe të vetëpunësuarit, si dhe lehtësi fiskale për të rinjtë.

Me pak fjalë, qeveria synon t’u ofrojë përfitime një pjese të madhe të qytetarëve. Ministri i Ekonomisë, Giancarlo Giorgetti, e ka cilësuar atë “një buxhet serioz”. Paketa kap vlerën e 26 miliardë eurove. “Gianca”, siç e thërret Meloni, ka menduar të përfshijë sa më shumë kategori sociale.

Natyrisht, situata ekonomike mbetet e vështirë dhe ankesat nuk mungojnë. Mësuesit shqetësohen se pas daljes në pension, s’do të zëvendësohen për shkak të rënies së vazhdueshme të numrit të nxënësve.

Rajonet kërkojnë fonde shtesë për shëndetësinë, ndonëse buxheti i saj është rritur me 2,4 miliardë euro. Sidoqoftë, paketa buxhetore pritet të miratohet deri në fund të vitit, duke ndjekur ritualet e zakonshme të politikës italiane: amendamente që shfaqen papritur, nene që rikthehen në momentin e fundit dhe marrëveshje të nxituara për të shmangur rrëzimin e projektligjit.

Më pas, për të zgjidhur çështjet e mbetura, do të vijë edhe dekreti “Milleproroghe”. Në atë moment mund të hapet rruga për zgjedhje të parakohshme. Qeveria do të ketë përmbushur detyrimet kryesore dhe do të mund të shkojë drejt votimit, përpara se Gjykata Kushtetuese të ndërhyjë për çështjet që lidhen me ligjin e ri zgjedhor.

Ndërsa opozita vazhdon të pengohet nga përçarjet dhe konfliktet e brendshme, Meloni po sheh një mundësi të re për të rimarrë iniciativën dhe për ta kthyer disfatën e referendumit në një kapitull të mbyllur të karrierës së saj politike./ Përshtati "Pamfleti" nga “Panorama.it”meloni zgjedhje te parakohshme referendum Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota "Siguroni ujë, ushqim dhe ilaçe"/ Pse gjysma e Europës po përgatitet për më të keqen? 14 Nëntor 2026, 16:1016:10Rajoni dhe Bota Thesari që fshehu sekretin nga hapësira, çfarë zbuluan shkencëtarët në Spanjë? 14 Nëntor 2026, 14:4614:46Rajoni dhe Bota Nga djepi i Hitlerit te qelitë e policisë: Historia që Austria nuk mund ta fshijë 14 Nëntor 2026, 14:4214:42Rajoni dhe Bota Nga maja e inteligjencës artificiale te skandali që tronditi Nvidia-n, dorëheqja e bujshme e Jensen Huang dhe 573 miliardë dollarët e humbur 14 Nëntor 2026, 14:2414:24Rajoni dhe Bota Mijëra arrestime, qytete në flakë dhe dhunë policore: Reuters zbulon çfarë po ndodh në Francë 14 Nëntor 2026, 14:1814:18Rajoni dhe Bota Zelensky akuzon kompaninë e Elon Musk: Starlink po pengon dronët ukrainas, shpejtësia kufizohet në 161 km/orë 14 Nëntor 2026, 14:0914:09Rajoni dhe Bota