Debati për reformën territoriale dhe mundësinë e shkrirjes së bashkive të vogla ka sjellë reagime nga kryetarë vendorë dhe përfaqësues të komuniteteve lokale, të cilët e kundërshtojnë këtë ide, ndërsa janë hedhur në protestë. Analisti Ben Andoni, në një intervistë për News24, e konsideron të rëndësishëm faktin që publiku është ndërgjegjësuar për një reformë të tillë, ndërsa thotë se përgjegjësia për gjendjen e bashkive të vogla lidhet edhe me mënyrën e qeverisjes dhe votën e qytetarëve. “Më vjen mirë që është ndërgjegjësuar publiku për reforma të tilla. Më bëhet qejfi. Për këtë gjë ka dhe faj jo të paktë opozita, që u tërhoq zoti Basha dhe Berisha. Shumë bashki të vogla po falimentojnë. Për këtë gjë e kanë dhe fajin vetë qytetarët, pasi kanë votuar politikën.”, tha ai. Sipas Andonit, Partia Demokratike ka pësuar një goditje të fortë politike, ndërsa kritikon edhe drejtuesit vendorë për mungesë transparence ndaj qytetarëve. “Për herë të parë PD ka marrë një goditje të madhe. Edhe kryetarët e bashkive duhet të kishin transparencë për qytetarët e tyre, pavarësisht bindjeve. Shumica e tyre kanë fshehur kokën si struci dhe tani po dalin kur zoti Rama është në vështirësi të madhe.”, pohoi analisti.
Analisti tha se tashmë pritet edhe propozimi i opozitës për reformën, ndërsa theksoi se qytetarët në zonat e vogla duhet të mendojnë më shumë për interesat e tyre sesa për bindjet politike apo lidhjet lokale. “Tani do presim draftin e PD. Qytetari shqiptar, në vendet e vogla, duhet të kthjellohet për interesat e veta, pasi voton me klane, me fise, politikisht.”, theksoi Andoni. Duke komentuar draftin e pritshëm të Partisë Socialiste për reformën, Andoni u shpreh se ai mund të përshtatet sipas interesave elektorale.
“Besoj se drafti i tyre do të ripartohet dhe do të arnohet, që të jetë më afër interesave të tyre zgjedhore.”, theksoi ai. Sipas tij, Partia Socialiste ka humbur një pjesë të mbështetjes në nivel lokal dhe kjo mund të reflektohet në zgjedhjet e ardhshme.
“Mendoj se e ka humbur pushtetin lokal. Kjo epërsi e votave për PS besoj do të ketë ndryshim. Mendoj se tashmë qytetarët do të mendojnë për interesat e tyre.”, shtoi Andoni. Andoni theksoi se çdo bashki apo qark mund të funksionojë nëse menaxhohet me njerëz të aftë dhe me përgjegjësi. “Çdo bashki apo qark ka mundësi që të ketë aftësinë, nëse do të punësojë njerëz të zotë.”, tha ai. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Andoni ben
