Lajme Zone
“Bashkia Tepelenë i solli koshat dhe i mori prapë, kjo është gjendja e mbeturinave në fshat”
EkonomiJOQ Albania

“Bashkia Tepelenë i solli koshat dhe i mori prapë, kjo është gjendja e mbeturinave në fshat”

Një situatë shqetësuese është denoncuar nga banorët e fshatit Veliqot që ndodhet vetëm pak minuta larg qytetit të Tepelenës.

Një situatë shqetësuese është denoncuar nga banorët e fshatit Veliqot që ndodhet vetëm pak minuta larg qytetit të Tepelenës.

Përmes një denoncimi, një banor ka ngritur shqetësimin për gjendjen e krijuar në rrugët e fshatit, duke deklaruar se mbeturinat janë kthyer në një problem të vazhdueshëm për komunitetin.

Sipas tij, kalimi në këtë rrugë është bërë i vështirë, ndërsa shqetësimi është edhe më i madh për familjet që kanë fëmijë të vegjël.

“Nuk kalojmë dot në rrugë me fëmijë të vegjël. Nuk gjejmë dot zgjidhje, do na zërë sëmundja”, shprehet qytetari në denoncimin e tij.

Në denoncimin e tij, banori ngre akuza edhe për mënyrën se si është menaxhuar shërbimi i mbledhjes së mbetjeve. Qytetari thotë se Bashkia Tepelenë ka vendosur më herët kosha në zonë, por më pas ato janë marrë sërish.

“Bashkia Tepelenë i solli koshat dhe i mori përsëri”, tregon banori.

Sipas tij, mungesa e koshave dhe e një shërbimi të rregullt ka bërë që mbetjet të grumbullohen në zonë, duke krijuar shqetësim për banorët dhe për kushtet e higjienës.

Një tjetër pikë e ngritur nga qytetari lidhet me pagesën e shërbimit të pastrimit. Ai thotë se punonjësi i pastrimit paguhet çdo muaj nga taksat e banorëve, ndërsa, sipas tij, situata në terren nuk reflekton një shërbim të mjaftueshëm.

“Pastruesi i merr lekët kot, muaj për muaj paguhet nga taksat tona”, shprehet ai.

Banorët kërkojnë që institucionet përgjegjëse të marrin masa për pastrimin e zonës, vendosjen e koshave dhe garantimin e një shërbimi të rregullt të mbledhjes së mbetjeve.

Në denoncimin e tij, qytetari shprehet gjithashtu i pakënaqur me mënyrën se si, sipas tij, po trajtohet shqetësimi nga drejtuesit të pushtetit vendor.

“Kryetari i ri i Bashkisë Tepelenë nuk dëgjon, po sytë t’i lexojë”, përfn qytetari, duke kërkuar që shqetësimi i banorëve të mos mbetet pa përgjigje.

Banorët presin ndërhyrje konkrete për pastrimin e zonës dhe zgjidhjen e problemit, duke kërkuar që shërbimet publike të ofrohen në mënyrë të rregullt dhe në përputhje me detyrimet ndaj komunitetit.