Policia e Shtetit ka arrestuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës shtetasin ukrainas Anatolii Streletskyi, i cili kërkohej nga autoritetet në Kiev nën dyshimin për trafikim të lëndëve narkotike, si pjesë e një organizate kriminale. Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, e cila njofton se arrestimi u bë pas shkëmbimit të informacionit me Njësinë e Hetimeve Penale Ndërkombëtare të Shërbimit të Sigurisë Diplomatike pranë ambasadës amerikane. Ndërkohë, Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët ukrainas për të nisur procedurat e ekstradimit të të arrestuarit. Ambasada amerikane thekson se ky bashkëpunim është pjesë e partneritetit mes dy vendeve në shkëmbimin e informacionit dhe mbështetjen e autoriteteve ligjzbatuese, me synim luftën kundër krimit transnacional dhe garantimin e sigurisë së komuniteteve.

