Bashkatdhetarët në diasporë po mblidhen sot në disa qytete të Evropës, në kuadër të protestave me moton “Jo në emrin tim”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë.Protesta janë paralajmëruar në Londër, Oslo, Gjenevë, Treviso, Lindau, ndërsa tubime të diasporës janë mbajtur edhe gjatë ditës së djeshme në disa qytete të Gjermanisë dhe Finlandës. Në Nuremberg të Gjermanisë, protesta nis në orën 14:00. Organizatori Selim Hoti thotë se përmes këtij tubimi kërkojnë rishikimin e vendimit të Gjykatës Speciale dhe lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.“Gjykata Ndërkombëtare e Hagës duhet ta përmirësojë gabimin e turpshëm që ka bërë në historinë e gjykatave ndërkombëtare, duke i shpallur fajtorë krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në emër të popullit. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi janë vetë liria e Kosovës, të cilën po e gëzojmë sot. Prandaj, përmes kësaj proteste kërkojmë lirimin dhe kthimin e tyre me kokën lart e faqebardhë në Kosovë, sepse kështu e do Dardania”, ka thënë Hoti për Radio Dukagjinin.Në të njëjtën orë, protestë do të mbahet edhe në Gjenevë të Zvicrës. Organizatori Milot Arifi thotë se presin pjesëmarrje të madhe të bashkatdhetarëve nga qytete të ndryshme të Zvicrës, përfshirë Bernën, Lozanën, Friburgun, Cyrihun dhe Lucernin.Arifi thotë se organizatorët i kanë siguruar të gjitha lejet e nevojshme nga autoritetet lokale. Ai ka vërejtur, megjithatë, më pak mbështetje nga qytetarët zviceranë krahasuar me protestat e mëparshme.“Pavarësisht se zviceranët, në mënyrë të përgjithshme, na mbështesin gjithmonë neve shqiptarëve, kësaj here e kemi vërejtur se kemi më pak mbështetje. Kjo besoj se vjen nga frika se kjo situatë mund të kthehet kundër tyre”, ka thënë Arifi për Radio Dukagjinin.Ndërsa, në Londër, protesta do të mbahet nga ora 15:00 deri në 18:00, në Richmond Terrace, përballë Downing Street. Organizatori Gent Xhaka thotë se një pjesë e britanikëve e njohin historinë e Kosovës dhe vuajtjet e popullit gjatë luftës dhe, sipas tij, kjo ka ndikuar edhe në mbështetjen për protestën e sotme.“Padyshim se do të ketë një numër të madh të qytetarëve që do t’i bashkohen protestës. Do të nisemi nga Richmond Terrace, përballë Downing Street, për të kërkuar liri për çlirimtarët dhe për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciale. Siç është edhe motoja, nuk do ta pranojmë që vendimet të merren në emër të qytetarëve. Jo në emrin tim”, ka thënë Xhaka për Radio Dukagjinin.Protesta do të ketë edhe në Shkup, në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa në Prishtinë, sonte nga ora 21:00, qytetarët pritet të mblidhen për natën e 12-të radhazi, me moton “Jo në emrin tim”, në shenjë kundërshtimi ndaj aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë./RadioDukagjini/

