Lajme Zone
Barnat për dobësim mund të rrisin rrezikun e rënies së flokëve
EkonomiSyri

Barnat për dobësim mund të rrisin rrezikun e rënies së flokëve

Termi “mrekulli” përdoret shpesh për gjeneratën e re të medikamenteve për humbjen e peshës, të cilat përdoren për trajtimin e obezitetit dhe diabetit.

Termi “mrekulli” përdoret shpesh për gjeneratën e re të medikamenteve për humbjen e peshës, të cilat përdoren për trajtimin e obezitetit dhe diabetit. Por, sipas studiuesve në Universitetin e Nju Jorkut (NYU), të ashtuquajturat barna GLP-1 mund të shkaktojnë një efekt anësor të padëshiruar: rënien e flokëve, krahas kilogramëve që shpresohet të humben.Lexo edhe:Alarmi global për kancerin, rastet pritet të rriten me 67% deri në vitin 2050 Ekipi, me bazë në NYU Langone Health dhe NYU Grossman School of Medicine, tha se burrat me histori familjare të tërheqjes së vijës së flokëve e rrisin rrezikun e tyre nëse trajtojnë diabetin ose synojnë të humbin peshë duke përdorur barna të markave GLP-1, të tilla si Ozempic, Wegovy dhe Zepbound. “Studimi ynë ofron lidhjen e parë gjenetike midis përdorimit të GLP-1 dhe rritjes së rrezikut të rënies së flokëve sipas modelit mashkullor, nga alopecia androgjenetike, një lidhje e dyshuar prej kohësh, por që deri më tani nuk ishte vërtetuar shkencërisht”, tha autorja e studimit, Lynn Petukhova, nga NYU Grossman. I publikuar në Journal of Investigative Dermatology, hulumtimi tregoi një rritje prej 7% të predispozicionit për rënie shtesë të flokëve si efekt anësor i marrjes së barnave për humbjen e peshës. Sipas NYU-së, ekipi mori parasysh “faktorë të tjerë të mundshëm që ndikojnë në rënien e flokëve”, si rezistenca ndaj insulinës dhe nivelet e ulëta të testosteronit. Ekipi kreu hulumtimin pas disa dëshmive anekdotike nga burra dhe gra që lidhnin barnat për humbjen e peshës me rrallimin e vijës së flokëve, krahas belit më të hollë. Shkencëtarët kanë spekuluar se një rënie e tillë e flokëve pasonte ndryshimet metabolike të shkaktuara nga barnat, të cilat rregullojnë glukozën dhe frenojnë oreksin. Në punimin e tyre, ekipi vuri në dukje se “funksionaliteti dhe specifika” e marrëdhënies midis rënies së flokëve dhe barnave GLP-1 është e paqartë, çka do të thotë se nevojiten kërkime të mëtejshme. Ndërkohë, pacientët mund të kontrollohen dhe trajtimet mund të përshtaten në mënyrë më të saktë nëse janë në rrezik për rënie të përshpejtuar të flokëve. “Disa burra, dhe ndoshta edhe gra, mund të kontrollohen dhe të vlerësohen për rrezikun e rënies së flokëve përpara se t’u përshkruhen medikamentet GLP-1”, tha Petukhova, duke sugjeruar se recetat në raste të tilla mund të përshtaten për të përfshirë edhe medikamente kundër rënies së flokëve./DPA News