Lajme Zone
Banorët e Zvezdës protestë për mungesën e ujit: Miliona u investuan, por rubinetat janë bosh
PolitikëCNA
Ky artikull është pjesë e një historie me 3 burime — Krahaso mbulimin →

Banorët e Zvezdës protestë për mungesën e ujit: Miliona u investuan, por rubinetat janë bosh

Banorët e fshatit Zvezdë, në Bashkinë Maliq, protestuan pa...

Banorët e fshatit Zvezdë, në Bashkinë Maliq, protestuan pasditen e së dielës, duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme për mungesën e ujit të pijshëm.

Të mbledhur në qendër të fshatit, ata thanë se prej dekadash përballen me të njëjtin problem, ndërsa investimi i kryer së fundmi në rrjetin e ujësjellësit nuk ka sjellë furnizimin me ujë për familjet e tyre.

Banorët akuzuan Bashkinë Maliq dhe institucionet përgjegjëse për mosmbikëqyrjen e punimeve, duke pretenduar se investimi është mbyllur pa dhënë rezultat. Sipas tyre, megjithëse janë shpenzuar qindra milionë lekë për ndërtimin e ujësjellësit, në rubinetat e banesave nuk ka ujë. “Ne e dimë se si e kemi bërë me forcat tona, me investimet tona, duke u mbledhur lagje më lagje dhe duke marrë burimet e fshatit. Për 20 milionë lekë bashkia nuk investon, ndërsa u groposën qindra milionë lekë dhe sot nuk kemi ujë. Nëse bashkia nuk e bën, ne do t’i hapim vetë puset me lekët tona. Punimet nuk u kontrolluan nga askush. Na u tha se më 25 nëntor do të vinte uji në Zvezdë, por edhe sot nuk ka. Edhe cilësia e punimeve ka qenë shumë e dobët.” Banorët thanë se prej vitesh detyrohen të sigurojnë ujin në mënyra alternative, ndërsa gjatë stinës së verës situata bëhet edhe më e vështirë për shkak të temperaturave të larta. Ata u shprehën se një investim që duhej t’i jepte fund problemit, sipas tyre, ka rezultuar i pasuksesshëm. “Fshati ynë është pa ujë. Kur vijnë zgjedhjet na marrin votat, pastaj na harrojnë. Sot, me këtë vapë, jemi pa ujë. Kemi vetëm një çezmë ku presim në radhë. Kjo është e papranueshme.” Sipas protestuesve, mungesa e ujit ka ndikuar drejtpërdrejt në jetën e përditshme të banorëve. Ata tregojnë se shumë familje detyrohen të zgjohen në orët e para të mëngjesit për të mbushur bidonët në çezmën e vetme që furnizon një pjesë të fshatit. “Po të vish në orën 03:30 të mëngjesit, gratë janë në radhë me karroca e bidona për të mbushur ujë. Ka pasur edhe konflikte mes banorëve për ujin. Ne paguajmë taksa prej 35 vitesh, por nuk kemi as ujë, as rrugë dhe as investime. Edhe ujërat e zeza i kemi bërë vetë.” Përveç mungesës së ujit, banorët ngritën shqetësime edhe për gjendjen e infrastrukturës në fshat. Ata thanë se rrugët, kanalizimet dhe shërbimet e tjera publike kanë mbetur të pazgjidhura prej shumë vitesh, ndërsa investimet, sipas tyre, kanë qenë minimale. “Ka 30 vjet që Zvezda është pa ujë. Na kanë premtuar ujë, rrugë dhe energji elektrike, por kanë mbetur vetëm premtime. U investuan miliona për ujësjellësin, por ujë nuk ka. Askush nuk na ka shpjeguar se kush e bëri këtë investim dhe kush e kontrolloi. Bashkia duhet të mbajë përgjegjësi dhe të bëjë atë që ka premtuar.” Gjatë protestës nuk munguan as akuzat ndaj drejtuesve vendorë dhe qeverisë. Një prej banorëve tha se edhe pse për vite me radhë kishte qenë mbështetës i Partisë Socialiste, mungesa e zgjidhjes së problemit të ujit e kishte bërë të humbiste besimin tek institucionet. “Ne protestojmë për ujin e pijshëm. Janë rreth 2200 banorë që vuajnë prej 36 vitesh për ujë. Na janë bërë shumë premtime, por nuk janë mbajtur. Nëse nuk merret zgjidhje, protestat do të vazhdojnë dhe javën e ardhshme do të bllokojmë rrugët kryesore.” Banorët i bënë thirrje Bashkisë Maliq dhe institucioneve përgjegjëse të ndërhyjnë sa më parë për të garantuar furnizimin me ujë të pijshëm, duke theksuar se nuk do të ndalen derisa problemi të marrë zgjidhje. Ata paralajmëruan se, nëse kërkesat e tyre do të vijojnë të mbeten pa përgjigje, do të përshkallëzojnë reagimin me protesta të tjera dhe bllokim të akseve rrugore./ CNA Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.