Lajme Zone
Ballkanizimi i Perëndimit!
PolitikëPamfleti

Ballkanizimi i Perëndimit!

Babai im besonte fort te motoja shtetërore “vëllazërim dhe bashkim” dhe na rriti si jugosllavë. Një pasdite, duke u kthyer nga shkolla me dy shokë, njëri prej tyre përdori krejt papritur fjalën ‘balija’, një sharje për myslimanët boshnjakë.

Ballkanizimi i Perëndimit / Nga nacionalizmi dhe spektakli politik te autoritarizmi, ajo që dikur konsiderohej një sëmundje ballkanike po shndërrohet në një dukuri globale. Përvoja e përgjakshme e shpërbërjes së Jugosllavisë mund të mos ketë qenë një paralajmërim për Perëndimin, por një paraprirje e asaj që po ndodh sot… Më kujtohet mjaft mirë se sa mashtrues ishte normaliteti i jetës në vitet që i paraprinë shpërbërjes së Jugosllavisë. Shkoja në shkollë të mesme, dilja me shokët dhe krenohesha me koleksionin tim gjithnjë e më të madh të kasetave.

Babai im besonte fort te motoja shtetërore “vëllazërim dhe bashkim” dhe na rriti si jugosllavë. Një pasdite, duke u kthyer nga shkolla me dy shokë, njëri prej tyre përdori krejt papritur fjalën ‘balija’, një sharje për myslimanët boshnjakë.

Ishte hera e parë që e dëgjoja dhe e pyeta se çfarë do të thoshte. Ai më pa i habitur dhe më tha: “Çfarë, ti nuk e di që kështu ju quajmë?”. Një vit më vonë, mijëra prej atyre që quheshin “balija” u vranë, u torturuan, u burgosën në kampe përqendrimi ose u dëbuan nga qyteti im, Prijedori.

Shpërbërja e Jugosllavisë nisi në qershor të vitit 1991, me luftën dhjetëditore në Slloveni.

Më pas, Bosnjë-Hercegovina ndoqi Slloveninë dhe Kroacinë duke shpallur pavarësinë në mars 1992. Lufta në Bosnje filloi në prill, dhe deri në maj, në Prijedor kishte tashmë tri kampe përqendrimi.

Për ata që e kujtojnë, ajo që pasoi ishte lufta më e përgjakshme në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Është interesant fakti që pas pushtimit të Ukrainës nga Putini, mediat perëndimore duket se e kanë harruar këtë fakt.

Ndërsa Jugosllavia shpërbëhej nën një stuhi nacionalizmi dhe gjenocidi, udhëheqësit perëndimorë e shikonin atë proces me një përzierje kënaqësie, përçmimi dhe tmerri. Kënaqësi për shembjen e një federate socialiste, përçmim ndaj “sllavëve barbarë” dhe tmerr për përmasat e dhunës që po zhvillohej në zemër të Evropës.

Po si mundi një shtet i ndërtuar mbi moton “vëllazërim dhe bashkim” të ndahej në një mënyrë aq të dhunshme? Për shumë të huaj, konflikti dukej “tepër i ndërlikuar”. Dhuna politike iu atribuua një procesi të quajtur ‘ballkanizim’.

Termi ishte përdorur për herë të parë në fillim të shekullit XX për të përshkruar copëtimin politik të Ballkanit. Sot përdoret shpesh me një kuptim përçmues për të përshkruar fragmentimin e një rajoni apo sistemi në pjesë më të vogla dhe armiqësore.

Pas luftës erdhi “paqja e ftohtë”, ndërsa i ashtuquajturi komunitet ndërkombëtar na mbajti leksione për “vlerat perëndimore”, duke i paraqitur ato si të pandashme nga kapitalizmi. Na thuhej se Perëndimi ishte bastioni i demokracisë liberale, i mbrojtur nga regresi që kishte tronditur Ballkanin.

Tre dekada më vonë, ky vetëbesim arrogant është shembur. Nga Buenos Airesi në Uashington, stili politik që dikur konsiderohej një anomali ballkanike është shndërruar në një forcë dominuese.

Normalizimi i së djathtës radikale, teoritë konspirative, korrupsioni, ksenofobia, gangsterizmi, lufta dhe pranimi gjithnjë e më i zakonshëm i gjenocidit si mjet politik, po shndërrohen në norma ndërkombëtare.

Politika si spektakël

Që nga viti 1989, Slobodan Millosheviçi nuk u mjaftua me shfrytëzimin e valës së nacionalizmit serb. Ai e krijoi dhe e drejtoi atë. Regjimi i tij instrumentalizoi pakënaqësitë historike, rehabilitoi bashkëpunëtorët e fashizmit dhe shkriu spektaklin kulturor me propagandën politike.

Në arenën ndërkombëtare ai u paraqit si një lider i fortë, i rrethuar dhe i përndjekur, që po i rezistonte imperializmit perëndimor, duke bindur madje një pjesë të së majtës globale për rolin e tij si viktimë. Brenda vendit, promovoi nacionalizmin serb, goditi mediat, rehabilitoi bashkëpunëtorët nazistë dhe mbikëqyri plaçkitjen e burimeve të shtetit jugosllav.

Në thelb, ishte një oportunist që përdorte ideologji kontradiktore sipas nevojës. Ringjallja e miteve historike, kaloi nga revizionizmi në luftë psikologjike. U rikthyen narrativat fashiste të “gjakut dhe tokës”, duke e paraqitur Serbinë si një komb të rrethuar nga armiq, të cilët duhej “pastruar” nga territoret e tij.

Njëherazi serbët paraqiteshin si “populli qiellor”, ndërsa nacionalizmi përmblidhej në moton: “Ku jeton një serb, është Serbi!”. Gjatë luftës në Bosnje, Serbia e Millosheviçit u shndërrua në një shtet-gangster, ku pushteti politik, dhuna, bota kriminale dhe spektakli nacionalist u shkrinë në një të vetëm.

Ky sulm ndaj emocioneve primitive dhe psikologjisë kolektive, çoi në çnjerëzimin e “tjetrit” në përmasa të tilla, saqë gjenocidi u shndërrua në një zgjidhje të konsideruar të pashmangshme për “problemin mysliman”.

Edhe sot, pavarësisht përpjekjeve të pandërprera të aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe artistëve për ta pastruar këtë trashëgimi gjatë dy dekadave të fundit, kalbëzimi vazhdon të njollosë jetën shoqërore dhe politike.

Milorad Dodik, ish-president i Republikës Srpska, një prej dy entiteteve etnike të krijuara nga Marrëveshja e Dejtonit dhe në shumë aspekte, trashëgimtar ideologjik i Millosheviçit, vazhdon të kërcënojë me shkëputje dhe të mohojë rregullisht gjenocidin.

Duke zhvilluar lidhje të hapura me Rusinë e Putinit, Serbinë e Vuçiçit dhe Izraelin e Netanyahut, ai kundërshton institucionet ndërkombëtare dhe organet gjyqësore, duke i cilësuar si të paligjshme ose të manipuluara kundër serbëve. Njëkohësisht, ai sfidon aktivisht marrëveshjen e paqes. E gjitha kjo ndodh ndërsa për kriminelin e luftës Ratko Mlladiç, ka një funeral shtetëror në Serbinë fqinje.

Nga Ballkani në Mar-a-Lago

Edhe Trumpi erdhi në pushtet duke ushqyer pakënaqësitë dhe frikën. Tubimet e tij u shndërruan në atë që filozofi rus Mikhail Bakhtin do ta quante “spektakle karnavaleske”, plot me afirmim identitar dhe sulme ndaj “woke”-izmit.

Rrethi i tij i brendshëm, njësoj si ai i Millosheviçit, fshiu kufijtë mes politikës, biznesit dhe kriminalitetit. Përqafimi i teorive konspirative nga Trumpi dhe përçmimi i institucioneve demokratike, së bashku me admirimin për liderë të fortë si Netanyahu dhe Putini, i ngjajnë lavdërimit që Millosheviçi i bënte idesë se forca, dhe jo konsensusi, ishte rruga drejt stabilitetit.

MAGA i përqafoi gjeneralët e Konfederatës si luftëtarë të lirisë, pjesëmarrësit e trazirave të 6 janarit si patriotë dhe e paraqiti “Amerikën e vërtetë” si një vend të rrethuar nga emigrantë dhe marksistë imagjinarë.

Ndërkohë, kërcënimi ekzistencial i “gjenocidit të të bardhëve” ekzistonte vetëm në imagjinatën e tyre. Ndërsa taktika e “përmbytjes së zonës” funksionoi brenda vendit, Trumpi e ka aplikuar të njëjtën metodë edhe në arenën ndërkombëtare, duke u përpjekur të mbushë hapësirën informative dhe të kontrollojë narrativën.

Kështu është hequr edhe ajo perde e hollë e moralit dhe respektit për rendin e bazuar në rregulla, të cilin vendet perëndimore tradicionalisht pretendonin se e mbronin. Kjo perde ra me bashkëfajësinë ndaj krimeve të luftës të Izraelit dhe me shtypjen e zërave kundër gjenocidit.

Normalizimi i gjenocidit si një akt i nevojshëm për “pastrimin” dhe zgjerimin territorial, ka krijuar një precedent të rrezikshëm, pasojat e të cilit nuk janë kuptuar ende plotësisht. Efektiviteti i politikës së spektaklit është aty për t’u parë nga të gjithë, por shumë prej nesh vazhdojnë ta mohojnë atë.

Taktikat e Millosheviçit çuan në hiper-nacionalizëm etnik dhe, në fund, në gjenocid. Veprimet e Trumpit kanë sjellë normalizimin e autoritarizmit, shpërbërjen e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla, të ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore, dhe shfaqjen e “kryqëzatave të reja”.

Spektakli funksionoi. Miti u shit. Dhe publiku, i kapur mes zemërimit dhe argëtimit, e ka gjithnjë e më të vështirë të dallojë ndryshimin. Po sikur shpërbërja e përgjakshme e Jugosllavisë të mos ketë qenë një histori paralajmëruese, por një paraprirje?

Po sikur përjashtimi i pretenduar i Perëndimit të ketë qenë gjithmonë një mit, dhe zhytja drejt gangsterizmit oligarkik dhe barbarisë të mos jetë një rënie nga një epokë e artë, por një përballje e vonuar me realitetin?

Imagjinimi i një të ardhmeje tjetër

Nëse Millosheviçi dhe liderët e tjerë nacionalistë jugosllavë mundën të copëtonin një federatë shumëetnike të ndërtuar mbi “Vëllazërim dhe Bashkim”, atëherë rezistenca ndaj luftërave kulturore të stilit Trump - një lëvizje e ushqyer nga përçarja, nostalgjia dhe spektakli, kërkon shumë më tepër se zemërimi moral.

Ajo kërkon një kundërpeshë strategjike, kulturore dhe psikologjike. Sapo publiku fillon të kërcejë nën ritmin e mitit të nostalgjisë nacionaliste, faktet bëhen të parëndësishme. Krimet e luftës dhe gjenocidi zhduken nën thirrjet e turmave në stadiume.

Që prej janarit, SHBA-ja ka sulmuar Venezuelën, i është bashkuar Izraelit në luftën kundër Iranit dhe ka kërcënuar Kubën e një sërë vendesh të tjera, duke demonstruar diplomacinë e tipit “çfarë do të bëni ju për këtë?” të Trumpit dhe Netanyahut.

Në kombinim me sulmet e vazhdueshme ndaj institucioneve ndërkombëtare, kërcënimet për shpërbërjen e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, mbështetjen për partitë e së djathtës radikale anti-BE dhe eksportimin e luftërave kulturore në të gjithë botën anglofone, bëhet gjithnjë e më e qartë se po përjetojmë një zhvendosje drejt normalizimit të autoritarizmit të djathtë.

Kjo prirje, e mbështetur nga oligarkët, shkon përtej së ardhmes së administratës Trump apo rezultatit të luftërave në Azinë Perëndimore. Askush nuk mund të parashikojë se çfarë do të ndodhë më pas.

Por një gjë mund ta them nga privilegji i pafat i dikujt që ka parë disa gjëra në jetën e tij: sapo një turmë radikalizohet nga spektakli i etnonacionalizmit, racizmit, sulmeve ndaj “woke”-izmit, teorive konspirative dhe miteve të vjetra të gjakut e tokës, ethet nuk zhduken vetë.

Duhet shumë kohë që urrejtjet të qetësohen dhe njerëzit të fillojnë të kujtojnë sërish se si mendohet në mënyrë racionale. Si pikënisje, për të rezistuar duhet së pari të pranojmë dhe të kuptojmë me çfarë kemi të bëjmë. Duhet t’i japim një emër, qartë, vazhdimisht dhe pa eufemizma.

Tashmë kemi një brez që po rritet duke menduar se fashizmi është thjesht një tjetër ngjyrë politike. Duhet të rindërtojmë indin shoqëror dhe solidaritetin. Njerëzit kanë nevojë për histori, për një narrativë që mund ta përqafojnë dhe ta besojnë.

Duhet të hartojmë me guxim një rrugëdalje nga krizat e pabarazisë dhe përqendrimit të pasurisë në duart e kapitalit, në vend që thjesht të shprehim zemërim ndaj mizorisë raciste të ushqyer nga pronarët e rrjeteve sociale apo të kapemi pas status quo-së liberale centriste.

Kjo do të thotë të mbështesim sindikatat që luftojnë kundër pagave të ulëta dhe të organizohemi lokalisht përtej dallimeve, të bashkuar nga objektiva të përbashkëta konkrete si strehimi, kujdesi shëndetësor dhe veprimi për klimën. Nuk mund të jemi më të frikësuar nga rreziku.

Politika e pajtimit nuk funksionoi në vitet 1930 dhe nuk do të funksionojë as sot. Tashmë po shohim komunitete në SHBA që organizohen kundër bastisjeve të ICE dhe kundër burrave me maska që vrasin njerëz në rrugë.

Kufizimet e sistemit dypartiak dhe paaftësia e opozitës - një parti centriste e lobuar dhe e korruptuar përmes varësisë financiare nga donatorët e pasur - janë bërë të dukshme. Askush nuk po vjen për të na ndihmuar; komunitetet duhet të organizohen vetë.

Ose, për të huazuar fjalët famëkeqe të Lord David Oëen, ish-Sekretar i Jashtëm britanik, gjatë vizitës së tij në Bosnje në vitin 1992: “Mos jetoni me iluzionin se Perëndimi do të vijë dhe do ta zgjidhë këtë problem. Mos ëndërroni!’.

Ballkanizimi nuk është më një metaforë e përdorur së tepërmi. Ai po shpaloset në Perëndim, në kohë reale, i nxitur nga të njëjtat forca që dikur i shndërruan fqinjët jugosllavë në armiq. Pretendimi se gjithçka është normale nuk është më një mundësi. Sepse, sapo të ngrini kokën, mund të zbuloni se fqinjët tuaj po merren nga burra me uniforma - ose se edhe ju vetë jeni shpallur “i padëshirueshëm”. Çfarë, nuk e dinit që kështu ju quajnë?/Pamfleti nga “Overland”ballkanizimi i perëndimit Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Forum Doktor Berberi 31 Gusht 2026, 12:1612:16Forum Na morën në qafë pensionistët 31 Gusht 2026, 08:0508:05Forum Mbi 1,600 produkte me çmime më të ulëta nga e hëna! 30 Gusht 2026, 18:5218:52Forum Qorrsokaku i elitës tonë 30 Gusht 2026, 16:2716:27Forum Shqipëria përballë pushtetit të parasë 29 Gusht 2026, 18:0018:00Forum Ergys Agasi bëri korrupsion, po Rama ku ishte? 29 Gusht 2026, 14:5914:59Forum