Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar pas përfundimit të seancës plenare të kësaj të enjteje se Kuvendi ka miratuar kalendarin e shqyrtimit të buxhetit, i cili sipas tij do të jetë i pari në historinë e Shqipërisë që kap vlerën e mbi 10 miliardë eurove. Në një prononcim për mediat në oborrin e Kuvendit, Balla e cilësoi këtë një moment të rëndësishëm, duke theksuar se projektbuxheti ka karakter social dhe synon të mbështesë familjet shqiptare. “Sot ishte një moment i rëndësishëm, sepse në pikën e parë të rendit të ditës, ose në votimin e parë sot, u miratua dhe kalendari i shqyrtimit të buxhetit”, u shpreh Balla. Ai u ndal edhe te paketa fiskale, duke veçuar uljen e TVSH-së për ushqimet nga 20% në 6%. Sipas tij, ky ndryshim do t’u kthejë familjeve shqiptare 150 milionë euro. “Shqiptarët sot kanë marrë lajmin e mirë se kemi buxhetin e parë mbi 10 miliardë euro në gjithë historinë tonë si shtet”, deklaroi kreu i grupit parlamentar socialist. Duke iu përgjigjur edhe pyetjes se përse kjo masë nuk është ndërmarrë më herët, Balla tha se më parë Shqipëria nuk i kishte mundësitë financiare për ta realizuar. “Ulja nga 20% e TVSH-së së ushqimeve në 6% është diçka që dikush do të thoshte: ‘Pse nuk e keni bërë më parë?’. Nuk kanë qenë mundësitë financiare të Shqipërisë ta bënte, sot po e bëjmë”, tha Balla. Përfaqësuesi i mazhorancës e paraqiti buxhetin e ri si një instrument me karakter social, ndërsa shqyrtimi i tij do të vijojë sipas kalendarit të miratuar në Kuvend.
