“Na thavi krahin”. Këto kanë qenë fjalët e para të Lazër Bashit, i plagosuri që i shpëtoi një breshërie plumbash në atentatin e rëndë ku mbetën të vrarë babë e bir, Prelë dhe Lekë Gjoni, në Dukagjin.
Bashi ndodhej në pjesën e pasme të fuoristradës me dy viktimat, kur automjeti u vu në shënjestër të autorëve. Dy armë zjarri, një kallashnikov dhe një MP5, dyshohet se janë përdorur në sulm, ndërsa mbi 50 plumba janë zbrazur drejt automjetit. Prelë dhe Lekë Gjoni humbën jetën në vend, ndërsa Bashi, pasi u shtri për t’i shpëtuar breshërisë, mori një plumb në shpatull.
Pas largimit të autorëve, ai priti disa minuta dhe më pas arriti të dilte nga fuoristrada, e cila kishte dalë jashtë kontrollit dhe ishte përmbysur në një anë të rrugës. Gjëja e parë që u sigurua të merrte me vete ishte telefoni celular.
Por në zonën e thellë malore ku ndodhi ngjarja nuk kishte sinjal telefonik. I plagosur dhe me gjakderdhje, Bashi u detyrua të niste një ecje të vështirë prej afro 40 minutash, duke përshkuar rreth 2 kilometra në këmbë për të gjetur një vend ku mund të kërkonte ndihmë.
Kur mbërriti në një lokal pranë kryqëzimit ku rruga e Pultit lidhet me atë të Shoshit, ai arriti të telefonojë një të afërm. “Na thavi krahin”, mësohet të ketë qenë fjalia e parë që tha.
Më pas, Bashi ka treguar se kishte qenë rastësisht në fuoristradë me Prelë dhe Lekë Gjonin dhe se dy burrat ishin qëlluar për vdekje gjatë pritës. I plagosuri ka pastruar gjakun në një çezmë pranë lokalit dhe ka pritur mbërritjen e ndihmës për t’u transportuar fillimisht drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës.
Për shkak të humbjes së konsiderueshme të gjakut, ai është dërguar më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar. Aktualisht, gjendja e tij raportohet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, autorët e vrasjes së dyfishtë vijojnë të mbeten të paidentifikuar. Policia dhe Prokuroria e Shkodrës kanë shoqëruar disa persona, por deri më tani nuk ka një të dyshuar konkret për ekzekutimin.
Në fokus të hetimit janë disa pista, mes tyre edhe divorci i Lekë Gjonit rreth tre muaj më parë, si dhe një konflikt i ndodhur disa vite më herët. Megjithatë, familjarët kanë deklaruar se nuk kanë dijeni për ndonjë konflikt të kohëve të fundit.
Prelë dhe Lekë Gjoni po ktheheshin nga banesa e vjetër në Dukagjin, ku mbanin edhe disa koshere bletësh, në drejtim të Shkodrës, kur u zunë në pritë në rrugën e Xhanit.
Lekë Gjoni punonte me kamion, duke transportuar materiale ndërtimi dhe me një eskavator në zonën e Dukagjinit. Sipas të dhënave të deritanishme, ai nuk njihej si person problematik dhe lëvizte çdo ditë pa pasur probleme të njohura.
Hetuesit përballen edhe me vështirësi të mëdha për shkak të terrenit të thellë malor dhe mungesës së kamerave të sigurisë. Këto rrethana e bëjnë edhe më të vështirë rindërtimin e lëvizjeve të autorëve dhe identifikimin e tyre.
Policia dhe Prokuroria vijojnë punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa dëshmia e të mbijetuarit Lazër Bashi mbetet një prej elementëve të rëndësishëm për të hedhur dritë mbi atë që ndodhi në minutat e atentatit.

