Lajme Zone
Babai i Dua Lipës rrëfen të kaluarën e vështirë: Në vitin 1992 mbeta i bllokuar në Sarajevë me bashkëshorten
KulturëGazeta Tema

Babai i Dua Lipës rrëfen të kaluarën e vështirë: Në vitin 1992 mbeta i bllokuar në Sarajevë me bashkëshorten

Dukagjin Lipa, babai dhe menaxheri i këngëtares me famë botërore Dua Lipa, ka ndarë detaje nga e kaluara e tij në një intervistë për televizionin kroat RTL Direkt, ku ka rrëfyer një episod të vështirë nga viti 1992.

Dukagjin Lipa, babai dhe menaxheri i këngëtares me famë botërore Dua Lipa, ka ndarë detaje nga e kaluara e tij në një intervistë për televizionin kroat RTL Direkt, ku ka rrëfyer një episod të vështirë nga viti 1992.

Gjatë bisedës, ai zbuloi se në atë periudhë kishte mbetur i bllokuar në Sarajevë, së bashku me bashkëshorten e tij, Anesën, në kohën kur qyteti po përjetonte luftën.

Dukagjin Lipa tregoi se në të njëjtin vit ishte larguar nga Prishtina drejt Londrës, për shkak të problemeve politike në Kosovë. Ai shpjegoi se zgjedhja e kryeqytetit britanik lidhej edhe me pasionin e tij për muzikën dhe artin.

“E lashë vendlindjen time, Prishtinën, në vitin 1992 dhe shkova në Londër, megjithëse Londra nuk ishte një destinacion i zakonshëm për emigrantët në atë kohë. Ishte një qytet për dashamirësit e muzikës dhe artit, një qytet me të cilin do të dashuroheshe dhe thjesht do të tërhiqeshe. E lashë Kosovën për shkak të problemeve politike dhe u largova. Atë vit, isha i bllokuar në Sarajevën e kohës së luftës me të dashurën time në atë kohë”, u shpreh ai.

Në intervistën për RTL Direkt, babai i këngëtares foli edhe për marrëdhënien e veçantë me vajzën e tij dhe rolin e tij si menaxher i karrierës së saj. I pyetur se kush e ka fjalën e fundit në vendimmarrje, Dukagjin Lipa u përgjigj shkurt: “Gjithmonë asaj”.

Ai shpjegoi se kanë bashkëpunuar që kur Dua ishte e vogël dhe se, pavarësisht marrëdhënies profesionale, kanë ditur të ruajnë kufijtë mes punës dhe jetës familjare. Sipas tij, vendimet e rëndësishme për karrierën e këngëtares merren së bashku, ndërsa ajo është në dijeni të çdo zhvillimi që lidhet me punën e saj.

Dukagjin Lipa tregoi gjithashtu se familja përpiqet të bëjë një jetë sa më normale, pavarësisht famës ndërkombëtare të Duas. Ai zbuloi se të tre fëmijët flasin rrjedhshëm shqip dhe se në shtëpi shpesh përziejnë gjuhë të ndryshme.

Një pjesë e bisedës iu kushtua edhe festivalit Sunny Hill, të cilin Dukagjin Lipa e themeloi në Prishtinë dhe që ndër vite është shndërruar në një aktivitet me jehonë ndërkombëtare. Ai u shpreh se artistët dhe sportistët kanë mundësi të promovojnë vendin e tyre në arenën ndërkombëtare, duke theksuar se familja Lipa e bën këtë me vullnetin e saj dhe pa marrëveshje apo mbështetje nga qeveria.