Avokati i Popullit ka konstatuar mbipopullim në Bllokun e Sigurisë, ku në momentin e inspektimit ndodheshin 118 persona, ndërsa kapaciteti zyrtar është 67. Gjatë monitorimit të protestës së 20 tetorit janë administruar 6 ankesa për pretendime dhune, ndërsa janë identifikuar edhe 6 të mitur në ambientet e sigurisë. Në një komunikatë për shtyp të publikuar më 21 tetor, institucioni i Avokatit të Popullit ka bërë publike gjetjet paraprake nga monitorimi i protestës së një dite më parë, duke ngritur shqetësime për përdorimin e forcës nga policia, kushtet e mbajtjes së personave të shoqëruar dhe trajtimin e të miturve. Ekipet e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës kanë inspektuar Komisariatin e Policisë nr. 2, Bllokun e Sigurisë dhe Spitalin e Traumës. Sipas institucionit, në Komisariatin nr. 2 u gjetën dy persona madhorë, të cilët u liruan gjatë monitorimit. Ndërkohë, në Bllokun e Sigurisë ndodheshin 118 persona, nga të cilët 36 ishin arrestuar gjatë orëve të fundit. Gjashtë ankesa për dhunë, dëmtime në kokë dhe në sy Avokati i Popullit bën me dije se ka administruar gjashtë ankesa për pretendime dhune gjatë ndalimit ose shoqërimit nga policia, të gjitha në ambientet e Bllokut të Sigurisë. Në një rast është raportuar dëmtim në kokë, ndërsa në një tjetër dëmtim i syrit. Institucioni thotë se po analizon edhe pamjet filmike të publikuara nga protesta, të cilat, sipas tij, ngrenë shqetësime për raste të tërheqjes zvarrë dhe goditjeve me shkopinj gome. “Qytetarët na kanë dërguar pamje filmike të dhunës së ushtruar nga policia gjatë ndalimit dhe shoqërimit. Ne po i analizojmë dhe po i hetojmë për të nxjerrë përgjegjësit”, thuhet në komunikatë. Institucioni thekson se çdo përdorim i forcës nga policia duhet të jetë i ligjshëm, i domosdoshëm dhe proporcional, duke iu referuar Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. 118 persona në një ambient me kapacitet për 67 Një tjetër shqetësim i evidentuar lidhet me kushtet e qëndrimit në Bllokun e Sigurisë. Sipas Avokatit të Popullit, në dhoma të projektuara për një person qëndronin tre deri në katër persona, ndërsa të paktën dy persona raportohet se flinin në dysheme. Kapaciteti zyrtar i këtij ambienti është 67 persona, por gjatë inspektimit u gjetën 118 të arrestuar. Avokati i Popullit i ka kërkuar Ministrisë së Brendshme të marrë masa që Blloku i Sigurisë të funksionojë brenda kapacitetit normal dhe personat e tjerë të sistemohen në ambiente që plotësojnë standardet e kërkuara. Gjashtë të mitur në Bllokun e Sigurisë Gjatë monitorimit, përfaqësuesit e institucionit kanë marrë kontakt me gjashtë të mitur që ndodheshin në Bllokun e Sigurisë. Sipas komunikatës, ekipi nuk arriti të identifikonte një dhomë të veçantë për fëmijët në këtë ambient. Ankesat e administruara nga të miturit lidheshin me kufizimet për kontaktin me familjen dhe avokatin, si dhe me mungesën e psikologut gjatë marrjes në pyetje. Avokati i Popullit kërkon dokumentimin e garancive procedurale për të gjashtë të miturit dhe ndarjen e tyre nga personat madhorë, duke nënvizuar detyrimin për trajtim njerëzor dhe mbrojtje të posaçme të fëmijëve të privuar nga liria. Protestuesi i shtruar në spital, i prangosur në krevat Në Spitalin e Traumës, gjatë inspektimit u gjetën gjashtë protestues, njëri prej të cilëve i mitur. Një person i arrestuar vijonte të ishte i shtruar në spital, i prangosur në krevat, ndërsa në dhomë ndodhej edhe një punonjës policie. Sipas komunikatës, personi pretendonte se ishte dhunuar gjatë arrestimit dhe kishte një dëmtim të madh në sy. Avokati i Popullit kërkon sqarime për arsyet e prangosjes, personin që e ka vendosur masën dhe kohëzgjatjen e saj. Gjithashtu, i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë që të garantojë praninë e mjekëve në çdo kohë në ambientet e shoqërimit dhe dokumentimin mjekësor të çdo dëmtimi trupor. Kërkesa për policinë dhe paralajmërimi për referim në prokurori Në kuadër të monitorimit, Avokati i Popullit i ka kërkuar Policisë së Shtetit të ruajë menjëherë pamjet filmike të protestës, komisariateve dhe Bllokut të Sigurisë, si dhe të vërë në dispozicion urdhrat, regjistrat dhe të dhënat që lidhen me shoqërimet, kohëzgjatjen e tyre dhe identitetin e punonjësve të përfshirë. Institucioni kërkon gjithashtu identifikimin e detyrueshëm të çdo punonjësi dhe automjeti gjatë operacioneve policore. Avokati i Popullit deklaron se do të vijojë monitorimin dhe, në rastet kur konstatohen shkelje të ligjit dhe përgjegjësi penale, do t’i referojë ato në prokurori. Gjetjet e bëra publike janë paraprake. Sipas institucionit, hetimi i thelluar vijon dhe rezultatet do të bëhen të ditura brenda afateve ligjore. Në përfundim, Avokati i Popullit u ka bërë thirrje qytetarëve që pretendojnë se u janë cenuar të drejtat gjatë protestës ose shoqërimit në polici të paraqesin ankesa individuale pranë institucionit, duke garantuar konfidencialitetin e tyre.
