Rregullorja e re e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila vendos kufizime për gazetarët dhe avokatët, ka sjellë reagimin e drejtuesve të dhomave të avokatisë. Kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maks Haxhia, dhe kryetari i Dhomës së Avokatisë Tiranë, Klodian Skënderi, dolën këtë të hënë në një deklaratë për mediat jashtë ambienteve të GJKKO-së, ku kundërshtuan disa prej përcaktimeve të rregullores së re. Haxhia deklaroi se avokatët e kontestojnë rregulloren dhe paralajmëroi bojkot të seancave gjyqësore nëse nuk do të ketë reflektim. “Kontestojmë rregulloren. Nëse nuk ka reflektim, shkojmë në bojkot të seancave gjyqësore”, u shpreh Haxhia. Një prej pikave të kundërshtuara lidhet me kufizimet për përdorimin e telefonave celularë brenda ambienteve të gjykatës. Sipas Haxhisë, telefoni është një mjet i rëndësishëm pune për avokatët. “Aparati celular për ne është ‘studio lëvizëse’, ku punojmë”, deklaroi ai. Rregullorja e re e GJKKO-së është kritikuar edhe nga organizata që mbrojnë të drejtën e informimit, të cilat e kanë konsideruar atë si një kufizim ndaj veprimtarisë së medias dhe misionit të gazetarëve për informimin e publikut. Përveç gazetarëve dhe avokatëve, rregullorja prek edhe organizimin e brendshëm të sigurisë në GJKKO. Këtë të hënë, në ambientet e gjykatës janë parë efektivë të Gardës së Republikës dhe të Policisë së Shtetit. Rregullorja e re është miratuar nga zëvendëskryetari i GJKKO-së, Erjon Bani, dhe parashikon kufizime të reja për aksesin dhe qëndrimin në ambientet e gjykatës, duke prekur në mënyrë të drejtpërdrejtë punën e gazetarëve dhe avokatëve.
