Eksperti i sigurisë, Avni Islami, ka njoftuar se më pak se 48 orë para shpalljes së verdiktit për krerët e UÇK-së, sipas tij, janë shtuar deklaratat dhe informacionet e rreme për zhvillime të mundshme destabilizuese në Kosovë.Përmes një postimi në Facebook, Islami ka pretenduar se “makineria propagandistike dhe shërbimet inteligjente serbe”, përfshirë BIA-n, janë vënë në lëvizje. Ai ka thënë se përmes mediave dhe rrjeteve sociale po përhapen “deklarata bombastike dhe lajme të rreme për trazira të trilluara në Kosovë”.Sipas Islamit, kjo situatë, e shoqëruar edhe me stërvitjet e fundit të ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën, përbën “luftë hibride”.Eksperti i sigurisë u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës për qetësi, maturi dhe vigjilencë, duke kërkuar që të mos bien pre e provokimeve dhe informacioneve të rreme.“Mos bini pre e provokimeve dhe informacioneve të rreme që synojnë përhapjen e panikut”, ka shkruar Islami.Ai ka deklaruar se AKI dhe Policia e Kosovës janë në gatishmëri të plotë, ndërsa ka paralajmëruar se çdo tentativë për cenimin e rendit kushtetues, sipas tij, do të neutralizohet menjëherë.“Siguria e Republikës së Kosovës është e pacënueshme dhe e garantuar”, ka shkruar Islami. /Telegrafi/

