Lajme Zone
Të tjeraEuronews Albania

Automjetet afrohen pranë vijës së detit, rriten shqetësimet për sigurinë e pushuesve


Parkimi i automjeteve pranë vijës bregdetare vijon të mbetet një shqetësim në plazhet e Vlorës. Dhjetëra mjete ndalojnë çdo ditë fare pranë zonës ku qëndrojnë pushuesit, duke ngritur shqetësime për sigurinë, veçanërisht të fëmijëve dhe familjeve.

Parkimi i automjeteve pranë vijës bregdetare vijon të mbetet një shqetësim në plazhet e Vlorës. Dhjetëra mjete ndalojnë çdo ditë fare pranë zonës ku qëndrojnë pushuesit, duke ngritur shqetësime për sigurinë, veçanërisht të fëmijëve dhe familjeve. Pushuesit vendas dhe të huaj thonë se mungesa e hapësirave të dedikuara për parkim ka bërë që shumë drejtues mjetesh të afrohen deri në vijën e parë të detit. Sipas tyre, kjo situatë përbën rrezik dhe kërkon ndërhyrje më të fortë nga autoritetet. “Këtu është qetë dhe kemi ku parkojmë, por është gabim që makinat të futen deri pranë detit. Duhet të ketë një vend të përcaktuar me kufizime. Është e rrezikshme dhe estetikisht shumë keq. Autoritetet duhet të bëjnë detyrën dhe policia të vendosë gjoba ndaj shkelësve”, shprehet një pushues. Qytetarë të tjerë vlerësojnë investimet e kryera në Lungomare, por theksojnë se parkimi i pakontrolluar pranë bregdetit vazhdon të cenojë sigurinë dhe qarkullimin. “Zona është përmirësuar shumë me Lungomaren, por kjo situatë nuk duhet të vazhdojë. Bashkia duhet të caktojë hapësira të posaçme për parkim. Makinat bllokojnë qarkullimin dhe rrezikojnë fëmijët që lëvizin me vrap në plazh. Nevojiten kontrolle të vazhdueshme nga Policia Rrugore”, thotë një tjetër pushues. Përveç parkimit të automjeteve, pushuesit ngrenë shqetësime edhe për mungesën e koshave të mbeturinave, duke kërkuar më shumë vëmendje për mirëmbajtjen dhe pastërtinë e zonës. “Plazhi është i mirë si hapësirë, por mungojnë koshat e mbeturinave. Problemi i makinave është serioz. Policia ndërhyri një ditë dhe largoi disa mjete, por kontrollet duhet të jenë të përditshme. Fëmijët janë më të rrezikuarit”, shprehet një pushues tjetër. Sipas të dhënave zyrtare, Policia Rrugore dhe Policia Bashkiake kanë vendosur masa administrative ndaj drejtuesve që parkojnë automjetet në bregdet, ndërsa një pjesë e mjeteve janë larguar nga zona. Megjithatë, pavarësisht ndërhyrjeve, numri i automjeteve që vazhdojnë të parkojnë pranë vijës së parë të detit mbetet i lartë, duke mbajtur të hapur shqetësimin për sigurinë gjatë sezonit turistik.