Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa, ka reaguar pas vrasjes në Sarandë, duke ngritur shqetësimin për përshkallëzimin e ngjarjeve kriminale në qytet. Zhupa thekson se prej korrikut 2025 ka nisur një seri hakmarrjesh mes dy grupeve rivale dhe janë shënuar një sërë ngjarjesh të rënda, përfshirë plagosje, shpërthime me tritol dhe përdorim armësh në mes të qytetit. Ajo i drejtohet Policisë së Shtetit me pyetjen se çfarë po bën për ta ndalur këtë zinxhir dhe paralajmëron se qytetarët nuk mund të presin ngjarjen e pestë apo një viktimë të pafajshme. “Detyra e policisë është ta parandalojë krimin, jo të mbërrijë pasi krimi ka ndodhur”, shprehet Zhupa, e cila kërkon reformimin e zinxhirit drejtues të policisë së Sarandës. Reagimi i plotë i Ina Zhupës: Saranda në serinë e hakmarrjeve dhe vrasjeve mes ditës, në mes qytetit. Kush do jetë ngjarja e pestë e kësaj sage që e di gjithë qyteti?! Katër ngjarje të rënda, njëra pas tjetrës. Plagosje, vrasje me tritol, armë në mes të qytetit dhe një zinxhir përplasjesh mes dy grupeve që po përshkallëzohet që nga korriku 2025 e sot. Dhe pyetja për policinë e shtetit është e thjeshtë: çfarë po bëni për ta ndalur këtë seri?
Sa duhet të presin qytetarët e Sarandës? Derisa të vijë ngjarja e pestë? Derisa viktima e radhës të jetë një qytetar i pafajshëm që ndodhet rastësisht në vendin e gabuar? Sot u plagos një tjetër kalimtar i rastit, që i uroj shërim të shpejtë.
Kjo nuk është më çështje statistikash kriminaliteti. Është dështim i sigurisë publike në Sarandë. Kur armët përdoren në mes të qytetit dhe hakmarrjet vijojnë njëra pas tjetrës, drejtuesit e Policisë së Shtetit nuk mund të mjaftohen me deklarata pas ngjarjeve dhe njoftime për procedime. Kur janë po aq fajtor nga paaftësia për të zbuluar dhe parandaluar edhe krime të lajmëruara dhe të pritura.
Detyra e policisë është ta parandalojë krimin, jo të mbërrijë pasi krimi ka ndodhur.
Saranda nuk mund të lihet peng i bandave, armëve dhe hakmarrjeve. Qytetarët kanë të drejtë të jetojnë të sigurt dhe shteti ka detyrimin t’ua garantojë këtë siguri. Keni dështuar, të reformohet totalisht policia e Sarandës! © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: atentati sarande

