Autoritetet greke dyshojnë se sulmi i armatosur në një kafene në Agios Panteleimonas, ku mbeti i plagosur një fëmijë 10-vjeçar, lidhet me një përplasje mes grupeve kriminale. Sipas informacioneve të reja, katër autorët mbërritën në lokal me një automjet të vjedhur të enjten e kaluar në zonën e Vrilissias. Ata qëlluan rreth 25 plumba me kallashnikov, ndërsa pas sulmit automjeti i përdorur për arratisje u gjet i djegur në Aspropyrgos. Brenda tij u gjet edhe arma. Nga të shtënat u plagos në këmbë një vajzë 10-vjeçare, vajza e partneres së pronarit të lokalit, 30-vjeçarit shqiptar Denis Luli. Fëmija u dërgua në spital nga nëna e saj. Oficerët e Drejtorisë për Luftën Kundër Krimit të Organizuar po hetojnë mundësinë që sulmi të jetë pjesë e përplasjeve mes grupeve rivale, që dyshohet se mund të kenë lidhje me trafikun e drogës. Në kuadër të hetimeve po shqyrtohet edhe përfshirja e mundshme e të burgosurit shqiptar Klodian Lekocaj. Denis Luli është i njohur për autoritetet greke për precedentët e tij kriminalë. Në vitin 2016, ai u përfshi në një rast që lidhej me një plantacion të madh marijuane në Arta, ku qëlloi ndaj oficerëve të policisë dhe u arratis. Ai u arrestua rreth dy vite më vonë. Në vitin 2021, Luli u lirua nga burgu i Malandrinon me kushte kufizuese, ndërsa në vitin 2025 policia u angazhua sërish për një rast që lidhej me një sasi të vogël droge.
Deri tani, Luli ka refuzuar t’u japë autoriteteve informacion për ngjarjen. Megjithatë, sipas burimeve, ai dyshohet se kishte paralajmëruar një punonjës të lokalit që, në rast se dikush e kërkonte, të pretendonte se nuk e kishte parë.
Hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e motiveve të sulmit vijojnë. Top Channel

