Një atentat është kryer në Rusi kundër një oficeri të lartë ushtarak rus, i akuzuar nga Ukraina për urdhërimin e një sulmi me raketa ndaj një spitali pediatrik në Kiev. Gjenerali rus Nikolai Varpakhovich, komandant i Divizionit të 22-të të Bombarduesve të Rëndë të Forcave Hapësinore Ruse, thuhet se u qëllua disa herë në qytetin Engels, Rajoni i Saratovit.
Komiteti Hetues Rus njoftoi se kishte nisur një hetim për tentativën e vrasjes së një ushtaraku, pa e emëruar të sulmuarin. Megjithatë, mediat ruse dhe kanalet në Telegram raportuan se bëhej fjalë për Varpakhovich.
Sipas të njëjtit informacion, gjenerali i mbijetoi sulmit dhe u dërgua në spital, dhe më pas u transferua në Moskë.
Emri i Varpakhovich kishte qenë në qendër të hetimeve ukrainase pas sulmit me raketa ndaj spitalit pediatrik Ohmadiyt në Kiev në korrik 2024. Sulmi vrau tre persona, përfshirë një fëmijë, dhe plagosi dhjetëra të tjerë. Pjesë të spitalit, të tilla si njësitë e kujdesit intensiv dhe objektet kirurgjikale, u dëmtuan rëndë.
Autoritetet ukrainase pretendojnë se oficeri rus dha urdhrin për lëshimin e një rakete Kh-101 nga njësitë nën komandën e tij.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy iu referua incidentit pa marrë zyrtarisht përgjegjësinë, duke deklaruar se Ukraina do të vazhdonte operacionet në përgjigje të agresionit rus. Top Channel

