Lajme Zone
Arkitektura e autoritarizmit erdoganian: Katër shtyllat që e mbajnë në këmbë
BotëPamfleti

Arkitektura e autoritarizmit erdoganian: Katër shtyllat që e mbajnë në këmbë

Por këto zhvillime tregojnë vetëm një pjesë të historisë. Për të kuptuar se si Erdogan ka ruajtur qëndrueshmërinë politike pavarësisht krizave ekonomike, inflacionit, zhvlerësimit të lirës, humbjeve elektorale dhe pakënaqësisë publike, duhet parë se çfarë sistemi ndërtoi ai pas 15 korrikut 2016.

Rechep Taiip Erdogan / Dhjetë vjet pas ngjarjeve të 15 korrikut, Turqia ka ndërtuar një sistem politik dhe ekonomik ku pushteti ekzekutiv, siguria, punësimi publik dhe mirëqenia sociale janë ndërthurur me besnikërinë politike. Ky model ka ndihmuar Recep Tayyip Erdogan të ruajë pushtetin pavarësisht krizave ekonomike dhe pakënaqësisë në rritje... Rënia demokratike e Turqisë gjatë dekadës së fundit, është shoqëruar me burgosjen e gazetarëve, mbylljen e mediave, shkarkimin e gjyqtarëve, ndjekjen penale të politikanëve të opozitës dhe përqendrimin gjithnjë e më të madh të pushtetit në duart e presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Por këto zhvillime tregojnë vetëm një pjesë të historisë. Për të kuptuar se si Erdogan ka ruajtur qëndrueshmërinë politike pavarësisht krizave ekonomike, inflacionit, zhvlerësimit të lirës, humbjeve elektorale dhe pakënaqësisë publike, duhet parë se çfarë sistemi ndërtoi ai pas 15 korrikut 2016.

Kthesa autoritare e Turqisë kishte nisur përpara tentativës së grushtit të shtetit. Presioni ndaj mediave, politizimi i gjyqësorit, ndërprerja e procesit të paqes me kurdët dhe përpjekjet për zgjerimin e pushtetit presidencial ishin tashmë në zhvillim.

Por 15 korriku e përshpejtoi në mënyrë dramatike këtë proces dhe i dha Erdoganit një mundësi për të eliminuar shumë prej kufizimeve institucionale që e pengonin. Tentativa e grushtit të shtetit ishte një traumë kombëtare, me më shumë se 250 viktima dhe një përpjekje për përmbysjen e një qeverie të zgjedhur me votë.

Hetimi dhe ndëshkimi i përgjegjësve ishin të justifikueshme, por reagimi i qeverisë shkoi shumë më tej. Erdogan e shndërroi 15 korrikun në narrativën themeluese të një rendi të ri politik, ku “vullneti kombëtar”, heronjtë dhe dëshmorët u vendosën në qendër të diskursit shtetëror.

Gjendja e jashtëzakonshme e shpallur pas grushtit të shtetit u paraqit si masë e përkohshme, por pasojat e saj u bënë kryesisht të përhershme. Qindra mijëra njerëz u hetuan, dhjetëra mijëra u burgosën dhe më shumë se 125 mijë punonjës të administratës publike u shkarkuan nga puna.

Media, shkolla, shoqata dhe kompani u mbyllën, u sekuestruan ose kaluan nën kontrollin e shtetit. Goditja fillestare u përqendrua te lëvizja Gülen, të cilën Ankaraja e akuzon për organizimin e grushtit të shtetit.

Por mjetet ligjore dhe politike të krijuara gjatë kësaj fushate, u përdorën më pas kundër një spektri shumë më të gjerë kritikësh. Politikanë kurdë, gazetarë, akademikë dhe figura të shoqërisë civile u përballën gjithnjë e më shpesh me akuza të lidhura me “terrorizmin” dhe “sigurinë kombëtare”.

Gjendja e jashtëzakonshme përfi, por logjika e saj mbijetoi. Siguria kombëtare u shndërrua në një mënyrë qeverisjeje dhe kundërshtimi politik mund të paraqitej si kërcënim për mbijetesën e shtetit. Kjo e mjegulloi kufirin mes opozitës dhe kërcënimit të sigurisë.

Hapi vendimtar erdhi me referendumin kushtetues të vitit 2017, i cili zëvendësoi sistemin parlamentar me një presidencë ekzekutive. U hoq posti i kryeministrit, kompetencat e presidentit u zgjeruan ndjeshëm dhe administrata shtetërore u riorganizua rreth presidencës.

Pra, nuk bëhej fjalë vetëm për faktin se Erdogan kishte fituar më shumë pushtet; vetë shteti po ridizenjohej për të funksionuar rreth tij. Ky transformim u shtri edhe në ekonomi. Në vitin 2016, rreth 3.56 milionë njerëz punonin në sektorin publik.

Deri në qershor të këtij viti, numri kishte arritur në rreth 5.4 milionë. Kjo është veçanërisht domethënëse pasi më shumë se 125 mijë punonjës ishin larguar nga administrata pas grushtit të shtetit. Pra shteti nuk u tkurr pas spastrimeve; përkundrazi, u zgjerua ndjeshëm.

Ky paradoks tregon se pastrimi i administratës nuk ishte vetëm largim i njerëzve nga institucionet, por edhe rindërtim i tyre përmes personelit dhe rrjeteve të reja. Rrjetet e vjetra u dobësuan, institucionet u riorganizuan dhe u krijuan marrëdhënie të reja besnikërie, varësie dhe mundësish.

Kjo ndryshon ndjeshëm nga vitet e para të AKP-së, kur qeveria promovonte privatizimin, disiplinën fiskale, integrimin evropian, investimet e huaja dhe një rol më të kufizuar të shtetit.

Sot, megjithëse Turqia ka ende një ekonomi private të madhe, shteti është bërë një nga shpërndarësit kryesorë të mundësive ekonomike. Ai punëson miliona njerëz, kontrollon burime të mëdha përmes bashkive, jep kontrata publike dhe shpërndan ndihma sociale.

Kjo krijon një dimension ekonomik të autoritarizmit që shpesh lihet në hije. Pyetja nuk është vetëm kush kontrollon policinë, gjykatat apo mediat, por edhe kush kontrollon mundësitë ekonomike. Kur miliona familje varen drejtpërdrejt ose tërthorazi nga shteti për të ardhurat, punësimin, kontratat apo ndihmën sociale, siguria ekonomike dhe pushteti politik bëhen gjithnjë e më të vështira për t'u ndarë. Kjo s’do të thotë se çdo punonjës publik mbështet Erdogan apo se çdo emërim është patronazh politik.

Mekanizmi është më i sofistikuar. Njerëzit mund të mendojnë për pagën e tyre, mundësitë e punësimit të fëmijëve, të ardhmen e kompanisë së tyre apo qasjen në skemat sociale. Kështu, shteti bëhet qendra e një rrjeti ekonomik nga i cili varen shumë qytetarë.

Zgjerimi i punësimit publik në prag të zgjedhjeve të viteve 2018 dhe 2023, është politikisht shumë domethënës. Transferimi i punonjësve me kontrata në pozicione të përhershme plotësonte kërkesa sociale të vërteta.

Por shpërndarja e vendeve të punës nga shteti në periudha zgjedhore mund të krijojë gjithashtu avantazh politik, sidomos kur janë dobësuar mekanizmat e meritokracisë dhe kontrollet institucionale.

Kështu, sistemi i Erdoganit mund të kuptohet përmes 4 shtyllave që përforcojnë njëra-tjetrën: shtypja, centralizimi institucional, politizimi i përhershëm i sigurisë dhe varësia ekonomike. Retorika e sigurisë legjitimon centralizimin; centralizimi rrit kontrollin mbi burimet; kontrolli mbi burimet krijon varësi dhe rrjete patronazhi, ndërsa dobësimi i institucioneve ul koston politike të goditjes ndaj kundërshtarëve.

Megjithatë, Erdogan nuk i ka anuluar zgjedhjet. Opozita vazhdon të ekzistojë dhe ka fituar edhe gara të rëndësishme. Stambolli dhe Ankaraja ranë në duart e opozitës, ndërsa në zgjedhjet lokale të vitit 2024, AKP-ja pësoi një humbje të rëndësishme në rang kombëtar.

Pikërisht këtu qëndron edhe veçantia e modelit turk. Nuk kemi të bëjmë me një diktaturë klasike që eliminon zgjedhjet, por me një sistem ku zgjedhjet vazhdojnë të zhvillohen në një terren thellësisht asimetrik.

Opozita mund të konkurrojë dhe madje të fitojë, por përballet me një pushtet që kontrollon burime të mëdha shtetërore, punësimin publik, prokurimet, institucionet rregullatore dhe një pjesë të konsiderueshme të medias.

Në vitet e para të qeverisjes së Erdogan, legjitimiteti i tij mbështetej kryesisht te rritja ekonomike. Të ardhurat u rritën, inflacioni ra dhe infrastruktura u zgjerua. Por pas vitit 2016, kjo marrëveshje politike u dobësua. Lira e humbi vlerën, inflacioni u rrit dhe politikat monetare të Erdogan sollën kosto të mëdha për qytetarët.

Megjithatë, ai mbijetoi në pushtet. Dhe një nga arsyet, është se sistemi ishte zhvendosur nga legjitimiteti i bazuar te performanca ekonomike, drejt një modeli ku shteti kontrollon një pjesë të madhe të mekanizmave përmes të cilëve qytetarët kërkojnë mbrojtje nga pasiguria ekonomike.

Kjo krijon një paradoks: i njëjti shtet që mund të kontribuojë në krizën ekonomike, bëhet edhe institucioni ku njerëzit kërkojnë mbështetje për ta përballuar atë. Pra Erdogan nuk ka ndërtuar thjesht një makineri elektorale.

Ai ka ndërtuar një sistem që mund të riprodhojë pushtetin edhe mes zgjedhjeve. Popullariteti mund të bjerë, por institucionet e centralizuara, rrjetet e patronazhit, kontrolli mbi mediat, kultura burokratike dhe varësitë ekonomike mund të zgjasin shumë më tepër se sa një mandat politik.

Dhjetë vjet pas ngarjeve 15 korrikut 2016, pyetja nuk është vetëm se çfarë u shkatërrua, por edhe se çfarë u ndërtua në vend të tij. Erdogan krijoi një presidencë të centralizuar, forcoi një kulturë të mobilizimit të përhershëm në emër të sigurisë, zgjeroi rolin ekonomik të shtetit dhe lidhi më ngushtë pushtetin politik me mundësitë ekonomike.

Në të njëjtën kohë, 15 korriku u shndërrua në një narrativë themeluese për legjitimimin e këtij rendi. Ky është një nga tiparet më të rëndësishme të autoritarizmit të shekullit XXI. Ai nuk vjen domosdoshmërisht me tanke dhe nuk kërkon gjithmonë shfuqizimin e menjëhershëm të zgjedhjeve.

Mund të ndërtohet gradualisht nga një lider i zgjedhur, i cili përdor një krizë kombëtare për të riorganizuar institucionet, përqendruar pushtetin, kontrolluar burimet ekonomike dhe ndryshuar rregullat e lojës.

Në këtë kuptim, trashëgimia më e qëndrueshme e 15 korrikut mund të mos jetë ajo që shkatërroi, por sistemi që ndërtoi Erdogani mbi rrënojat e rendit të vjetër./Pamfleti nga “Turkish Minute”erdogan arkitektura e autoritarizmit katër shtyllat që e mbajnë në këmbë Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Rusia teston një “rojë” të re në det, Plot-40 synon mbrojtjen e porteve 22 Gusht 2026, 12:2112:21Rajoni dhe Bota Lufta me Putin, Ukraina rekruton njerëzit duke i marrë me zor dhe tërhequr zvarrë në rrugë (Video) 22 Gusht 2026, 11:0211:02Rajoni dhe Bota Berlini përgatit arsenalin e ri kundër Putin: 12 miliardë euro për raketa lundruese, Tomahawk dhe armë hipersonike 22 Gusht 2026, 10:1710:17Rajoni dhe Bota Rusia bombardon qendrën tregtare në Ukrainë, 16 të vrarë dhe mbi 130 të plagosur 22 Gusht 2026, 09:2809:28Rajoni dhe Bota Dështon marrëveshja për tarifat, Kanadaja ultimatum Trump: Hakmarrje dollar për dollar 22 Gusht 2026, 09:0909:09Rajoni dhe Bota NASA pubikon videon: I nxehti po djeg Evropën, rekorde të njëpasnjëshme dhe temperatura mbi 40°C 22 Gusht 2026, 08:3508:35Rajoni dhe Bota