Ariana Grande duket se i ka dhënë fund aludimeve për jetën e saj sentimentale, duke e bërë lidhjen me Ricky Alvarez publike në mënyrën më të drejtpërdrejtë: përmes Instagramit.
Këngëtarja 33-vjeçare publikoi një seri fotografish nga javët e fundit, ku në dy prej tyre shfaqet edhe Ricky Alvarez, ish-partneri i saj dhe ish-balerini rezervë. Grande e ka etiketuar Alvarez në të dyja fotot, duke i dhënë kështu fansave sinjalin e qartë se dyshja është rikthyer pranë njëri-tjetrit.
Në njërën prej imazheve, Ricky shfaqet me krahun rreth qafës së Ariana-s, ndërsa në një tjetër dyshja shihet në një selfie të turbullt. Fotografitë vijnë pas javësh spekulimesh se këngëtarja dhe ish-i dashuri i saj po i japin një tjetër mundësi marrëdhënies.
Aludimet nisën të shtoheshin pasi Ariana ndryshoi disa herë vargjet e këngës së saj hit “Thank U, Next” gjatë turneut “Eternal Sunshine”. Në versionin origjinal ajo këndon për Ricky-n: “Wrote some songs about Ricky / Now I listen and laugh”, ndërsa gjatë performancave të fundit ka përdorur vargje të tjera, duke përfshirë edhe “I know he’s still got my back” dhe “We always find our way back”.
Ariana dhe Ricky kanë qenë në një lidhje nga viti 2015 deri në vitin 2016. Pas ndarjes, ata kanë ruajtur një raport miqësor, ndërsa tashmë duket se marrëdhënia mes tyre ka marrë një tjetër drejtim.
Sipas raportimeve, dyshja po e merr rikthimin me shumë qetësi dhe nuk po nxiton drejt një lidhjeje serioze. Një burim i përshkruar si i afërt me këngëtaren ka thënë se Ricky është dikush të cilit Ariana i beson, e mbështet dhe pranë të cilit ndihet vetvetja.
Rikthimi me Alvarez vjen pas ndarjes së Ariana-s nga aktori Ethan Slater, me të cilin kishte qenë në një lidhje për rreth tre vite. Ndarja e tyre u përshkrua si pa konflikte dhe dyshja thuhet se kanë mbetur miq.
Tashmë, me fotot e reja në Instagram dhe ndryshimet e vazhdueshme të tekstit të “Thank U, Next”, Ariana Grande duket se ka vendosur t’u tregojë fansave se historia me Ricky Alvarez mund të jetë duke nisur një kapitull të ri.

