Kalaja e Gjirokastrës vijon të kryesojë listën e monumenteve më të vizituara në Shqipëri. Vetëm në 10 muajt e parë të këtij viti, në kalanë Argjiro kanë hyrë 317 mijë turistë, rreth 10 mijë më shumë se në të gjithë vitin e kaluar.
Drejtori i Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër, Ardis Duka, e konsideron këtë shifër një tregues të interesit të lartë për monumentin, por edhe një sfidë për institucionin që administron mirëmbajtjen e tij.
Të ardhurat nga biletat, së bashku me aktivitetet e ndryshme kulturore të organizuara në ambientet e kalasë, llogariten në rreth 1 milion euro. Për vitin e ardhshëm janë planifikuar një sërë ndërhyrjesh në mirëmbajtjen e kalasë. Ndërkohë, po rishikohet edhe mundësia e krijimit të një bilete të përbashkët me Bashkinë e Gjirokastrës, për të shmangur pagesën e një bilete të dytë për vizitorët që duan të hyjnë edhe në Muzeun Kombëtar të Armëve.
Sa i përket turistëve të huaj, këtë vit është vënë re një risi në profilin e vizitorëve: dominimi i shtetasve francezë, të cilët kanë qenë grupi më i madh mes turistëve të huaj që kanë vizituar kalanë. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *AnashAktualitet
