Nga një ide e krijuar gjatë studimeve, te një institucion arsimor që ka nxjerrë mbi një mijë të diplomuar, rrugëtimi i American School of Kosova lidhet ngushtë me historinë personale dhe profesionale të themeluesit të saj, Ardian Hoxha. Në episodin e ri të podcastit “Telegrafi për Biznes”, Hoxha ka folur për themelimin e ASK-së, sfidat e sipërmarrjes, rëndësinë e arsimit dhe parimet që, sipas tij, e kanë udhëhequr për më shumë se dy dekada në biznes.Hoxha e përshkruan American School of Kosova (ASK) si projektin e tij të parë dhe atë që vazhdon ta ketë më afër zemrës, jo vetëm për shkak të lidhjes personale me të, por edhe për rolin që arsimi mund të ketë në zhvillimin e një shoqërie dhe të një shteti. “Kosovës i duhen dy mijë njerëz të shkolluar mirë dhe të suksesshëm që Kosovën me ba si Zvicër. E deri tash diku janë një mijë e pesëqind, një mijë e gjashtëqind të diplomuar. Jam shumë i lumtur me sukseset e të diplomuarve tanë, sepse po udhëheqin kompani, po krijojnë produkte inovative, po punësojnë njerëz dhe po përgatisin kuadro të reja.” tha Hoxha, duke folur për misionin e kësaj shkolle.Një pjesë e rëndësishme e bisedës iu kushtua edhe investimit në arsim. Sipas Hoxhës, përgatitja që një fëmijë merr për jetë ka vlerë më të madhe afatgjatë sesa pasuria materiale.“Dijen, përgatitjen, nuk mundet kurrë me ia marrë dikush.” u shpreh themeluesi i ASK-së.Në podcast, Hoxha ndau edhe këshilla për sipërmarrësit dhe të rinjtë, duke e konsideruar biznesin një profesion që mësohet përmes punës, leximit dhe zhvillimit të vazhdueshëm. Në përballje me krizat, mesazhi i tij ishte i qartë: “Mos u fokuso te problemi, fokusohu te zgjidhja.”Episodi i plotë me Ardian Hoxhën mund të ndiqet në podcastin “Telegrafi për Biznes”.

