Përse shqiptarët historikisht dëgjojnë më shumë atë që bërtet, kërcënon dhe poshtëron, sesa atë që shpjegon, bind dhe respekton? Pse, në vend që të kërkojmë një lider të fortë në karakter, kërkojmë një lider të fortë në dorë? Ndoshta, sepse për shkak të formimit tonë kulturor e politik kemi ngatërruar për shumë kohë forcën me autoritetin. Në Shqipëri shteti ka qenë gjithmonë autoritar, i largët, i padrejtë ose i paaftë, duke injektuar mentalitetin që me të butë nuk merresh vesh. Duhet të bërtasësh, të kesh mik dhe, sidomos të kesh pushtet. Ta trembësh tjetrin para se ai të të trembë ty. Kështu lind miti i “të fortit” që nuk kërkon të respekt, por frikë. Nuk ka synim të bindë, por të urdhërojë. Që sulmon në vend të përgjigjes dhe quan armik atë që e kritikon, sepse nuk e përtyp dot kritikën. LEXO EDHE:Arbër Hitaj: Shteti Bektashian, antidoti më i mirë ndaj radikalizmit! Ndërkohë, me kalimin e kohës, ata që e duartrokasin më vonë do të poshtërohen prej tij. Por pse e pranojnë shqiptarët? Pa dashur të bëj shumë zhbirime në psikosintezën tonë kujtoj një shprehje, e cila thuhej në Vlorë dhe që mendoj se e përmbledh më së miri nënshtrimin tonë përballë arrogancës: “Jemi rrahur që kulishë!” Sepse arroganca krijon një iluzion sigurie. Përballë kaosit, njeriu i pasigurt kërkon dikë që flet me siguri absolute. Nuk ka rëndësi nëse thotë të vërtetën. Mjafton të mos duket i pasigurt. Demokracia, përkundrazi, është e bezdisshme. Ajo kërkon debat, durim, kompromis, institucione, kontroll dhe përgjegjësi. Lideri demokratik duhet të shpjegojë pse. Lideri autoritar mjafton të thotë që ashtu do ai. Dhe shqiptari, i mësuar me këtë trajtim e adhuron këtë. Dhe në vend që të kërkojë dikë që e respekton, mban atë që i duket se mund ta mbrojë, paçka se nesër do t’i marrë edhe dinjitetin. Pastaj ankohet. Ankohet për arrogancën e pushtetit, ndërkohë që ka votuar arrogancën. Ankohet për korrupsionin, ndërkohë që admiron “të fortin” që i ka shkelur rregullat. Ankohet për mungesën e drejtësisë, ndërkohë që ka bindjen se drejtësia është ajo që vendos më i fuqishmi. Arroganca nuk bie nga qielli. Ne e ngjisim atje. Dhe pastaj habitemi pse na sheh nga lart. Nuk mund të ndërtohet qytetari demokratike me psikologjinë e oborrit të mbretit. Në një demokraci normale, qytetari nuk duhet të përkulet përpara pushtetit. Pushteti duhet të përkulet përpara ligjit. Arroganca duhet t’i nënshtrohet tolerancës dhe rregullave demokratike. Por kjo kërkon që shqiptarët të ndryshojnë mënyrën se si e perceptojnë forcën. Forcë nuk është të poshtërosh, por të mos kesh nevojë të poshtërosh askënd. Forcë nuk është të persekutosh e t’i mbyllësh gojën kundërshtarit, por të pranosh kritikën. Forcë nuk është të të kenë frikë, por të mos kërkosh që të tjerët të kenë frikë prej teje. Ndaj dita kur shqiptari do të pushojë së admiruari dorën e fortë dhe do të fillojë të kërkojë institucionin e fortë, do të jetë dita kur do të ndryshojë gjithçka për shqiptarët. SI.E./Shqiptarja.com TAG: Ardi Stefa arroganca shqiptar Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 3.7 / 5 (3 vlerësime) Faleminderit! OPINIONET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
15 Gusht, 13:45
Cili është shkaku i konflikteve në Shqipëri? Politika 57.4% Shoqëria 26.8% Social media 15.8% Vota total: 5287 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 15 Gusht, 13:45 Cili është shkaku i konflikteve në Shqipëri?

