Lajme Zone
Ardi Stefa: Evropa në protestë, revoltë e qytetarëve apo një krizë e demokracisë?
PolitikëReport TV
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Ardi Stefa: Evropa në protestë, revoltë e qytetarëve apo një krizë e demokracisë?

Një protestë mund të organizohet nga një sindikatë, një parti opozitare, një organizatë studentore, një grup fermerësh apo një lëvizje qytetare. Mundet të organizohet edhe nga ndonjë shërbim sekret i vendeve jomiqësore.

Çfarë po ndodh në Evropë? Pse, në të njëjtën periudhë, rrugët e Parisit, Romës, Milanos, Torinos, Madridit, Berlinit, Bonit dhe Tiranës po bëhen skena protestash? Pse, pavarësisht dallimeve në shkaqe, kërkesa dhe aktorë politikë, duket sikur një pakënaqësi e përbashkët po përshkon kontinentin? Dhe mbi të gjitha: “A kemi të bëjmë me protesta të pavarura, që burojnë nga realitete të ndryshme kombëtare, apo ekziston një klimë më e gjerë evropiane apo financiare, që po i ushqen ato?” LEXO edhe...Italia përfshihet nga protestat kundër qeverisë Meloni, qindra mijëra qytetarë në rrugë në mbi 50 qytete! Fermerët hedhin pleh në Torino, në Napoli digjen fotot e kryeministres Pyetja për organizatorët është e rëndësishme, por ndoshta pyetja më e rëndësishme besoj se është se “Çfarë i bën shoqëritë të dalin në rrugë pothuajse njëkohësisht?” Një protestë mund të organizohet nga një sindikatë, një parti opozitare, një organizatë studentore, një grup fermerësh apo një lëvizje qytetare. Mundet të organizohet edhe nga ndonjë shërbim sekret i vendeve jomiqësore. Por askush nuk mund të organizojë nga jashtë pakënaqësinë e miliona njerëzve, nëse nuk ekzistojnë më parë kushtet që e prodhojnë atë. A. Nuk ka domosdoshmërisht një organizator të përbashkët. Ka një pakënaqësi që po bëhet ndërkombëtare. Një vështrim mbi zhvillimet e fundit tregon se protestat kanë disa burime të ndryshme: Në Francë, pakënaqësia lidhet me koston e jetesës, çmimet e karburanteve, kushtet e arsimit dhe pagat. Protestat nisën nga nxënësit e studentët dhe u përkrahën masivisht nga sindikatat dhe “jelekverdhët”! Në Itali, studentët, punëtorët dhe sindikatat kundërshtojnë rritjen e kostos së jetesës, investimet e pamjaftueshme në shërbimet publike dhe shpenzimet ushtarake. Në Spanjë, kriza e strehimit, qiratë e papërballueshme dhe të drejtat e pensionistëve janë në qendër të mobilizimeve. Në Gjermani, lëvizja “Gen Z regelt” ka thirrur protesta në dhjetëra qytete, me kërkesa për arsim, strehim, mbrojtjen e mjedisit dhe kundërshtim të rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Në Shqipëri, protesta ka një dimension të fortë politik, me kërkesa për përgjegjësi qeveritare, kundër korrupsionit dhe për ndryshim politik. Në Belgjikë dhe Portugali, pakënaqësitë për strehimin, pagat dhe shërbimet publike kanë nxjerrë gjithashtu njerëzit në rrugë. Situata mund të dalë jashtë kontrollit edhe në Poloni ku qeveria ka ndërhyrë dhe ka rrethuar me forca policore Gjykatën kushtetuese, duke bërë haptazi një puç institucional. Pra, nuk kemi të njëjtën protestë në çdo vend. Kemi një fenomen me shkaqe kombëtare të ndryshme, por me një sfond të përbashkët: pasigurinë ekonomike, humbjen e besimit te institucionet dhe ndjesinë se politika nuk po u përgjigjet më nevojave të qytetarëve. B. Kush i organizon protestat? Këtu duhet të bëjmë dallimin midis organizimit dhe shkakut. Në Gjermani kemi një organizim të identifikueshëm, “Gen Z regelt”. Në Itali, sindikatat dhe organizatat studentore kanë rol të drejtpërdrejtë. Në Francë, lëvizjet studentore, sindikatat dhe grupet qytetare kanë bashkuar kërkesa të ndryshme. Në Shqipëri, protestat kanë aktorë opozitarë, qytetarë dhe grupe të ndryshme shoqërore. Nuk ka, deri tani, prova të besueshme që një qendër e vetme ndërkombëtare po i organizon të gjitha këto protesta. Por nuk duhet neglizhuar edhe një faktor tjetër, i rëndësishëm: globalizimi i pakënaqësisë. Një i ri në Paris, një student në Romë dhe një protestues në Tiranë mund të mos njihen kurrë me njëri-tjetrin. Por ata mund të ndajnë të njëjtën ndjesi: punojnë ose studiojnë, por nuk shohin perspektivë; dëgjojnë premtime, por nuk shohin ndryshim; votojnë, por nuk ndihen të përfaqësuar. Rrjetet sociale e përshpejtojnë këtë proces. Ato transmetojnë pamjet, parrullat, metodat e organizimit dhe modelet e rezistencës përtej kufijve kombëtarë. Kjo nuk do të thotë se protestat janë produkt i një komande të përbashkët, por se pakënaqësitë lokale po gjejnë një gjuhë të përbashkët. C. Pse qeveritë po reagojnë me masa kufizuese? Kur protestat bëhen masive, qeveritë përballen me dilemën: “Të dëgjojnë kërkesat e qytetarëve apo ta trajtojnë mobilizimin kryesisht si problem sigurie?” Thënë ndryshe: “ Të lënë pushtetin apo të qëndrojnë?” Në Francë janë paralajmëruar kufizime për disa marshime, mobilizim i dhjetëra mijëra efektivëve të policisë dhe xhandarmërisë. Në Itali është shtuar prania e forcave të sigurisë. Në Gjermani autoritetet kanë paralajmëruar për rrezikun e përshkallëzimit të dhunës. Në Shqipëri, më 28 tetor, qeveria miratoi masa të reja që parashikojnë gjoba deri në 500.000 lekë për persona të pranishëm në grumbullime ku ndodhin akte dhune ose grabitjeje, përfshirë edhe persona që mbulojnë identitetin. Masat hynë në fuqi menjëherë, por kërkojnë miratim parlamentar brenda 45 ditëve. Por ka një problem serioz kushtetues. E drejta për tubim paqësor është një e drejtë themelore. Shteti ka detyrimin të mbrojë qytetarët nga dhuna, por edhe të garantojë që qytetarët të mund të protestojnë pa u frikësuar nga ndëshkimi arbitrar. Nëse përgjegjësia për veprimin e dhunshëm të një individi shtrihet automatikisht te të gjithë të pranishmit, atëherë kemi një problem të qartë proporcionaliteti dhe individualizimi të përgjegjësisë. Nuk mund të shpallim automatikisht antikushtetuese çdo masë sigurie pa shqyrtuar tekstin, zbatimin dhe vendimin e gjykatave. Por raportet e organizatave që monitorojnë hapësirën qytetare kanë ngritur shqetësime për përdorim joproporcional të forcës, ndalime protestash dhe kriminalizim të tubimeve paqësore në disa vende evropiane. E keqja është se demokracia mund të përfjë duke përdorur mekanizmat e saj për të kufizuar pikërisht një nga të drejtat që e bëjnë demokraci: “Të drejtën për të kundërshtuar pushtetin.” D. A kanë frikë qeveritë nga dhuna apo nga përhapja e protestës? Natyrisht, asnjë demokraci nuk mund të tolerojë dhunën, shkatërrimin e pronës apo sulmet ndaj institucioneve. Por asnjë demokraci nuk mund ta përdorë dhunën e disa individëve si justifikim për të kufizuar të drejtën e mijëra të tjerëve për të protestuar. Por, kur pushteti nuk arrin të përballojë një kërkesë shoqërore, përpiqet ta zhvendosë debatin nga shkaqet e pakënaqësisë te pasojat e protestës. Kjo është e rrezikshme. Në vend që të diskutohet pse njerëzit protestojnë për pagat, arsimin, korrupsionin, strehimin apo mungesën e perspektivës, debati përqendrohet te molotovi, maskat, gurët, vandalizmi dhe rendi publik. Kështu, protestuesi për pushtetin shndërrohet nga qytetar që kërkon llogari në problem sigurie. Dhe qeveria nga një institucion që duhet të japë llogari, në një autoritet që kërkon bindje. Ky është një mekanizëm që duhet vëzhguar me shumë kujdes, sidomos kur kufizimet ligjore miratohen në kulmin e protestave. E. A po shohim një krizë të demokracisë evropiane? Evropa ka ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore një model politik të mbështetur te demokracia përfaqësuese, shteti i së drejtës dhe mirëqenia sociale. Ky model sot po përballet me disa kontradikta: - Demokracia garanton votën, por jo domosdoshmërisht përfaqësimin real. - Ekonomia prodhon pasuri, por jo domosdoshmërisht siguri për shumicën. - Institucionet flasin për barazi, por qytetarët perceptojnë privilegje dhe pandëshkueshmëri. - Politika premton të ardhmen, ndërsa brezi i ri ndien se po i humbet e tashmja. - Shteti garanton liritë, por në emër të sigurisë mund të thet t'i kufizojë ato. Pra një krizë që nuk është vetëm ekonomike, por edhe besimi, përfaqësimi dhe legjitimiteti. Nuk është rastësi që brezi i ri është në qendër të kësaj vale protestash, duke evidentuar bindjen se institucionet nuk e dëgjojnë. F. Ku ndodhet Shqipëria në këtë hartë? Shqipëria nuk është jashtë këtij fenomeni, por ka specifikat e veta. Në Francë protestohet për koston e jetesës dhe arsimin. Në Spanjë për strehimin. Në Itali për pagat dhe shërbimet publike. Në Gjermani për të ardhmen e brezit të ri. Në Shqipëri këtyre u shtohen korrupsioni, perceptimi i kapjes së institucioneve, mungesa e llogaridhënies dhe kriza e përfaqësimit politik. Por ekziston një dallim i rëndësishëm: në demokracitë me institucione më të konsoliduara, protestat kanë më shumë kanale institucionale për të prodhuar ndryshim. Në Shqipëri, ku besimi te institucionet është më i brishtë, konflikti politik rrezikon të shndërrohet në konflikt për vetë legjitimitetin e pushtetit. Prandaj, Shqipëria duhet ta shohë këtë valë evropiane jo si një mundësi për të importuar parulla, por si një rast për të kuptuar se çfarë ndodh kur shoqëria nuk e njeh më veten në institucionet që e përfaqësojnë. Së fundmi: A po përballemi me një Evropë ku qytetarët po kërkojnë më shumë demokraci, ndërsa qeveritë po kërkojnë më shumë kontroll? Nuk kemi pse të biem në grackën e teorive konspirative për një dorë të padukshme që komandon të gjitha protestat. Por as të mbyllim sytë përballë sinkronizimit të pakënaqësive dhe ngjashmërisë së reagimeve qeveritare. Ndoshta nuk ka një organizator të vetëm të protestave. Ndoshta organizatori më i madh është vetë realiteti social dhe politik. Dhe ky është një fakt shumë më domethënës sesa çdo teori konspirative. Kur njerëzit në vende të ndryshme dalin në rrugë për arsye të ndryshme, por me të njëjtën bindje se nuk dëgjohen, problemi qëndron te modeli i përfaqësimit që po humbet besimin e qytetarëve dhe jo te qeveritë e veçanta. Demokracia nuk rrezikohet vetëm kur digjen ndërtesat apo thyhen xhamat. Rrezikohet edhe kur pushteti fillon ta konsiderojë protestën si kërcënim, kritikën si armiqësi dhe bindjen si kusht të qytetarisë. Një qeveri mund ta ruajë rendin duke zbrazur rrugët me polici. Por nuk mund ta quajë këtë demokraci, nëse, për ta arritur, u mbyll gojën qytetarëve. Xh.K/ReportTv.al protesta Europë Ardi Stefa Komento Komente Sondazhi i ditës: A besoni se TVSH-ja 6 përqind për ushqimet do të reflektohet si duhet në uljen e çmimeve? Po 50.8% Jo 40.5% Nuk e di 8.7% Vota total: 482 Sondazhi i ditës: A besoni se TVSH-ja 6 përqind për ushqimet do të reflektohet si duhet në uljen e çmimeve?