“Koha kur lloj-lloj kriminelësh dhe lloj-lloj mund t’ia merrnin Shqipërisë çfarë të donin, ka ikur. Dhe ai do të marrë zero lekë nga shteti shqiptar. Këtë kam thënë unë”, tha Rama. Nga salla e Kuvendit Kryeministri Edi Rama e bëri edhe një herë të qartë se biznesmeni Francesco Bechettit nuk do t’i jepet asnjë lek nga shteti shqiptar, teksa u shpreh i bindur se vendimi i arbitrazhit do të zhbëhet, pasi italiani po hetohet penalisht së bashku me gjyqtarë të arbitrazhit që vendosën dënimin e Shqipërisë me 110 milionë euro. “Ai sot, që flasim, subjekti në fjalë, së bashku me një apo dy nga arbitrat përkatës, do të përballen me drejtësinë, i dashur. Dhe të jesh i sigurt se, më herët sesa vonë, të gjitha ato lekë që janë mbajtur padrejtësisht të ngrira, duke ia marrë Albcontrol-it, do të kthehen në arkën e shtetit shqiptar”, tha Rama. LEXO EDHE:Ligji i ri për piramidën e pagave/ Rama fton magjistratët në tryezë me ekspertët e KiE: Zgjidhje afatgjatë, nuk duam konflikt Hetimi sipas Kryeministrit është ndërkombëtar por edhe paralelisht nga SPAK në Tiranë. Duke e cilësuar gënjeshtër pretendimin e deputetit demokrat Himçi se kreu i qeverisë ka thënë se nuk respekton vendimin e arbitrazhit, Rama tha se gjithçka do të fitohet përmes rrugëve ligjore. “Jemi në disa procese me subjektin në fjalë. Për subjektin në fjalë ka jo vetëm procese administrative, civile, por edhe proces penal jashtë Republikës së Shqipërisë dhe në Republikën e Shqipërisë. SPAK ka hapur procesin”, tha Rama. Shqipëria u dënua në vitin 2019 të paguajë rreth 110 milionë euro dëmshpërblim ndaj italianit Francesco Becchetti, për çështjen e mbylljes së “Agonset” më 2014. Por qeveria shqiptare e ka kundërshtuar pagesën për shkak se ka siguruar prova që Becchetti kishte kryer manipulime dhe kishte blerë gjyqtarësh për ta fituar çështjen. Fjala e kryeministrit Rama për Becchettin “Ju thatë që unë paskam thënë që nuk e njoh vendimin e arbitrazhit. Unë nuk kam thënë që nuk e njoh vendimin e arbitrazhit. Kam thënë që subjekti që e fitoi atë çështje do të marrë zero lekë nga shteti shqiptar. Dhe, pavarësisht se partia juaj u angazhua fuqimisht që t’u thoshte shqiptarëve se ai ndërkohë mori 100 milionë euro, unë dua t’ju informoj se jo vetëm që, deri në momentin që ne po flasim, ai ka marrë zero lekë nga shteti shqiptar, por ndërkohë, si shumë të tjerë që kapen pas Shqipërisë padrejtësisht, pastaj, për një arsye apo për një tjetër, nuk u shkon mbarë jeta. Ai sot, që flasim, subjekti në fjalë, së bashku me një apo dy nga arbitrat përkatës, do të përballen me drejtësinë, i dashur. Dhe të jesh i sigurt se, më herët sesa vonë, të gjitha ato lekë që janë mbajtur padrejtësisht të ngrira, duke ia marrë Albcontrol-it, do të kthehen në arkën e shtetit shqiptar. Kështu që unë nuk kam thënë që nuk e njoh vendimin e arbitrazhit. Unë kam thënë që koha kur lloj-lloj kriminelësh dhe lloj-lloj mund t’ia merrnin Shqipërisë çfarë të donin, ka ikur. Dhe ai do të marrë zero lekë nga shteti shqiptar. Këtë kam thënë unë. Zero lekë do të marrë nga shteti shqiptar dhe, natyrisht, jo me forcë, por nëpërmjet rrugës ligjore. Ne kemi ndjekur rrugën ligjore. Jemi në disa procese me subjektin në fjalë. Për subjektin në fjalë ka jo vetëm procese administrative, civile, por edhe proces penal jashtë Republikës së Shqipërisë dhe në Republikën e Shqipërisë. SPAK ka hapur procesin. Kështu që, për fatkeqësinë tuaj, që e keni shpërndarë atë lajm shumë intensivisht dhe e riktheni sa herë që afrohet një palë zgjedhje, ai do të marrë zero lekë nga shteti shqiptar dhe të gjitha lekët e mbledhura dhe të mbajtura të ngrira do të kthehen në Shqipëri, më herët sesa vonë. Rendit zhvillimet sipas orarit: Të Fundit Të Parat Ora 02:08 ‘Jurist i panjohur…’/ Rama përplaset me Himçin për arbitrazhin me Becchettin: Vendimi nuk është ekzekutuar, ju të opozitës jeni bërë si ‘zhelet e gabit’ Arbitrazhi me biznesmenin Francesco Becchetti solli një përplasje në Kuvend mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetit të PD-së, Blendi Himçi. Akuzave të deputetit, Rama iu përgjigj duke thënë se e njeh vendimin e arbitrazhit, por qeveria e ka kundërshtuar përmes rrugëve ligjore. Ai këmbënguli se Becchetti nuk ka marrë para nga shteti shqiptar dhe ironizoi opozitën, duke e krahasuar me “zhelet e gabit”, një shprehje që, siç tha Rama, e përdorte ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli.“Zoti kryeministër, ju e dini shumë mirë se vendimet e gjykatave ndërkombëtare të arbitrazhit, ku Shqipëria është aderuese, janë të detyrueshme për t’u zbatuar. Tani më dëgjoni deri në fund, ju dëgjova me shumë vëmendje. Po pse e keni gjithë këtë acarim? Vendimet e gjykatave ndërkombëtare të arbitrazhit as ankimohen dhe as janë thjesht të zbatueshme për atë shtet. Ju si qeveri, pavarësisht se thoni ‘do të marrë zero lekë’, nënkuptoni me këtë shprehje që nuk e njihni atë vendim ndërkombëtar të Gjykatës së Arbitrazhit.Në vazhdën e kësaj mosnjohjeje, po të njëjtën histori po përdorni edhe sot me vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me pagat e punonjësve. Jeni po në të njëjtën vazhdë, po i jepni këtë lloj fryme Parlamentit: që të mos zbatojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë, ajo që ju citova, dhe meqë përdorët ironi nëse jemi juristë të famshëm apo të pafamshëm, ajo që konstatohet është se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i zbatueshëm dhe i detyrueshëm dhe ju jeni të detyruar ta zbatoni. Jua kemi sjellë si Kuvend në qershor dhe ju nuk morët asnjë masë deri më 31 korrik. Pse nuk morët asnjë masë? Pse nuk bëtë përllogaritjen? Po vini tani dhe na sillni artifica për një projektligj, i cili nuk ka as bazë ligjore në lidhje me atë që ka shprehur Gjykata Kushtetuese”, tha Himçi.“E para, nuk thashë ‘juristë të famshëm’, se unë ju personalisht as nuk ju njoh kush jeni. Bile, sot realisht nuk e di fare. Ishim në anën tjetër atje duke parë dhe pyeta: ‘Kush është ky?’, se m’u duk si një deputet i Partisë Demokristiane.Tani, ajo që unë thashë edhe njëherë, se ju ngulni këmbë në të njëjtën gjë dhe me të njëjtën mendësi: unë e njoh vendimin e arbitrazhit dhe pikërisht pse e njoh, e kemi sulmuar në të tjera instanca. Dhe nëse do të ishte siç thoni ju, që unë po them ‘nuk e njoh vendimin e arbitrazhit’, në kaq vite ai vendim do të ishte ekzekutuar dhe paratë e shtetit shqiptar do të ishin marrë.E vërteta është që ai vendim nuk është ekzekutuar, i dashur jurist i panjohur, sepse ne jemi në disa procese, e kemi kontestuar në rrugët që kemi gjetur dhe deri tani subjekti jo vetëm nuk ka marrë asnjë kokërr leku dhe nuk ka për të marrë asnjë kokërr leku, por ka hyrë në një telash shumë të madh me Republikën e Shqipërisë, sepse nga një kundërshtar në arbitrazh është objekt i së drejtës penale, qoftë këtu, qoftë edhe jashtë.Kjo është e vërteta për këtë pjesë dhe paratë e bllokuara të Albcontrol-it janë në një fond të ngrirë dhe do të preken vetëm kur të mbarojë sqarimi i çështjes. Ndërkohë, po ju përsëris që edhe vetë SPAK ka hyrë aktivisht në këtë çështje, pikërisht sepse ne qysh në krye të herës kemi qenë shumë të qartë.Unë ju kam thënë qysh në krye të herës që mos e tallni dhe mos e merrni për budalla popullin shqiptar, duke i treguar se ‘ikën 100 milionë, ikën 450 milionë, ikën 45 milionë, ikën 70 milionë’, sepse, po qe puna për llogari, siç i bën ky popull, nuk i bën njeri. Prandaj aq mirë e llogarit edhe sa vleni ju, sa në çdo zgjedhje jua ul çmimin dhe jua ka bërë si rroba të gabit. Kështu jeni bërë ju në politikën shqiptare: rroba të gabit ose, siç thoshte fort e nderuara Jozefinë, ‘zhele të gabit’”, tha Rama. SI.E./Shqiptarja.com Share Ora 00:38 Rama ironizon opozitën: Të jesh në qeveri dhe të protestojnë kundër teje quhet demokraci, të të përzënë nga protesta quhet “amanet mushkat, se kuajt ikën” Kryeministri Edi Rama ironizoi opozitën në Kuvend, duke iu drejtuar deputetes Jorida Tabaku, e cila nuk ishte e pranishme në sallë. Duke iu referuar protestave, Rama tha se është demokratike të protestohet kundër qeverisë.“Do të doja që dikush t’ia përcillte fjalën time Tabakut, meqë nuk është, sepse foli me pasion për protestën, dhe t’i thotë që të jesh në qeveri dhe të protestojnë kundër teje quhet demokraci, kurse të jesh në opozitë dhe të të përzënë nga protesta quhet ‘amanet mushkat, se kuajt ikën", tha Rama. SI.E./Shqiptarja.com Share Ora 23:50 Rama i kthehet Bardhit: Sa më shumë t’i merrni shqiptarët për budallenj, aq më shumë do ta merrni ballit në zgjedhje! Kryeministri Edi Rama dhe kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi u përplasën në Kuvend për arbitrazhin me Francesco Becchettin. Bardhi kundërshtoi deklaratën e Ramës se biznesmeni nuk ka marrë para nga shteti shqiptar dhe i kërkoi llogari edhe për pagat e magjistratëve. Rama këmbënguli se Becchetti ka marrë zero lekë nga shteti dhe iu përgjigj Bardhit me ironi, duke thënë se opozita do ta marrë “ballit” nga shqiptarët në zgjedhje.Gazment Bardhi: Mendova që edhe sot do ishe thjesht kryeministër karton, por mirë që e more tre minuta fjalën që të justifikosh që nuk të ka kthyer Taulanti thjesht në karton që vjen në Kuvend sa herë i duhet vota këtyre. Së dyti, subjekti në fjalë ka zero interes për ne si opozitë. Ajo që ti këtu deklaron përpara shqiptarëve dhe Kuvendit ka shumë rëndësi. Fillimisht the që s’ka vendim arbitrazhi. Doli që kishte vendim arbitrazhi. Fillimisht the që subjekti në fjalë ka marrë zero lekë nga buxheti i shtetit. Pas 30 sekondash, ‘ato që i ka marrë nga Albcontrol-i’, a thua se ato nuk janë të shqiptarëve dhe të buxhetit të shtetit, ‘do t’i kthejë kokërr më kokërr’. Pra, do të thotë që kthehet një gjë që është marrë, se në qoftë se nuk është marrë, nuk ka çfarë kthen.Por do bëje mirë që t’i përgjigjeshe akuzës së kolegut, jo për këtë çështje, se këtë çështje ke 10 vjet që na thua ‘do t’i ndodhë një gjë atij, se ai po hetohet’. E kemi dëgjuar këtë përrallë dhjetëra herë këtu në seancë plenare. Sot mendova që do merrje fjalën dhe do na shpjegoje pse po shkel vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pse ke futur në kolaps sistemin e drejtësisë. Mendova se do na shpjegoje pse i ke dhënë Roni Yeffet 34 milionë euro dhe thua ‘nuk kam lekë për t’i paguar pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve’. Mendova se kishe ardhur të shpjegoje këtë.Po për t’u marrë me subjektin në fjalë, ke nja 14 vite deri tani. S’ia ke dalë, për fatin e keq të Shqipërisë, se ato lekë nuk janë të tuat, edhe pse veprimet janë të papërgjegjshme, të tuat personale dhe të rrethit tënd të ngushtë, siç thotë vendimi i arbitrazhit. Por ato lekë janë të shqiptarëve dhe unë ndiej keqardhje që ai zotëria, për papërgjegjshmëri të qeverisë që ti drejton, i merr paratë qytetarëve të varfër shqiptarë, në vend që t’i çojmë për rritje pensionesh e për rritje rrogash për qytetarët shqiptarë e për ndihmë më të lartë ekonomike për familjet e varfra dhe që s’kanë bukë të hanë çdo ditë.Por se çfarë marrëdhënie ke ti me të, herë miqësi, herë pastaj ta prishi, herë do ta fusësh në burg, herë e kërkon drejtësia, për momentin ai ka marrë lekët e shqiptarëve për shkak të papërgjegjshmërisë tënde, e përsëris, i ka futur në xhep. Do kthehen? S’dimë a do kthehen apo jo, se nga ‘s’ka marrë’ te ‘do kthehen’ është një hapësirë shumë e madhe. Por, meqë ke ardhur në seancë, përgjigju pse shkel në mënyrë të vazhdueshme vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë? Për këtë do duhet t’i jepni llogari Parlamentit.Edi Rama: Winston Churchill thoshte se hajvani është dikush që jo vetëm nuk ndryshon mendje, por nuk ndryshon as argument. Ndërkohë që unë jam këtu prezent me zërin tim, e dëgjuan të gjithë, unë thashë që ai ka marrë dhe ka për të marrë zero lekë. Nuk thashë, sepse nuk ka ndodhur, se po të ndodhte kjo do ishte në librat e llogarive të shtetit shqiptar, që ai ka marrë dhe do t’ia marrim mbrapsht. Unë thashë që ai ka marrë zero lekë. Fondi është një fond i ngrirë deri në fund të procesit.Pikërisht sepse, ndryshe nga çfarë mendoi ai që u kthye në heroin e këtyre këtu, që nuk lënë pleh pa e kthyer në hero për të sulmuar me çdo kusht dhe me çdo çmim, edhe me çmimin e përbaltjes së Shqipërisë, palën tonë. Ndërkohë që sot, pikërisht pse çështja e arbitrazhit nuk u mbyll ashtu sikundër ëndërronte ai subjekt, ne jemi në disa procese dhe zero lekë ka marrë, zero lekë do të merren. Kjo është e vërteta.Për sa u përket pastaj 34 milionëve e 450 milionëve, e 70 milionëve, e 80 milionëve, kjo është një përpjekje shumë e vjetër që ka po të njëjtin rezultat: rrokanisje pa fund kokës së shqiptarëve dhe, në fund, ballit nga shqiptarët sa vijnë zgjedhjet. Dhe përsëri shqiptarët ballit, sa vijnë zgjedhjet, do t’ju japin për të gjitha këto që bëni. Sepse sa më shumë t’i merrni për budallenj, aq më shumë do ta merrni ballit nga shqiptarët në çdo palë zgjedhje. Kjo është e vërteta.Për sa i përket pastaj çështjes në fjalë, unë do flas, patjetër që do flas, dhe do flas kur dëshiroj unë, jo kur vendosni ju. Po do flas, këtu jam për të folur. Po dëgjoj njëherë të gjitha mendjet e ndritura të mendimit juridik të Parlamentit dhe pastaj do them dhe unë ato që mendoj si një piktor i rëndomtë. SI.E./Shqiptarja.com Share SI.E./Shqiptarja.com TAG: Kuvend 17 shtator 2026 edi rama Albcontrol Francesco Becchetti Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 3.4 / 5 (7 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
16 Shtator, 14:18
Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni? Të drejtë 5.9% Të gabuar 89.4% Nuk e di 4.7% Vota total: 3236 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 16 Shtator, 14:18 Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni?
