Arabia Saudite ka pezulluar përkohësisht funksionimin e tubacionit strategjik Lindje-Perëndim, një nga rrugët kryesore që i mundëson vendit të transportojë naftë bruto drejt Detit të Kuq pa kaluar përmes Ngushticës së Hormuzit. Vendimi vjen pas disa sulmeve ndaj objekteve të tubacionit në rajonet e Riadit dhe Medinës, duke shtuar pasigurinë mbi flukset e naftës në Lindjen e Mesme. Sipas autoriteteve saudite, pezullimi është marrë si masë parandaluese për të garantuar sigurinë e infrastrukturës. Deri tani nuk është bërë e ditur se kur tubacioni do të rikthehet në funksion. Sipas Ministrisë Saudite të Energjisë, të dhënat e së cilës u transmetuan nga agjencia shtetërore SPA, sulmet shkaktuan edhe të plagosur, ndërsa ekipet teknike po kontrollojnë objektet për të vlerësuar dëmet dhe sigurinë e tyre. Autoritetet saudite kanë deklaruar gjithashtu se dronët e përdorur në sulme ishin nisur nga Iraku. Tubacioni Lindje-Perëndim ka një kapacitet prej rreth 7 milionë fuçi naftë në ditë dhe shtrihet nga zonat prodhuese në lindje të Arabisë Saudite deri në Yanbu, në bregdetin e Detit të Kuq. Rëndësia e tij është veçanërisht e madhe në kushtet e vështirësive të transportit përmes Ngushticës së Hormuzit. Nëpërmjet këtij korridori tokësor, nafta mund të dërgohet në Yanbu dhe më pas të ngarkohet në cisterna në Detin e Kuq, duke shmangur kalimin përmes Gjirit Persik dhe Hormuzit. Sipas të dhënave të raportuara nga Associated Press, në fillim të qershorit eksportet përmes Yanbu kishin kaluar 5 milionë fuçi në ditë, duke e kthyer terminalin në një pikë kyçe për eksportet saudite. Goditje për tregun e cisternave Pezullimi i tubacionit rrezikon të ndikojë drejtpërdrejt edhe në tregun e transportit detar. Sa më gjatë të zgjasë ndërprerja, aq më e madhe është mundësia që të reduktohen ngarkesat e naftës që nisen nga Yanbu dhe të ndryshojnë flukset tregtare. Nëse nafta do të rikthehej në terminalet e eksportit në Gjirin Persik, ajo do të përballej sërish me problemin kryesor të sigurisë: Ngushticën e Hormuzit.
Situata komplikohet më tej nga zhvillimet në Bab el-Mandeb, ku prania dhe aktiviteti i Huthëve kanë shtuar pasigurinë për lundrimin në një tjetër korridor strategjik detar.
Për tregun ndërkombëtar të naftës dhe të cisternave, faktori kryesor tashmë është kohëzgjatja e pezullimit. Një rikthim i shpejtë i tubacionit në funksion do të kufizonte ndikimin, ndërsa një ndërprerje e zgjatur mund të shkaktonte ndryshime të reja në rrugët e transportit dhe në kërkesën për kapacitete detare.
Kështu, Arabia Saudite përballet njëkohësisht me pasiguri në Hormuz, rreziqe në Bab el-Mandab dhe ndërprerjen e përkohshme të tubacionit që deri tani shërbente si një rrugë alternative për eksportet e naftës. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Arabia Saudite

