Antimafia italiane ka goditur organizatën kriminale të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, e dyshuar për trafik ndërkombëtar të kokainës dhe pastrim parash në Itali, Holandë, Gjermani dhe Shqipëri. Sipas hetimeve, grupi dyshohet se ka trafikuar rreth 240 kilogramë kokainë, ndërsa të ardhurat nga aktiviteti kriminal kapnin vlerën e mbi 14 milionë eurove. Organizata kishte krijuar një rrjet financiar për të fshehur paratë përmes investimeve në pasuri të paluajtshme dhe blerjes së shufrave të arit.
Në kuadër të operacionit “Caveau 38”, autoritetet italiane sekuestruan dy kompani në Lecco dhe një kompani të përfshirë në tregtinë e metaleve të çmuara. Sipas hetuesve, njëra prej tyre shërbente si kasafortë financiare për të investuar paratë e dyshuara nga trafiku i drogës në prona të paluajtshme, ndërsa përmes një kompanie tjetër dyshohet se ishin blerë afro 8 kilogramë shufra ari, me qëllim transferimin e pasurisë në kanale të ligjshme.
Në total, 52 persona dhe dy kompani janë marrë nën hetim për veprimtari të dyshuara kriminale gjatë periudhës 2019–2022. Gjatë operacionit janë sekuestruar mbi 1.5 milionë euro cash dhe rreth 32 kilogramë lëndë narkotike, përfshirë kokainë, heroinë dhe marihuanë. Gjithashtu, gjashtë persona janë arrestuar në flagrancë.

