Rama & Baba Mondi & Erdogan Forumi i mbajtur nën kujdesin e një strukture të Ministrisë turke të Kulturës kundërshton projektin e shpallur nga Edi Rama dhe godet drejtpërdrejt Baba Mondin. Hacıbektaş shpallet qendra e pandryshueshme shpirtërore, ndërsa projekti në Tiranë cilësohet i pavlefshëm sipas rregullave të tyre fetare Projekti i Edi Ramës për krijimin e një shteti sovran bektashi brenda Tiranës po përballet me një kundërshtim të fortë nga Turqia, këtë herë jo vetëm ndaj idesë së një “Vatikani Bektashi”, por edhe ndaj vetë statusit të Baba Mondit, si udhëheqës botëror i bektashinjve.
Në një deklaratë të publikuar pas forumit “Bektashizmi në Anadoll dhe Ballkan nga e kaluara në të tashmen”, të zhvilluar në Hacıbektaş të Nevşehirit, drejtues dhe përfaqësues të traditës alevi-bektashiane kundërshtuan hapur projektin që prej vitit 2024 promovohet nga Tirana.
Forumi u zhvillua nën kujdesin e Presidencës së Kulturës Alevi-Bektashi dhe Cemeve, strukturë që funksionon nën Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit të Turqisë. Pikërisht ky element i jep reagimit një peshë që shkon përtej një deklarate individuale të një kleriku.
Në deklaratën përfundimtare hidhet poshtë ideja se bektashizmi mund të shndërrohet në një projekt shtetëror apo politik. Sipas firmëtarëve, autoriteti shpirtëror nuk mund të krijohet përmes shpalljes së sovranitetit, dhënies së territorit apo prodhimit të pasaportave.
Por goditja më e drejtpërdrejtë është ndaj Baba Mondit.
Deklarata kundërshton pretendimin e Edmond Brahimajt për të qenë udhëheqës global i bektashinjve dhe argumenton se ai nuk disponon as autorizimin e nivelit të “Halifebabasë”, çka sipas tyre e bën pozicionin e tij të papajtueshëm me hierarkinë tradicionale. Për këtë arsye, ata e konsiderojnë pretendimin e tij për udhëheqje botërore “të pavlefshëm” sipas rregullave të tyre fetare.
"Bektashizmi nuk është shtet, lëvizje politike apo projekt kombëtar-politik. Autoriteti shpirtëror i një rruge besimi nuk mund të vendoset ose ndryshohet nëpërmjet shpalljes së sovranitetit politik, ndarjes së tokës apo lëshimit të pasaportave. Çdo formacion në Shqipëri apo kudo tjetër në botë që shpërfill këtë rregull është tërësisht i pavlefshëm sipas ligjit bektashian. Prandaj, Edmond Brahimaj, i njohur si 'Baba Mondi' në Shqipëri, duke e shpallur veten udhëheqës global, është në kundërshtim me strukturën hierarkike të besimit tonë dhe konsiderohet i pavlefshëm sipas parimeve tona, pasi atij as nuk i është dhënë titulli Kalifi-Baba. Për këtë arsye, ne e hedhim poshtë kategorikisht pretendimin se ky entitet politik përfaqëson tërësinë e bektashizmit", thuhet në deklaratë
Kjo e zhvendos debatin në një terren shumë më të ndërlikuar për projektin e Tiranës. Deri tani diskutimi ishte përqendruar kryesisht te pyetjet kushtetuese dhe politike që ngre krijimi i një entiteti sovran brenda territorit shqiptar. Tashmë përplasja prek edhe pyetjen themelore se kush e përfaqëson bektashizmin në nivel botëror dhe kush ka autoritetin fetar për të ngritur një projekt në emër të tij.
Deklarata nga Hacıbektaş shkon edhe më tej. Ajo përcakton “Pir Evi” në Hacıbektaş si qendrën historike dhe shpirtërore të bektashizmit dhe këmbëngul se kjo qendër nuk mund të zhvendoset në një vend tjetër përmes vendimeve politike apo diplomatike. Përfaqësuesit u bëjnë thirrje bektashinjve në mbarë botën, përfshirë ata në Shqipëri, që të ruajnë unitetin.
Pra, përplasja nuk është më vetëm “a duhet të krijohet një shtet bektashi?”, por edhe “ku është qendra botërore e bektashizmit?”. Tirana është prej dekadash selia e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, ndërsa deklarata e fundit nga Turqia pretendon se qendra shpirtërore e pandryshueshme është Hacıbektaş.
Përplasja nuk ka lindur tani. Kur projekti i Ramës u bë publik në shtator 2024, përfaqësues të bektashinjve në Turqi reaguan menjëherë. Në një deklaratë të asaj kohe, të bërë me udhëzim të Ali Haydar Ercan Dedebaba, pretendohej se Baba Mondi nuk ishte pjesë e sistemit të tyre të “dedebabasë” dhe për këtë arsye as pretendimi i tij për udhëheqjen botërore dhe as projekti për shtetin bektashi nuk njiheshin prej tyre.
Dy vjet më vonë, kundërshtimi jo vetëm që nuk është zbehur, por është përsëritur në një forum të zhvilluar nën kujdesin e një institucioni shtetëror turk.
Kjo ndodh pikërisht kur projekti në Shqipëri është rikthyer në vëmendje. Në gusht, media franceze “Intelligence Online” raportoi se përgatitjet për mikro-shtetin po hynin në një fazë të re dhe se po punohej për strukturat e ardhshme institucionale dhe përfaqësimin jashtë Shqipërisë.
Projekti u shpall fillimisht nga Edi Rama në shtator 2024. Ideja parashikon krijimin në territorin ku ndodhet Kryegjyshata Botërore në Tiranë të një entiteti sovran prej rreth 11 hektarësh, të konceptuar sipas një modeli të ngjashëm me Vatikanin. Baba Mondi e ka mbështetur publikisht nismën dhe është parashikuar si drejtuesi i entitetit të ri. /Pamfletirama erdogan shteti bektashi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike Rama mesazh BE për Serbinë: Mbajeni në tryezë dhe thuajini se s’mund të bëjë funeral shtetëror për një kasap 5 Shtator 2026, 14:3314:33Politike Zgjerimi i BE, Rama: “7 fëmijët e Ursulës” të ulen në tryezë 5 Shtator 2026, 14:0714:07Politike “Je jashtë ligjësisë politike”, Shehi-Berishës: Si do rrëzosh Ramën kur ke probleme me SPAK? 5 Shtator 2026, 14:0514:05Politike “Po më merr Putini në telefon”, Rama batuta në Itali dhe mesazh BE-së për integrimin e Shqipërisë 5 Shtator 2026, 13:4513:45Politike Nënë Tereza, arsyet politike që bashkuan Enver Hoxhën dhe islamin radikal kundër saj 5 Shtator 2026, 12:3512:35Politike Rama paralajmëron Evropën: Titaniku po shkon drejt ajsbergut 5 Shtator 2026, 12:2212:22Politike

