Sot ishte dita e fundit e Keir Starmer si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar dhe dita e parë për Andy Burnham, ish-kryebashkiak i Mançesterit dhe, që nga e premtja, lideri i ri i Partisë Laburiste britanike, pasi mori mbështetjen e 95 për qind të deputetëve të partisë së tij. Në orën 12:00 (me orën tonë), Starmer mbajti fjalimin e tij të fundit përpara numrit 10 në Downing Street, duke e nisur me një “Faleminderit”. Më pas shtoi: “Puna ime ka përfunduar, ndryshimet që kemi sjellë u përkasin të gjithëve. Largohem me një buzëqeshje, krenar për gjithçka që kemi arritur.” Duke folur për Burnham, të cilit po i dorëzon detyrën, ai tha: “I uroj Burnham-it çdo të mirë të mundshme.” Në fjalimin e tij, Starmer deklaroi: “Për gjashtë vjet e gjysmë e ngrita Partinë Laburiste pas humbjes historike të vitit 2019, e transformova duke e bërë të gatshme të udhëhiqte vendin dhe arrita një fitore dërrmuese në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2024.” Kryeministrit në largim i njihet merita se riktheu laburistët në pushtet pas 14 vitesh qeverisjeje konservatore. LEXO EDHE:Sfidon qeverinë britanike për deportimin, shqiptari Dorian Puka vijon të reklamojë jetën e ‘shfrenuar’! VIDEO duke ‘ushqyer’ qentë me kartëmonedha paund Starmer shfrytëzoi rastin edhe për të theksuar rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes për Ukrainën. “Është jetike të kujtojmë madhështinë e Britanisë së Madhe kudo. Ndërsa mendojmë si të zgjidhim problemet tona, ka diçka edhe më të rëndësishme që na jep besim: fakti se mund ta ndryshojmë vendin tonë për më mirë. Mund të bëjmë që në Britaninë e Madhe çdo i ri të ketë mundësi të përparojë dhe mund të mbajmë së bashku njerëz të ndryshëm nën flamurin tonë, nëse nuk i dorëzohemi përçarjeve.” Në fund ai falënderoi bashkëshorten e tij, Victoria, familjen, ekipin dhe gjithë partinë. “Politika do të jetë gjithmonë një sport ekipor. Falënderoj popullin britanik për mundësinë që më dha ta shërbej”, përfi ai, duke e quajtur këtë mundësi “nderin më të madh të jetës sime”. Pas fjalimit, Starmer u drejtua në Pallatin Buckingham për t’i paraqitur dorëheqjen Mbretit Charles III, i cili e pranoi atë. Tani është radha e Burnham, i cili u takua me sovranin përpara se të mbajë fjalimin e marrjes së detyrës. Ceremonia, e njohur tradicionalisht si “puthja e dorës” së monarkut, prej kohësh nuk e përfshin më këtë gjest simbolik. Për Mbretin Charles III, 77 vjeç, ky është betimi i katërt i një kryeministri në vetëm katër vite mbretërim. Në fjalimin e tij, kryeministri i ri – i shtati në 10 vjet – synon të konfirmojë angazhimin për t’i rikthyer Mbretërisë së Bashkuar “shpresën”, duke vënë njëkohësisht theksin te “uniteti dhe stabiliteti”. Ndër përparësitë e tij është lehtësimi i vështirësive të shumë britanikëve që përballen me koston e lartë të jetesës, si edhe miratimi i masave që do të sjellin rezultate “të prekshme” në një kohë të shkurtër për qytetarët e zakonshëm. Po ashtu, ai pritet të premtojë, si shumë prej paraardhësve të tij të fundit, rikthimin e “besimit në politikë” në Mbretërinë e Bashkuar, duke pranuar njëkohësisht se është “plotësisht i vetëdijshëm” se është kryeministri i shtatë në vetëm 10 vjet në një vend ku stabiliteti qeverisës i dikurshëm duket tashmë një kujtim i largët, veçanërisht pas Brexit. Ndërkohë, paundi britanik ka shënuar tashmë rritje ndaj valutave kryesore dhe vëmendja është përqendruar te përbërja e qeverisë së re, e cila do të shpallet pasdite, veçanërisht te emërimi i Kancelarit të ri të Thesarit. Gjatë pasdites do të bëhet publike edhe lista e ministrave të qeverisë së re./CorrieredellaSera U.D/Shqiptarja.com TAG: Andrew Burnham Britani e Madhe angli Keir Starmer Komento Komente Sondazhi i ditës:
20 Korrik, 07:09
Territorialja, si e vlerësoni propozimin e PS për më pak bashki dhe ndarje në rajone? I drejtë 66.8% I gabuar 24.9% Nuk e di 8.3% Vota total: 883 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 20 Korrik, 07:09 Territorialja, si e vlerësoni propozimin e PS për më pak bashki dhe ndarje në rajone?

