Lajme Zone
Andis Salla rrezikon shëndetin e shqiptarëve me mishin brazilian që BE refuzon
PolitikëJOQ Albania

Andis Salla rrezikon shëndetin e shqiptarëve me mishin brazilian që BE refuzon

Shqiptarët do vijojnë të dënden me mish të pakontrolluar nga Brazili edhe pas datës 3 shtator 2026, megjithëse Bashkimi Europian ka vendosur që pas kësaj date të ndalojë eksportin e mishit nga vendi i Amerikës së Jugut, me argumentimin se dëmton shëndetin publik. Por, për ministrin tonë të Bujqësisë, Andis Salla, një vendim i tillë nuk është fare problem, aq sa vazhdon i qetë dhe të mos nxjerrë asnjë urdhër apo rregullore se si do të vijojë të mbërrijë në Shqipëri një mish i tillë.

Shqiptarët do vijojnë të dënden me mish të pakontrolluar nga Brazili edhe pas datës 3 shtator 2026, megjithëse Bashkimi Europian ka vendosur që pas kësaj date të ndalojë eksportin e mishit nga vendi i Amerikës së Jugut, me argumentimin se dëmton shëndetin publik. Por, për ministrin tonë të Bujqësisë, Andis Salla, një vendim i tillë nuk është fare problem, aq sa vazhdon i qetë dhe të mos nxjerrë asnjë urdhër apo rregullore se si do të vijojë të mbërrijë në Shqipëri një mish i tillë.

Natyrisht, lobimet e grupeve të interesit duket se janë më të rëndësishme sesa shëndeti i popullatës, aq më tepër pas një vendimi tepër të rëndësishëm të Bashkimit Europian, që shkruan se “brazilianët përdorin pa kriter antibiotikë në blegtori”. Në këtë rast, ministri Salla vetëm sa duhet të “noterizonte” vendimin e BE-së dhe jo t’a injorojë, siç ka bërë deri më tani, duke qenë se afati kohor është tepër i ngushtë, teksa na ka ngelur edhe 1 muaj për të vendosur se çfarë do të bëjmë me këto produkte.

Dhe nëse nuk vepron, siç ka shumë gjasa të ndodhë, i gjithë tregu dhe popullata do të jetë në një situatë aspak normale, me konsumatorin që do të ndjejë rrezikun e një produkti jo të përshtatshëm dhe nga bizneset do të fillojnë fushata se “mishi është i shëndetshëm”. Rregullatori në këtë rast është vetëm firma e ministrit Salla, i cili duket se është para dy zgjedhjeve tepër të rëndësishme, të cilat me shume gjasa do të shënojnë edhe vijimin e karrierës së tij në politikë. Ndërkohë që certifikatat veterinare për mishin e derrit vazhdojnë të jenë të ngrira që në vitin 2006. Ministria e Bujqësisë duhet të vendosë tani nëse do të përafrohet me kërkesat e reja të Bashkimit Evropian, apo do të lejojë vazhdimin e importit në një zonë gri ligjore, në kurriz të konsumatorit?!

Urdhri i 20 viteve më parë!

Sipas informacioneve në themel të këtij absurdi burokratik fshihet urdhri i famshëm i ministrit me numër 294, i datës 13 qershor 2006, ‘mbi importin e mishit nga Republika Federative e Brazilit’. Ky akt relikvë, i miratuar njëzet vjet më parë nën petkun e një marrëveshjeje dypalëshe mes autoriteteve veterinare shqiptare dhe atyre braziliane, ka shërbyer si tapeti i kuq për hyrjen e pakontrolluar të mishit të gjedhit, të derrit dhe të shpendëve nga vendi i Amerikës së Jugut.

Në atë kohë, “bileta e hyrjes” për këtë mall mbështetej te një kusht i vetëm: nëse një thertore apo fabrikë braziliane ishte e certifikuar zyrtarisht për të eksportuar drejt BE-së, ajo fitonte automatikisht të drejtën të vërshonte edhe në tregun tonë të pambrojtur.

Por, ironia e fatit do që ky mekanizëm të shkërmoqet pikërisht nga fqinjët tanë evropianë. Me rregulloren e re zbatuese të BE-së, 2026/1189, që përditëson atë të vitit 2021, Komisioni Evropian ka lëshuar verdiktin e prerë se, “duke nisur nga 3 shtatori 2026, Brazili nuk do të jetë më i listuar si vend i autorizuar për eksportin e mishit të gjedhit dhe të shpendëve drejt BE-së”. Shkak për këtë bllokim është bërë mungesa alarmante e garancive për kufizimin e produkteve antimikrobiale, duke e kthyer përdorimin e shfrenuar të antibiotikëve në blegtori në një rrezik global për shëndetin e publikut.

Për Shqipërinë, kjo përkthehet në një goditje fatale: meqenëse asnjë stabiliment brazilian nuk do të ketë më vulën e miratimit evropian, kushti i vendosur nga Urdhri i vitit 2006 katandiset në një letër të vdekur dhe praktikisht të pazbatueshëm. Me fjalë të tjera, shteti ynë do të vazhdojë të kërkojë me ligj diçka që në realitet nuk ekziston më.

Alarmi i AKU-së

Në këtë skenë ku institucionet duket se bëjnë sikur flenë gjumë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka zgjedhur të lëvizë, duke i drejtuar Ministrisë së Bujqësisë shkresën zyrtare me numër 4095, më 24 korrik 2026. Përmes këtij alarmi, AKU kërkon me insistim marrjen e masave të menjëhershme dhe nxjerrjen e një urdhri të ri ministror që të përcaktojë fatin e procedurave të importit në pikat kufitare pas datës 3 shtator. Sipas informacioneve AKU e mbështet kërkesën e saj në nenin 47 të ligjit me numër 9863, të datës 28 janar 2008, “për ushqimin”, i cili i jep ministrit përgjegjës kompetencën të urdhërojë ndalimin e përkohshëm të importit nga një vend i caktuar, kur ushqimi paraqet rrezik serioz për shëndetin e njerëzve ose kur kërkohen masa për garantimin e sigurisë ushqimore.

Fakti që një kërkesë e tillë vjen vetëm rreth 40 ditë para hyrjes në fuqi të ndryshimit evropian, sugjeron një dritare kohore tejet të ngushtë për vendimmarrje administrative, e cila normalisht kërkon kohë për konsultime ndërinstitucionale dhe njoftim diplomatik. Tashmë ministri Salla është para një zgjedhjeje fatale: të rreshtohet krah konsumatorit apo të bëhet palë me grupet e interesit, duke lejuar që mishi i dyshimtë të mbushë tryezat e shqiptarëve?!