Lajme Zone
Analiza/ Endi Tufa: Sonte nuk luajnë vetëm 11-të, sonte luajmë të gjithë
SportTop Channel

Analiza/ Endi Tufa: Sonte nuk luajnë vetëm 11-të, sonte luajmë të gjithë

Nga Endi Tufa

Nga Endi Tufa 15 mijë bileta të shitura deri më tani. “Air Albania” është gati, ora 20:45. Shqipëri–Bjellorusi nuk është thjesht ndeshja e parë zyrtare e Rolando Maran. Është starti i një epoke të re. Fundi i një cikli dhe fillimi i një tjetri. Sepse Shqipëria që na çoi në Europian për herë të dytë dhe më pas deri në play-off-in e Botërorit, nuk është më e njëjta.

Katër vite kanë bërë të vetën. Disa nga protagonistët e atij suksesi janë më të mëdhenj, disa nuk luajnë rregullisht, disa nuk janë më në klubet e niveleve të larta të Europës dhe disa të tjerë kërkojnë ende veten. Broja mungon, Bajrami nuk është ai i dikurshmi. Emra që dje ishin garanci, sot janë në një betejë për t’u rikthyer te versioni i tyre më i mirë dhe për t’u rikthyer në Kombëtare.

Dhe kjo është Shqipëria e sotme.

Një ekip në tranzicion, një kryqëzim brezash. Përvoja përballë energjisë së të rinjve. Ata që e dinë çfarë do të thotë të luash me fanellën kuqezi dhe ata që tani kanë mundësinë të shkruajnë historinë e tyre, në krye, Rolando Maran.

Ndoshta jo emri që do të kishte ndezur imagjinatën e të gjithëve. Ndoshta një trajner që është paragjykuar pikërisht sepse nuk vjen me një CV spektakolare, por futbolli nuk luhet me emra, luhet me ide, me karakter, me grup. Dhe këtu Shqipëria ka pasur gjithmonë diçka që nuk blihet dhe nuk stërvitet: zemrën.

Sepse forca e kësaj Kombëtareje nuk ka qenë kurrë vetëm një lojtar, as një trajner, ka qenë grupi dhe mbi të gjitha, tifozeria. Ajo që e ka kthyer stadiumin kombëtar në ferr për kundërshtarët. Ajo që e ka bërë çdo gol kuqezi një shpërthim emocionesh. Ajo që e ka kthyer çdo fitore në një festë kombëtare. Sonte, lojtari i 12-të zbret sërish në fushë, me zë, me flamuj, me zemër, sepse objektivi është i qartë: vendi i parë në grup dhe rikthimi në Ligën B.

Por kjo ndeshje është më shumë se kaq, është për djemtë që na kanë bërë krenarë, për ata që po vijnë, për një brez që duhet të gjejë identitetin e vet. Për Maranin, që tani ka përpara një sfidë të madhe: të ndërtojë Shqipërinë e radhës, jo atë të Sylvinhos, të renë, të tijën, tonën.

“Air Albania” është gati, më shumë se 15 mijë zëra janë gati dhe kur të dalin 11 kuqezinj në fushë, nuk do të jenë vetëm sepse sonte nuk luan vetëm Kombëtarja.

SONTE LUAJMË TË GJITHË.

Forca çuna! Top Channel