Ndryshimi i hartës territoriale dhe konsolidimi i bashkive nuk do të shkaktonte një tërmet elektoral. Nga një analizë shifrash, bazuar në zgjedhjet vendore të vitit 2023, rezulton se socialistët do të forconin epërsinë në territorin që aktualisht qeverisin, por nga 14 bashki tashmë do të drejtonin 11 të tilla më të mëdha. Ndërkohë që demokratët do të rrisnin pozitat në bashkinë e re të Pukës që bashkohet me Fushë-Arrëzit dhe do mbanin sërish Kavajën, të cilës i shtohet Rrogozhina. *** LEXO edhe...Opozita akuza ndaj PS për ‘Territorialen’! Berisha: Rama antishqiptar, synon zbrazjen e Shqipërisë! Blushi: Duhet referendum Plani i Partisë Socialiste për ndryshime në hartën territoriale ka ngjallur pakënaqësi jo vetëm tek komunitetet të cilat preken drejtpërdrejtë duke u shkrirë bashkitë aktuale, por edhe te opozita e cila pretendon se gjithçka bëhet për efekt elektoral. Demokratët kanë akuzuar se harta ka qëllime tërësisht politike, pasi sipas tyre do të avantazhonte ndjeshëm socialistët në zgjedhjet vendore të 2027-ës. Me ndryshimet e reja janë 28 bashki të cilat preken drejtpërdrejtë, 15 prej të cilave shkrihen dhe konsolidohen në 13 bashki të reja e më të mëdha. Por si do ta ndryshonte kjo hartë balancën e pushtetit lokal? Për të parë efektin elektoral të kësaj ndarjeje, kemi marrë si bazë votën e zgjedhjeve vendore të vitit 2023 dhe kemi bashkuar rezultatet e bashkive që konsolidohen. Nga 61 bashki, PD arriti të fitonte vetëm 7, mes të cilave edhe Fushë-Arrëzin e Pukën, të cilat me ndarjen e re konsolidohen në një të vetme. Nëse situata politike do të ishte e njëjta me atë të 3 viteve më parë, votat në favor të kandidatëve demokratë, sot të dy kryetar bashkie, do ta nxirrnin sërish fituese PD me 58.50% të votave. Bazuar sërish në rezultatin e 2023-shit, bashkimi i Kavajës me Rrogozhinën do të mbante në epërsi demokratët, por gjithsesi do të lëkundte pozitat e tyre, pasi bashkinë e Kavajës e fituan pas një gare të fortë e me vetëm 855 vota avantazh. Zgjerimi me bashkinë fqinje e nxjerr sërish fituese PD-në, por këtë herë me vetëm 834 vota më shumë, ose 51.27%, përkundrejt PS-së me 48.73% të votave. Shifra që parashikojnë për Kavajën një garë të fortë edhe në 2027-ën. Në 11 bashkitë e tjera të zgjeruara, PS rezulton të forcojë avantazhin e saj për të qeverisur sërish këto territore, në rast se vota do të përsëritej si në vendoret e e 2023-shit. Zgjerimi i Beratit me Dimalin e Poliçanin forcon pozitat e socialistëve me 60.58% të votave, ndërsa PD me gjithë votat e fraksioneve asokohe 39.42%. Bashkimi i Patosit me Fierin, dhe Divjakës me Lushnjën, zona të njohura kryesisht të majta, do të ruanin të njëjtin drejtim të votës. Në Fier socialistët do të kryesonin bindshëm me 69.44% të votave, e në Lushnje me 61%. Edhe bashkimi i Selenicës me Vlorën, aktualisht të dyja bashki me diferencë të rëndësishme për të majtët, do favorizonte socialistët me 68.51%. Korça e Maliqi, edhe si një bashki e vetme me rezultatet e 2023-shit, do të kishin nxjerrë sërish fitues një kandidat socialist me 62.76%, kundrejt 37.24% për demokratët. Këlcyra e Përmeti po ashtu, socialistët do të vijonin kryesimin dhe do ta qeverisjen sërish këtë herë Bashkinë e madhe të Përmetit. Ndërsa në Memaliaj, që në 2023-shin u fitua nga opozita me rezultat të ngushtë 52.76%, pozitat e demokratëve cenohen. Shkrirja me Tepelenën, në një bashki më të madhe do të nxirrte fituese PS-në me 63.68% të votave. Edhe bashkimi i Libohovës me Gjirokastrën që aktualisht drejtohen nga socialistët do të forconin pozitat e tyre. Bashkia e re e Elbasanit, e cila rrit ndjeshëm territorin e saj duke u bashkuar me Belshin e Cërrikun, do të rriste epërsinë socialiste, pasi nga njësitë vendore vetëm në Belsh gara ka qenë e ngushtë, por gjithsesi PS rezultoi fituese. Bashkimi i këtyre 3 njësive do të nxirrte fituese sërish PS-në me 57.80% të votave. Edhe bashkimi i Përrenjasit me Librazhdin favorizon socialistët me 69.21% të votave. Bashkia e re e Klosit dhe Matit, pas konsolidimit ruajnë statusquonë e PS-së me 62.23% të votave. Në 2023-shin të dyja këto bashki u fituan me diferencë të ndjeshme nga socialistët. Ky është vetëm një projeksion i votës bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të 2023-shit. Situata politike në këto vite ka ndryshuar dhe mund të reflektojë edhe në rezultatet e pritshme në zgjedhjet e ardhshme të pranverës 2027. K.T./SI.E./ReportTv.al zgjedhjet vendore 2027 harta teritoriale reforma territoriale Komento Komente Sondazhi i ditës: Reforma territoriale, cili opsion ju pëlqen më shumë? 46 bashki (PS) 56.6% 100 bashki (PD) 15.6% 61 bashki (si sot) 27.8% Vota total: 1448 Sondazhi i ditës: Reforma territoriale, cili opsion ju pëlqen më shumë?

