Më 14 korrik, Shqipëria shënoi një tjetër hap në procesin e integrimit europian, duke mbyllur përkohësisht tre kapitujt e parë të negociatave me Bashkimin Europian: shkencën dhe kërkimin, arsimin dhe kulturën, si edhe marrëdhëniet e jashtme. Ky zhvillim u bë i mundur pas miratimit, më 26 maj, të paketës së njohur si “Themeloret” (Fundamentals), që përfshin shtetin e së drejtës, të drejtat themelore, funksionimin e institucioneve demokratike, reformën në administratë dhe drejtësi, si edhe kriteret ekonomike.
Objektivi i shpallur nga Tirana dhe Brukseli është ambicioz, mbyllja e të gjithë kapitujve negociues deri në fund të vitit 2027.
Por, ndërsa Shqipëria avancon drejt anëtarësimit, një analizë e publikuar nga Balkan Insight / Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa ngre një paradoks të fortë. Vendi po i kërkohet njëkohësisht të forcojë demokracinë dhe shtetin e së drejtës, ndërsa shndërrohet në laboratorin europian të politikave të reja për emigracionin, shkruan politiko.al. Marrëveshja Rama-Meloni, shumë më tepër se emigracionSipas analizës, marrëveshja mes kryeministrit Edi Rama dhe homologes italiane Giorgia Meloni nuk është thjesht një protokoll dypalësh për menaxhimin e emigrantëve.
Autorët argumentojnë se ajo përfaqëson një precedent politik dhe juridik për Bashkimin Europian, pasi për herë të parë zhvendos jashtë territorit të Unionit një pjesë të kompetencave që tradicionalisht ushtroheshin vetëm brenda kufijve të tij.
Qendrat e ngritura në Gjadër dhe Shëngjin përshkruhen si "përpjekja e parë konkrete europiane për të zhvendosur kontrollin e emigracionit jashtë territorit të BE-së".
Për qeverinë shqiptare, shkruan politiko.al bashkëpunimi me Italinë konsiderohet një mënyrë për të forcuar imazhin e Shqipërisë si një partner i besueshëm në rrugën drejt integrimit europian.
Megjithatë, autorët theksojnë se rëndësia e marrëveshjes është më shumë politike sesa juridike, pasi ajo nuk përbën pjesë të acquis communautaire dhe nuk është kusht formal për anëtarësimin në BE.
Një paradoks europianMe hyrjen në fuqi të Paktit të ri Europian për Migracionin dhe Azilin, marrëveshja Itali-Shqipëri, sipas analizës, nuk mbetet më një përjashtim, por kthehet në një model që mund të replikohet edhe nga vende të tjera.
Kjo e vendos Shqipërinë në një pozitë të pazakontë.
Nga njëra anë, vendi vazhdon të negociojë kapitujt për shtetin e së drejtës, pavarësinë e institucioneve dhe respektimin e të drejtave themelore.
Nga ana tjetër, Bashkimi Europian po e integron Shqipërinë në arkitekturën europiane të kontrollit të emigracionit shumë përpara se ajo të bëhet shtet anëtar.
Analiza e cilëson këtë situatë si një "qark të shkurtër politik", ku kërkesat për reforma demokratike bashkëjetojnë me kërkesën që Shqipëria të marrë përsipër barrë të reja për llogari të BE-së.
Deklarata e Ferit HoxhësAutorët ndalen edhe te deklarata e ministrit të Jashtëm Ferit Hoxha, i cili në maj 2026 tha se marrëveshja me Italinë nuk do të rinovohej pas pesë viteve, jo për arsye politike, por sepse deri atëherë Shqipëria pritet të jetë bërë anëtare e Bashkimit Europian.
Edhe pse kjo deklaratë u relativizua më pas si një "reflektim spontan", analiza e konsideron domethënëse.
Sipas saj, kjo tregon se edhe vetë qeveria shqiptare e sheh marrëveshjen si një zgjidhje të përkohshme, e cila do të humbasë kuptimin sapo Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së.
Kritikat: një logjikë "neokoloniale"Një pjesë e analizës fokusohet te kritikat e shoqërisë civile shqiptare.
Sipas artikullit, modeli i ndërtuar me qendrat e Gjadrit dhe Shëngjinit përfaqëson një logjikë "neokoloniale", ku territori shqiptar përdoret si zgjatim i kufirit italian dhe europian.
Në këtë mënyrë, Shqipëria, ndonëse nuk është ende anëtare e Bashkimit Europian, përballon kostot politike dhe sociale të politikave europiane të emigracionit, pa përfituar të drejtat që burojnë nga anëtarësimi.
Debati në Itali dhe në ShqipëriAnaliza vëren se në Itali debati është përqendruar pothuajse ekskluzivisht te menaxhimi i emigracionit, kostot financiare dhe vendimet e gjykatave që kanë bllokuar disa procedura.
Ndërkohë, në Shqipëri, marrëveshja ka marrë një dimension shumë më të gjerë politik.
Aktivistë, organizata të shoqërisë civile dhe lëvizje qytetare e konsiderojnë atë pjesë të një modeli qeverisjeje që, sipas tyre, karakterizohet nga përqendrimi i pushtetit, dobësimi i kontrollit demokratik dhe përdorimi i territorit shqiptar për interesa të aktorëve të huaj.
Nga emigracioni te "Revolucioni i Flamingove"Sipas analizës, kritikat ndaj qendrave të emigrantëve janë ndërthurur gradualisht me protestat kundër autoritarizmit, shpopullimit, projekteve turistike masive, privatizimit të bregdetit, korrupsionit dhe kapjes së institucioneve.
Në këtë kontekst përmendet edhe "Revolucioni i Flamingove", lëvizja qytetare që kundërshton projektet e zhvillimit në zonat e mbrojtura me sloganin "Shqipëria nuk është në shitje".
Autorët argumentojnë se çështjet e mjedisit, demokracisë, emigracionit dhe sovranitetit nuk trajtohen më si tema të ndara, por si pjesë e të njëjtit model qeverisjeje.
Kritika edhe nga eurodeputetëtAnaliza kujton se gjatë vizitës së një delegacioni të eurodeputetëve të grupit Greens/EFA në Shqipëri, më 29 qershor, u ngritën shqetësime serioze për mungesën e transparencës në qendrën e Gjadrit.
Sipas raportimit, delegacionit nuk iu lejua akses i plotë në ambientet e ndalimit dhe as konsultimi me listën e personave të ndaluar.
Paralelisht, eurodeputetët zhvilluan takime edhe me organizata mjedisore dhe përfaqësues të protestave kundër ndërtimeve në zonat e mbrojtura.
Shqipëria në qendër të një prove europianeNë përfundim, analiza arrin në përfundimin se Shqipëria është bërë një terren prove për mënyrën se si Bashkimi Europian synon të ndërthurë zgjerimin me politikat e reja të emigracionit.
Sipas autorëve, ajo që po ndodh sot mes Gjadrit, Shëngjinit, Vjosë-Nartës dhe Brukselit nuk ka të bëjë vetëm me të ardhmen e Shqipërisë, por edhe me vetë drejtimin që do të marrë projekti europian në vitet e ardhshme./Përshtatur nga Politiko.al Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

