Diçka po e alarmon Europën. Këtë javë, Bjellorusia, aleatja më e afërt ushtarake e Rusisë, zhvilloi stërvitje të mëdha pranë Korridorit të Suwałkit, brezit të ngushtë tokësor që lidh shtetet baltike me pjesën tjetër të NATO-s. Pikërisht gjeografia e kësaj zone e ka bërë prej kohësh atë një nga pikat më të cenueshme të Aleancës. LEXO edhe...Të lindur në një Evropë që digjet, si do të përkeqësohet moti ekstrem ‘i zjarreve’ për fëmijët Presidenti francez Emmanuel Macron thirri drejtuesit politikë të Francës në një takim konfidencial për një informim nga shërbimet e inteligjencës dhe më pas njoftoi masa të reja për mbrojtjen e infrastrukturës kritike nga intensifikimi i sulmeve hibride ruse. Kryeministri polak Donald Tusk shkoi edhe më tej, duke paralajmëruar se Rusia mund të ndërmarrë sulme me dronë ose raketa kundër vendeve të NATO-s dhe më pas t'i paraqesë ato si aksidente. Britania e Madhe u ka kërkuar qytetarëve të fillojnë të përgatiten për mundësinë e një lufte dhe të krijojnë rezerva me ushqime të konservuara dhe ujë të pijshëm. Kreu i Forcave të Armatosura britanike deklaroi se Britania po përballet me periudhën “më të rrezikshme” të dekadave të fundit. Gjermania po përgatit spitalet e saj për mundësinë e një sulmi rus. Kancelari Friedrich Merz ka paralajmëruar për “momente vendimtare” në “mbrojtjen e lirisë dhe paqes së kontinentit tonë”. Edhe Zvicra, e njohur historikisht për neutralitetin e saj, ka miratuar një strategji të re të sigurisë kombëtare, e cila kërkon rritjen e qëndrueshmërisë së vendit dhe aftësisë së tij për t'u mbrojtur nga një sulm i armatosur. Ndërkohë, Presidenti Donald Trump njoftoi papritur se ishte arritur përparim drejt krijimit të një baze të përhershme të ushtrisë amerikane në Poloni. Dy javë më parë, ai kishte dërguar drejtorin e CIA-s në një mision sekret për të paralajmëruar Moskën kundër një sulmi ndaj territorit të NATO-s. Vendet në të dyja anët e Atlantikut duket se janë alarmuar nga mundësia që Presidenti rus Vladimir Putin së shpejti mund ta zgjerojë luftën e tij përtej Ukrainës. Fushëbeteja ruse po zgjerohet Shtetet e Bashkuara morën këtë javë një tjetër sinjal për natyrën e këtij kërcënimi. Prokurorët federalë ngritën akuza ndaj pesë personave, të dyshuar se punonin me inteligjencën ruse si pjesë e një rrjeti që planifikonte sulme dhe vrasje në vende të ndryshme të botës, përfshirë edhe brenda Shteteve të Bashkuara. Prokurorët pretendojnë gjithashtu se ky rrjet kishte porositur sulme kundër infrastrukturës civile dhe ushtarake në vende europiane. Akuzat përputhen me një model më të gjerë kërcënimesh me të cilat europianët po përballen prej vitesh: sulme kibernetike, sabotime, zjarrvënie, dronë dhe sulme kundër infrastrukturës kritike. Muajin e kaluar, Gjermania fajësoi Rusinë për një sulm me dron në një aeroport civil. Sfida strategjike për NATO-n është se Rusia mund të kryejë operacione të tilla pa e kaluar qartësisht pragun që do t'i kthente ato në luftë konvencionale. Fut një dron në hapësirën ajrore të NATO-s, paralizo një aeroport, saboto infrastrukturën, organizo vrasje përmes rrjeteve kriminale – të gjitha këto janë operacione të mohueshme të asaj që njihet si “zona gri”. Putin e përdor paqartësinë dhe mohimin si armë, duke testuar vendosmërinë e NATO-s, ndërkohë që është i vetëdijshëm se brenda Aleancës ka ndarje për mënyrën se si duhet reaguar, apo nëse duhet reaguar fare. Por çfarë ndodh nëse Putin vendos të shkojë edhe më tej? Korridori Korridori i Suwałkit ofron një përgjigje. Bëhet fjalë për një kufi prej rreth 65 miljesh, ose afërsisht 105 kilometrash, mes Polonisë dhe Lituanisë dhe është e vetmja lidhje tokësore mes shteteve baltike të NATO-s – Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë – dhe pjesës tjetër të Aleancës. Imagjinoni një krizë në të cilën Rusia, ndoshta duke vepruar së bashku me Bjellorusinë, fut forcat e saj në një pjesë të këtij korridori. Putin, me shumë gjasë, do të pretendonte se bëhej fjalë për një ndërhyrje të kufizuar – nëse do të thoshte diçka fare – dhe se Rusia nuk kërkonte përshkallëzim. Në të njëjtën kohë, Rusia do të pretendonte përmes kanaleve jozyrtare se një kundërpërgjigje e NATO-s rrezikonte të shkaktonte një luftë bërthamore. Qëllimi do të kishte të bënte më pak me vetë Korridorin e Suwałkit dhe shkëputjen e krahut baltik të NATO-s dhe më shumë me minimin e NATO-s dhe të vetë angazhimeve të saj për mbrojtjen e ndërsjellë. A do të pranonin 32 vendet e NATO-s të luftonin kundër Rusisë për të rimarrë një brez të vogël territori? A do të rrezikonte një president amerikan përshkallëzimin me një fuqi bërthamore për hir të Lituanisë? Po Gjermania dhe Franca? Askush nuk mund ta thotë me siguri. Dhe kjo i shkon për shtat Putinit. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u pyet këtë vit për një simulim lufte që parashikonte pikërisht një lëvizje të tillë ruse kundër Korridorit të Suwałkit. Përgjigjja e tij ishte se NATO zhvillon rregullisht stërvitje për skenarë të tillë dhe se një sulm do të përballej me një kundërpërgjigje shkatërruese. A e beson Putin? Në një kohë kur Uashingtoni është në përplasje me disa prej aleatëve të tij më të afërt, përfshirë Kanadanë – ndoshta jo. Mësimet nga Ukraina Ukraina u ka dhënë europianëve një mësim brutal për atë që kërkon lufta moderne. Vendeve nuk u duhen vetëm armë dhe pajisje ushtarake. Atyre u nevojiten rrjete elektrike që mund t'u mbijetojnë sulmeve, spitale të afta të përballojnë një numër të madh viktimash, sisteme alternative komunikimi, rrjete transporti funksionale dhe qeveri të afta të vazhdojnë punën nën presion të vazhdueshëm. Mbi të gjitha, u duhen shoqëri të afta të përballojnë kostot pa u shembur apo polarizuar. Këtë javë, NATO publikoi kërkesat e përditësuara për qëndrueshmërinë kombëtare, të cilat mbulojnë gjithçka, nga vazhdimësia e funksionimit të qeverisë dhe furnizimet me energji, deri te ushqimi, uji, kujdesi shëndetësor dhe komunikimet gjatë periudhave të “krizës dhe konfliktit”. Zyrtarët e NATO-s po studiojnë mënyrën se si ukrainasit kanë arritur të mbajnë në funksion shërbimet jetike edhe nën sulmet e vazhdueshme ruse. Është një kthesë e jashtëzakonshme e ngjarjeve. Ukraina nuk po merr më thjesht mësime nga NATO – tani edhe NATO po merr mësime nga Ukraina. Duke vepruar kështu, Aleanca synon ta frenojë Rusinë jo vetëm duke premtuar një kundërpërgjigje shkatërruese ndaj një agresioni, por edhe duke i treguar Putinit se agresioni i tij nuk do të funksionojë. Vetë përgatitja bëhet kështu pjesë e parandalimit. Dhe kjo është një nga arsyet për valën e titujve alarmues që kemi parë këtë javë. Pikëpyetjet mbi Uashingtonin Pas urgjencës së Europës qëndron edhe faktori amerikan. Shtetet e Bashkuara janë njëkohësisht të angazhuara në Europë, po luftojnë Iranin në Lindjen e Mesme dhe po frenojnë Kinën në Indo-Paqësor. Sistemet e mbrojtjes ajrore, forcat detare, kapacitetet e inteligjencës dhe rezervat e municioneve, të cilat po pakësohen, nuk mund të jenë kudo në të njëjtën kohë. Trump ka bërë shumë për ta forcuar NATO-n, por angazhimi i tij ndaj klauzolës së mbrojtjes së ndërsjellë të Aleancës mbetet i pasigurt. Moska e di këtë. Rusia vazhdon të jetë e ngecur në Ukrainë. Por Putinit nuk i nevojitet një pushtim tjetër në përmasat e atij të Ukrainës për ta sfiduar NATO-n. Ai mund të ngjitet gradualisht në shkallët e përshkallëzimit: sabotime, sulme kibernetike, komplote për atentate, sulme me dronë ose raketa – dhe më pas një operacion ushtarak i kufizuar, i projektuar posaçërisht për të testuar nëse NATO ende e ka seriozisht atë që thotë. Pyeteni veten: A do të hynte Trump në luftë me Rusinë për një copë territori të quajtur Korridori i Suwałkit? A do të ishin amerikanët gati për diçka të tillë? Vetë pyetja e jep përgjigjen. Dhe vetëm kjo mjafton për të dobësuar fuqinë parandaluese të NATO-s. Europa dhe fundi i iluzioneve Për tri dekada pas Luftës së Ftohtë, Europa lejoi që kapacitetet e saj kombëtare të përgatitjes për një konflikt të dobësoheshin. Rreziku i luftës dukej i largët. Shpenzimet për ushtritë dhe rekrutimet ranë ndjeshëm. Mbrojtja civile u kthye në një relike të së kaluarës. Dhe ekzistonte bindja se, në rast nevoje, Shtetet e Bashkuara do të ishin aty. Kjo epokë ka marrë fund. Europa po përgatitet për luftë sepse udhëheqësit e saj po kuptojnë gjithnjë e më shumë një të vërtetë të pakëndshme: fuqia parandaluese varet nga ajo që beson Putin dhe përgjigjja e Amerikës ndaj një lufte që do të zgjerohej përtej Ukrainës mbetet e pasigurt. Stërvitjet bjelloruse pranë Korridorit të Suwałkit po shkaktojnë alarm sepse, pavarësisht vështirësive të Rusisë në Ukrainë, ekuacioni i parandalimit është dobësuar. Mënyra më e mirë për të parandaluar zgjerimin e luftës është të sigurohesh që Putin të jetë i bindur se një përpjekje e tillë do të dështojë. Dhe, duke gjykuar nga lëvizjet urgjente që po ndërmerren tani në kryeqytetet europiane, ekziston një shqetësim në rritje se ai mund të besojë pikërisht të kundërtën./CNN U.D/ReportTv.al Rusi nato Europë lufta ne ukraine Komento Komente Sondazhi i ditës: Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni? Të drejtë 6.8% Të gabuar 88.1% Nuk e di 5.1% Vota total: 6490 Sondazhi i ditës: Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni?

