Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka reaguar pas protestës së dhunshme në Tiranë, duke dënuar përdorimin e dhunës dhe duke u bërë thirrje protestuesve dhe institucioneve shtetërore të shmangin përshkallëzimin e situatës. Përmes një deklarate, Ahmeti thekson se përplasjet dhe shkatërrimi i pronës nuk mund të sjellin zgjidhje, ndërsa kërkon që kërkesat e qytetarëve të shprehen në mënyrë dinjitoze dhe brenda parimeve demokratike. “Asnjë formë dhune, nga cilado palë, nuk mund të jetë përgjigje ndaj krizës. Përplasja nuk e zëvendëson dialogun, as shkatërrimi nuk e sjell ndryshimin e kërkuar”, shprehet Ahmeti. Ai u bën thirrje studentëve dhe protestuesve të mos lejojnë që tensionet dhe përplasjet të zbehin mesazhin e tyre, duke nënvizuar se pas çdo biznesi të dëmtuar qëndrojnë puna, mundi dhe sakrifica e njerëzve. Njëkohësisht, kreu i BDI-së thekson se edhe institucionet shtetërore kanë përgjegjësi të veçantë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë, duke kërkuar që Policia të veprojë me profesionalizëm, paanshmëri dhe respekt të plotë për të drejtat e qytetarëve. Sipas Ahmetit, situata duhet të tejkalohet përmes dialogut dhe përgjegjësisë politike, ndërsa klasa politike shqiptare duhet të lërë mënjanë interesat partiake dhe të vendosë në plan të parë interesin e vendit. “Shqipëria që digjet është Shqipëria e të gjithëve dhe humbja e saj është humbje për secilin prej nesh”, thekson Ali Ahmeti, duke bërë thirrje për maturi dhe reflektim në këtë moment të tensionuar.

