Lajme Zone
Algoritmi i urrejtjes, i gjithënxirjes, apo i Shqipërisë së punës?
PolitikëReport TV

Algoritmi i urrejtjes, i gjithënxirjes, apo i Shqipërisë së punës?

Sot çfarë prodhon më shumë klikime nuk është domosdoshmërisht lajmi më i rëndësishëm, më i dobishëm apo më i vërtetë. Çfarë tërheq vëmendjen është lajmi më tronditës, më negativi, më konfliktuali.

Mënyra se si funksionojnë sot rrjetet sociale: YouTube, Instagram, X, Tik-Tok, etj., është të arrijnë t’u marrin përdoruesve-qytetarë sa më shumë kohë qëndrimi në rrjet, ndërveprime dhe klikime. Këto rrjete pretendojnë se thjesht u japin përdoruesve atë që ata duan të shohin, ndërsa në realitet algoritmet (njësi të thjeshta të inteligjencës artificiale, të futura në përdorim në këto platforma komunikimi që në vitin 2014) janë ndërtuar për të maksimizuar kohën e qëndrimit, pra fitimin. A do të klikojë përdoruesi? LEXO edhe...Fatos Çoçoli: Pse u shtuan eksportet në korrik 2026? Sot çfarë prodhon më shumë klikime nuk është domosdoshmërisht lajmi më i rëndësishëm, më i dobishëm apo më i vërtetë. Çfarë tërheq vëmendjen është lajmi më tronditës, më negativi, më konfliktuali. Ai që shkakton zemërim. Ai që prodhon përplasje, sharje, tallje, frikë apo indinjatë. Kështu lind “algoritmi i urrejtjes” apo i gjithënxirjes, si një mekanizëm i ekonomisë së vëmendjes, që platformat sociale online të prodhojnë sa më shumë klikime-fitime. Ky mekanizëm, kjo inteligjencë artificiale shumë e thjeshtë, e formës “amebë” të inteligjencës jo njerëzore, nuk është se ka objektiv urrejtjen apo gjithënxirjen si të tilla, por i favorizon ato, kur urrejtja dhe mohimi i gjithshkaje të bërë mirë rezulton të jenë burime efiçiente klikimesh dhe ndërveprimesh. Pra, fitimi Dhe këtu, Shqipëria përballet me një problem serioz: a po na tregohet realiteti ynë si është me të vërtetë, me të mirat dhe mungesat e tij, apo po na shitet një version i Shqipërisë, që algoritmi e konsideron më fitimprurës? I Shqipërisë se krimit, vrasjes, përdhunimit, dhunës, korrupsionit dhe abuzimit. Algoritmi nuk pyet: “A është Shqipëria më mirë me x apo y veprim?”. Pyetja e algoritmit në YouTube, Instagram, X, Tik-Tok e kudo në çdo rrjet social, është tjetër:“A do të klikojë përdoruesi?” Kjo pyetje është thelbësore për të kuptuar problemin. Një lajm për një investim të ri, një fabrikë që hap vende pune, një fermer që rrit eksportet, një kompani shqiptare që zgjerohet jashtë vendit, një shkollë që përmirësohet, një teknologji e re që përdoret në Shqipëri apo një projekt që përfn me sukses, mund të jetë shumë më i rëndësishëm për shoqërinë. Por a është ky lajm në vëmendjen e algoritmit? A gjeneron ai të njëjtën sasi klikimesh? Në shumicën dërrmuese të rasteve jo. Një titull që thotë: “Hapet një fabrikë e re dhe krijohen 150 vende pune” mund të jetë ekonomikisht shumë më i rëndësishëm, sesa një lajm që turfullon “Skandal! Përplasje, akuza dhe revoltë!”. Mirëpo i pari nuk është ekonomikisht i mirë për pronarin e platformës që komandon algoritmin. I dyti, skandali, përplasja, akuza, gjyqi popullor ka potencial shumë më të madh për t'u shpërndarë nga algoritmet e YouTube, Instagram, X, Tik-Tok, etj.. Kjo krijon një deformim të rëndësishëm, madje thelbësor, për të parë të vërtetën: ajo që është më e klikueshme, fillon të perceptohet si ajo që është më e rëndësishme dhe më pranë të vërtetës. Nga ekonomia e lajmit tek ekonomia e zemërimit Këtu gjenerohet deformimi, shpërfytyrimi i madh i realitetit të vendit tonë. Vërtet kemi korrupsion, abuzime, mungesë shërbimesh cilësore, largime qytetarësh, sidomos të rinjsh, por vendi ynë nuk është i gjithi kështu. Ndodh kështu kalimi nga ekonomia e lajmit, tek ekonomia e vëmendjes, e zemërimit dhe e gjithënxirjes. Dhe ekonomia e vëmendjes funksionon mbi një parim shumë të thjeshtë: vëmendja e përdoruesit është burim ekonomik. Sa më gjatë të qëndrojë përdoruesi në rrjet, në platformë, sa më shumë të klikojë, komentojë, shpërndajë dhe rikthehet, aq më e madhe është vlera ekonomike e kësaj vëmendjeje, audience. Emocionet nuk prodhojnë të gjitha të njëjtin reagim. Në një platformë me miliona klikues, e mira nuk tërheq. “Një lajm i mirë nuk është lajm “, thonë gazetarët e kronikës. Zemërimi, urrejtja, frika, skandali, konflikti dhe polarizimi kanë një aftësi të jashtëzakonshme për të tërhequr vëmendjen e qytetarëve-përdorues. Dhe sot jemi të gjithë përdorues të rrjeteve sociale. Një lajm negativ mund të shkaktojë dhjetëra komente. Një lajm pozitiv mund të lexohet, nga e përditshmja e gjithënxirjes të mos besohet dhe pastaj të harrohet. Një titull që provokon konflikt mund të ndezë një debat prej qindra komentesh. Një titull për një shërbim publik të realizuar mirë merr pak ose aspak ndërveprime. Kështu krijohet një spirale ekonomike e negativitetit: urrejtja dhe negativiteti → klikime → ndërveprime → më shumë shikueshmëri → më shumë prodhim të përmbajtjes negative → më shumë negativitet. Në këtë kuptim, algoritmi nuk ka nevojë të “urrejë” Shqipërinë. Mjafton që të zbulojë se urrejtja dhe gjithënxirja shiten shumë mirë tek ne. A po ndërtohet një Shqipëri virtuale, më e zezë se Shqipëria reale? Kjo është pyetja më e rëndësishme. Vendi ynë ka probleme reale dhe serioze. Korrupsioni, pabarazitë, varfëria relative, emigracioni, problemet e shërbimeve publike, konfliktet politike dhe çështjet e drejtësisë nuk mund të fshihen duke folur për “algoritmin”. Por ekziston edhe ana tjetër. Nëse qytetari ekspozohet çdo ditë, për orë të tëra, ndaj lajmeve për krime, aksidente, korrupsion, skandale, konflikte politike, përplasje personale dhe gjuhë urrejtjeje, ai mund të krijojë bindjen se asgjë nuk funksionon. Ky është një ndijim, perceptim i deformuar. Sepse në të njëjtën kohë, Shqipëri ka mijëra biznese që punojnë çdo ditë, investime të reja private, rritje të turizmit, kompani që eksportojnë, profesionistë që ndërtojnë karriera, fermerë që prodhojnë dhe eksportojnë, të rinj që krijojnë kompani teknologjike, infrastrukturë që ndërtohet dhe qytete e bregdete që ndryshojnë. Ndoshta shumë më tepër se sa lajme negative. Por këto histori të mira dhe reale jete kanë një problem të madh mediatik: nuk bërtasin, nuk shajnë, nuk akuzojnë. “Gjithënxirja” si produkt mediatik Problemi bëhet edhe më serioz kur negativiteti kalon nga raportimi i një realiteti problematik, në ndërtimin sistematik të një narrative ku çdo gjë është e zezë. Në këtë logjikë, nuk mjafton të denoncohet një problem. Duhet të krijohet ideja se çdo gjë është problem. Nuk mjafton të thuhet se një institucion ka dështuar. Përfundimi duhet të jetë se të gjitha institucionet janë të korruptuara. Nuk mjafton një rast korrupsioni. Përfundimi bëhet se “Shqipëria është e korruptuar”. Nuk mjafton një emigrant që largohet. Përfundimi është se “të gjithë shqiptarët po ikin”. Nuk mjafton një biznes që falimenton. Përfundimi është se “në Shqipëri nuk mund të bësh biznes”. Kjo është një formë e përgjithësimit ekstrem, e cila shpesh prodhon më shumë klikime, sesa lajmi i mirë, apo analiza e ftohtë. Mirëpo kosto shoqërore për ne është e madhe. Sepse një shoqëri që beson se gjithçka është e dështuar mund të humbasë jo vetëm besimin te institucionet, por edhe besimin te vetvetja. Çfarë ndodh me lajmin pozitiv? Këtu qëndron një nga paradokset më të mëdha. Lajmi pozitiv nuk do të thotë propagandë. Një shoqëri demokratike duhet të kritikojë pushtetin, të denoncojë korrupsionin, të zbulojë abuzimet dhe të kërkojë llogaridhënie. Mirëpo gazetaria nuk duhet të jetë vetëm një katalog dështimesh. Nëse një media raporton një investim të ri, kjo nuk do të thotë se po i bën reklamë qeverisë. Nëse raporton një kompani që hap vende pune, nuk do të thotë se po fsheh problemet e ekonomisë. Nëse raporton rritjen e eksporteve, nuk do të thotë se po mohon problemet e biznesit. Realiteti është kompleks. Një vend mund të ketë korrupsion dhe njëkohësisht investime. Mund të ketë emigracion dhe njëkohësisht rritje të pagave. Mund të ketë probleme në shëndetësi dhe njëkohësisht spitale që përmirësohen. Mund të ketë protestë mbi 80 ditore politike dhe njëkohësisht zhvillim ekonomik. Mund të ketë varfëri dhe njëkohësisht rritje të konsumit. Mund të ketë probleme të mëdha dhe progres real. Detyra e gazetarisë së ndershme dhe profesionale është të tregojë të gjithë fotografinë, jo vetëm pjesën që gjeneron më shumë klikime. A duhet të ketë Shqipëria e punës algoritmin e vet? Ndoshta sfida më e madhe nuk është të minimizojmë lajmet negative, sikurse e kanë bërë disa vende, ku me ligj ndalohet në mediat publikimi i lajmeve të kronikës së zezë gjithnjë në faqe të parë apo si lajm i parë. Kjo do të ishte e pamundur në kushtet tona dhe e padëshirueshme. Sfida është të krijojmë një ekuilibër të ri të vëmendjes publike. Nëse Shqipëria ka qindra mijëra njerëz që punojnë çdo ditë, kjo është një histori. Nëse mijëra kompani paguajnë paga të patrukuara dhe taksa, kjo është një histori. Nëse eksportet rriten, kjo është një histori. Nëse një fermer arrin të shesë prodhimin në tregjet evropiane, kjo është një histori. Nëse një i ri ndërton një kompani teknologjike, kjo është një histori. Nëse një qytet transformohet ekonomikisht, kjo është një histori. Nëse një shqiptar kthehet nga emigracioni dhe investon kursimet në vend, kjo është një histori. Kjo është Shqipëria e punës. Dhe është Shqipëri më e madhe se ajo e krimit, abuzimit dhe e korrupsionit. Algoritmi na kërkon që ta shohim Shqipërinë e dytë, më të voglën, si më të madhen. Ç’duhet të bëjmë? Vendin tonë nuk kemi pse ta bëjmë rozë e ta romantizojmë, por as të fshihemi dhe personalizohemi pas Shqipërisë së skandalit dhe korrupsionit, si na e kërkon algoritmi i sotëm, për fitimin e pronarit të tij. SI.E./ReportTv.al Rrjetet sociale fatos cocoli Komento Komente Sondazhi i ditës: Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama? Mirë 52% Keq 34.2% Nuk e di 13.8% Vota total: 723 Sondazhi i ditës: Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama?