Lajme Zone
BotëBalkanWeb

Aleati i ngushtë i Trump/ Kandidati për Guvernator të New York-ut, Bruce Blakeman flet për News24: Kathy Hochul e ka bërë jetën të papërballueshme. Do të ul taksat, më shumë vende pune!


Bruce Blakeman, kandidat për guvernator të New York-ut dhe bashkëpunëtor i afërt i Donald Trump, ka kritikuar guvernatoren aktuale Kathy Hochul, duke e akuzuar për rritjen e taksave dhe kostove të jetesës.

Bruce Blakeman, kandidat për guvernator të New York-ut dhe bashkëpunëtor i afërt i Donald Trump, ka kritikuar guvernatoren aktuale Kathy Hochul, duke e akuzuar për rritjen e taksave dhe kostove të jetesës. Në një intervistë për emisionin “Prime News24” në News24, Blakeman tha se qytetarët e New York-ut përballen me pasiguri dhe fatura të larta, ndërsa premtoi se, nëse zgjidhet, do të punojë për uljen e taksave dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Blakeman kritikoi gjithashtu politikat e shpenzimeve të administratës së Hochul, duke pretenduar se miliarda dollarë janë përdorur për të mbuluar shërbime për emigrantët që kërkojnë azil. Sa u përket kostove të energjisë, ai premtoi se do të ndërmarrë masa për uljen e faturave, duke e krahasuar situatën në New York me atë në Pensilvani. “Ajo nuk na lejon të përdorim gazin. Në Pensilvani e bëjnë këtë dhe faturat i kanë më të ulëta. Unë do t’i ul këto fatura”, deklaroi Blakeman. Kandidati për guvernator tha se synon të krijojë më shumë vende pune, të rrisë sigurinë dhe të përmirësojë kushtet ekonomike për familjet.

Ai u shpreh gjithashtu se dallon nga Donald Trump në disa çështje, duke deklaruar se Trump është kundër abortit, ndërsa ai vetë mbështet të drejtën e zgjedhjes.

Pjesë nga intervista:

Çështjet që kanë të bëjnë me fushatën: Kathy Hochul e ka bërë New York-un më të keq. Kemi nivelin më të lartë të taksave në Amerikë. Njerëzit ndihen të pasigurt në komunitetet e tyre. Kathy është guvernatorja më pro krimit në Amerikë. Njerëzit duan ndryshim dhe unë kam treguar se i ul taksat, krijoj vende më të mira pune dhe me paga më të mira. Qarku im ka qenë më i sigurti në Amerikë, sipas të dhënave në media. Unë di si të drejtoj një organizatë të madhe dhe t’i bëj njerëzit të lumtur sërish, duke ulur taksat dhe faturat që paguajnë, si dhe duke vendosur më shumë policë në komunitetet tona.

Unë do të bëj atë që është më e mira për njerëzit e New York-ut. Kathy Hochul është e lidhur me Mamdanin, një komunist që nuk di të drejtojë një qytet të madh. Unë nuk do të shpenzoj miliona dollarë, siç ka bërë Hochul, por do t’u jap qytetarëve shumë më tepër nga sa marrin aktualisht.

Çfarë ju dallon nga Donald Trump?

Ai është pro jetës, ndërsa unë jam pro zgjedhjes. Për sa u përket politikave të emigracionit, unë besoj se njerëzve që e kanë tejkaluar afatin e vizës, që janë punëtorë dhe nuk janë përfshirë në telashe, duhet t’u jepet një leje për të punuar dhe jetuar në SHBA dhe në New York.

Përse duhet t’ju votojë një qytetar i New York-ut që tradicionalisht ka mbështetur demokratët?

Unë jam rizgjedhur edhe me mbështetjen e demokratëve, sepse i mbaj premtimet dhe drejtoj qeverisjen për të gjithë njerëzit.

Kathy Hochul e ka dëmtuar komunitetin. E ritheksoj se ajo ka rritur faturat në atë masë sa qytetarët nuk mund t’i përballojnë, si dhe ka rritur çmimin e energjisë. Në Pensilvani, faturat janë sa gjysma e atyre që paguajnë qytetarët e New York-ut. Ajo ka shpenzuar miliarda dollarë nga paratë tona për njerëzit që vijnë këtu, kërkojnë azil dhe marrin ushqim falas e kujdes shëndetësor në kurrizin tonë.

Ju keni premtuar uljen e faturave të energjisë. Si do ta realizoni këtë?

Ajo dëshiron të na marrë sobat dhe t’i zëvendësojë me soba elektrike. Ajo nuk na lejon të përdorim gazin. Në Pensilvani e bëjnë këtë dhe faturat i kanë më të ulëta. Unë do t’i ul këto fatura duke krijuar vende të reja pune me përfitime, në mënyrë që fëmijët dhe nipërit e emigrantëve të kenë një të ardhme në New York. Unë do të krijoj vende pune, prosperitet dhe një të ardhme më të mirë, ashtu siç kam bërë kudo ku kam drejtuar.

Shqiptaro-amerikanët kontribuojnë në ekonominë dhe jetën qytetare të New York-ut. Çfarë do të bëni për të mbështetur bizneset e tyre?

Kam shumë miq shqiptaro-amerikanë. Shqiptarët janë një popull punëtor, që dëshiron një jetë më të mirë për familjet, siguri, taksa më të ulëta dhe arsim më të mirë për fëmijët. Shqiptaro-amerikanët kanë kontribuar në shtetin tonë. Unë do t’i mbështes ata, sepse janë emigrantë që punojnë shumë çdo ditë për të ndërtuar një jetë më të mirë. Shqiptarët janë njerëz të familjes dhe duan të dinë se do të kenë një guvernator që kujdeset për fëmijët, mbesat dhe nipërit e tyre.

Si do t’i mbroni emigrantët shqiptarë përmes politikave të emigracionit?

Jam shumë i vendosur për të larguar emigrantët me të dhëna kriminale. Por emigrantëve të ligjshëm, si dhe atyre të paligjshëm që nuk janë përfshirë në krime, duhet t’u jepet mundësia të përfitojnë atë që u takon dhe jo të marrin gjëra falas.

Çfarë roli mund të luani për të forcuar lidhjet mes New York-ut, Shqipërisë dhe komunitetit shqiptaro-amerikan?

Do të krijoja marrëveshje miqësie kulturore dhe marrëveshje tregtare me Shqipërinë. Ne duhet të krijojmë biznese të reja në New York, në mënyrë që jeta të bëhet më e mirë. Shqipëria është një vend i mirë dhe mik i Amerikës. Do të mbështesim të gjitha gjërat që janë të mira jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për amerikanët. Ne jemi vende aleate.

Kur ndaj një qeverie në një vend aleat të SHBA-së ngrihen akuza serioze për korrupsion, çfarë duhet të bëjnë institucionet amerikane për të nxitur transparencën dhe përgjegjshmërinë?

Ne duhet të kemi politika që mbështesin vendet që respektojnë parimet demokratike, lejojnë bizneset të operojnë pa ndërhyrjen e qeverisë dhe garantojnë respektimin e të drejtave të njeriut dhe zhvillimin e zgjedhjeve të ndershme.

Në Shqipëri ka një valë protestash të studentëve kundër qeverisë. Nëse ka pretendime serioze për përdorim të tepruar të forcës nga policia ndaj protestuesve, a duhet SHBA-ja të kërkojë publikisht një hetim të pavarur?

Unë nuk i di të gjitha çështjet e brendshme në Shqipëri. Besoj se duhet të mbështesim gjithmonë të drejtat e njeriut në çdo vend të botës. Duhet të mbështesim protestat e lira, por nuk duhet të mbështesim shkatërrimin e pronave apo aktet e dhunës. Këto nuk duhet të jenë pjesë e proceseve politike.

A duhet Uashingtoni ta dënojë publikisht përdorimin e forcës ndaj studentëve që protestojnë kundër qeverisë?

Nëse këta njerëz protestojnë në mënyrë paqësore, nuk duhet të përdoret dhunë. Por, nëse protestuesit shkaktojnë shkatërrime, atëherë edhe forca duhet të përdoret, sepse nuk duhet të ketë kaos, dhunë apo vandalizëm. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Akuzat për korrupsion ndaj qeverisë shqiptare? Blakeman: SHBA mbështet zgjedhje të lira dhe liri biznesi Bruce Blakeman: Do të mbështes shqiptarët në New York, do të krijojmë mundësi për biznes dhe marrëveshje me Shqipërinë Bruce Blakeman: Kam shumë miq shqiptarë, janë popull punëtor, do të jem Guvernator që kujdeset për ta Revolta studentore në Tiranë, Bruce Blakeman: Mbështesim gjithmonë të drejtat e njeriut, s’duhet të ushtrohet dhunë ndaj protestave paqësore Etiketa: Bruce Blakeman