Shqipëria po përballet me një bilanc natyror gjithnjë e më të ngushtë të popullsisë. Në tremujorin e dytë të vitit 2026, vendi regjistroi vetëm 218 lindje më shumë se vdekje, ndërsa numri i lindjeve ra me 3% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, gjatë tremujorit të dytë u regjistruan 5,083 lindje dhe 4,865 vdekje. Edhe pse vdekjet ranë me 3.7% në krahasim me tremujorin e dytë 2025, rënia e lindjeve mbetet një sinjal i rëndësishëm për ecurinë demografike të vendit.Lexo edhe:Parashikimi i horoskopit 11 gusht, ja çfarë kanë rezervuar yjet për ju sot Vetëm 218 persona shtesë në tre muaj Diferenca mes lindjeve dhe vdekjeve, e njohur si shtesa natyrore, ishte 218 persona në tremujorin e dytë. Kjo do të thotë se, pa llogaritur migracionin, popullsia e vendit u shtua natyrshëm me më pak se 250 persona gjatë tre muajve. Treguesi merr rëndësi edhe më të madhe për shkak të shpërndarjes së tij në territor. Në tremujorin e dytë, pesë qarqe patën shtesë natyrore pozitive, ndërsa shtatë qarqe regjistruan shtesë natyrore negative, pra më shumë vdekje sesa lindje. Tirana mban bilancin pozitiv, por lindjet bien 12% Tirana mbetet qarku me diferencën më të madhe pozitive mes lindjeve dhe vdekjeve, me 1,033 lindje më shumë se vdekje. Megjithatë, kryeqyteti jep një sinjal kontradiktor: është njëkohësisht qarku që regjistroi rënien më të fortë të lindjeve në raport me një vit më parë. Në tremujorin e dytë 2026, në Tiranë u regjistruan 2,310 lindje, por numri i tyre ishte 12% më i ulët se në tremujorin e dytë 2025. Kjo ishte rënia më e madhe në përqindje mes qarqeve. Në krahun tjetër, Dibra regjistroi rritjen më të madhe në përqindje të lindjeve, me 14.6%. Gjirokastra mbetet qarku me numrin më të ulët të lindjeve, vetëm 66 gjatë tremujorit të dytë. Shtatë qarqe në “minus” natyror Bilanci demografik është veçanërisht problematik në qarqet ku vdekjet tejkalojnë lindjet. Korça regjistroi shtesën natyrore më të ulët, me 265 vdekje më shumë se lindje. Në total, panorama tregon një ndarje të qartë demografike mes qarqeve. Ndërsa disa zona, veçanërisht Tirana, vijojnë të kenë një bilanc pozitiv, pjesa tjetër e vendit po përballet me një raport gjithnjë e më të pafavorshëm mes lindjeve dhe vdekjeve, shkruan Monitor.

