Aktori legjendar Al Pacino dhe ish-partnerja e tij, Noor Alfalah, janë fotografuar sërish së bashku në Los Angeles, duke rikthyer pikëpyetjet për marrëdhënien mes tyre. Këtë herë, dyshja është parë duke u larguar nga hoteli luksoz Chateau Marmont, në një dalje që nuk kaloi pa u vënë re nga fotografët.
86-vjeçari ishte ulur në sediljen e pasagjerit të një fuoristrade të zezë, ndërsa në timon ndodhej Noor, 32 vjeçe. Në fotografitë e publikuara, aktori shfaqet me syze dielli, ndërsa ish-partnerja e tij buzëqesh dhe përshëndet fotografët.
Prania e tyre së bashku ka rikthyer interesin për një marrëdhënie që ka qenë vazhdimisht në qendër të vëmendjes për shkak të diferencës prej 54 vitesh në moshë.
Al Pacino dhe Noor Alfalah kanë një djalë së bashku, Roman, i cili lindi në qershor të vitit 2023. Edhe pse marrëdhënia e tyre romantike ka përfunduar, të dy kanë ruajtur një raport të afërt për hir të djalit.
Pacino ka deklaruar më herët se nuk janë më çift, por vazhdojnë të kenë marrëdhënie miqësore. Edhe Noor ka folur me konsideratë për aktorin, duke treguar se kalojnë kohë së bashku çdo ditë.
Fotografitë e fundit kanë nxitur sërish kureshtjen për raportin mes tyre, megjithëse asnjëri nuk ka konfirmuar një ribashkim romantik.

