Katër personat e arrestuar në kuadër të operacionit “Stolen Land” kanë mbërritur pak minuta më parë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, ku pritet të zhvillohet seanca për vlerësimin e masave të sigurisë ndaj tyre. Në gjykatë janë paraqitur dy ish-drejtuesit e ASHK-së, Ertis Shehu dhe Bardhyl Kapaj, specialisti Piro Çela, si dhe biznesmeni Kastriot Hasko. Sipas dyshimeve të hetimit, katër personat kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin për regjistrimin e një sipërfaqeje prej rreth 1,143 hektarësh tokë në pronësi të biznesmenit Kastriot Hasko. Dyshohet se për këtë janë shfrytëzuar pozicionet e punës nga ish-zyrtarët e ASHK-së, ndërsa është falsifikuar edhe dokumentacioni përkatës. Për të arrestuarit rëndojnë akuzat për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Seanca gjyqësore do të zhvillohet nga gjyqtarja Bora Shaholli, ndërsa përfaqësuese e akuzës është prokurorja Irma Velo. Gjykata pritet të vendosë për masat e sigurisë ndaj katër të arrestuarve, ndërsa hetimet për rastin vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive të secilit prej tyre. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: abuzime fier Toka
