Lajme Zone
Akuzat për "vjedhje" dyersh te biblioteka e re "Thoma Turtulli"/ Projekti sot flet vetë
KulturëCNA

Akuzat për "vjedhje" dyersh te biblioteka e re "Thoma Turtulli"/ Projekti sot flet vetë

Ka përfunduar restaurimi i plotë i Bibliotekës së Fëmijëve “Thoma Turtulli” në Korçë. Një godinë me vlerë të veçantë historike dhe arkitekturore për qytetin, e cila tashmë është transformuar në një hapësirë moderne, funksionale dhe të përshtatur për nevojat e fëmijëve. Për breza me radhë, kjo ka qenë biblioteka ku fëmijët e Korçës kanë ardhur për të marrë një libër, për të lexuar dhe për të zbulua

Ka përfunduar restaurimi i plotë i Bibliotekës së Fëmijëve “Thoma Turtulli” në Korçë. Një godinë me vlerë të veçantë historike dhe arkitekturore për qytetin, e cila tashmë është transformuar në një hapësirë moderne, funksionale dhe të përshtatur për nevojat e fëmijëve. Për breza me radhë, kjo ka qenë biblioteka ku fëmijët e Korçës kanë ardhur për të marrë një libër, për të lexuar dhe për të zbuluar botën përmes dijes. E ndërtuar falë kontributit të filantropit Thoma Turtulli dhe dedikuar fëmijëve të qytetit, biblioteka tashmë ka marrë një pamje tërësisht të re, pas përfundimit të restaurimit të plotë të godinës.

Por ky projekt, që në nisje, u shoqërua edhe me debate dhe akuza në rrjetet sociale. Disa qytetarë korçarë kundërshtuan ndërhyrjet në godinë, duke ngritur pretendime për abuzime, mashtrime dhe deri te akuzat për “vjedhje” të dyerve dhe dritareve të bibliotekës.

Në atë kohë, pikëpyetjet dhe akuzat u shoqëruan me reagime të shumta në rrjetet sociale, ndërsa projekti u vu në qendër të diskutimeve publike. CNA raportoi asokohe mbi projektin dhe ndërhyrjet që do të kryheshin në godinën historike. Sot, pas përfundimit të punimeve, godina flet vetë. Investimi, me një fond prej rreth 250 milionë lekësh të vjetra, përfshiu restaurimin e plotë të bibliotekës dhe jo thjesht ndërhyrje në fasadë apo në çati.

Janë restauruar fasadat, çatia, dyert, dritaret dhe elementët e tjerë arkitekturorë, duke ruajtur identitetin dhe karakterin historik të ndërtesës. Elementët origjinalë që kishin pësuar dëmtime nga koha janë restauruar dhe rivendosur, duke ruajtur pamjen dhe identitetin e godinës. Pra, akuzat për “vjedhjen” e dyerve apo dritareve nuk rezultojnë të jenë pjesë e realitetit të projektit. Ato që u paraqitën në rrjetet sociale si heqje apo vjedhje, në fakt ishin pjesë e ndërhyrjeve të parashikuara për restaurimin e elementëve të dëmtuar të godinës.

Por “Thoma Turtulli” sot nuk është vetëm një godinë e restauruar. Biblioteka është mobiluar dhe pajisur tërësisht, duke krijuar ambiente moderne dhe funksionale për fëmijët. Krahas hapësirave tradicionale të leximit, tashmë ka edhe ambiente teknologjike dhe hapësira të përshtatura për mënyra të reja të të mësuarit dhe eksplorimit.

Pas përfundimit të projektit, ajo që mbetet është një bibliotekë e restauruar, ku është ruajtur identiteti historik i godinës, ndërsa janë krijuar kushtet për t’iu përshtatur nevojave të fëmijëve të sotëm. Nga akuzat për abuzime, mashtrime dhe “vjedhje” dyersh e dritaresh, te një godinë e restauruar dhe funksionale. Sot, pas përfundimit të punimeve, projekti mund të shihet në realitet dhe jo më përmes pretendimeve të bëra në rrjetet sociale. Biblioteka “Thoma Turtulli” rikthehet te fëmijët e Korçës, duke ruajtur historinë e saj dhe duke hapur një kapitull të ri për brezat që do të vijnë. /CNA Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.