Aktorja e njohur amerikane Hilary Swank do të bëhet nënë për herë të tretë në moshën 52-vjeçare. Fituesja e dy çmimeve Oscar ka ndarë lajmin e bukur me ndjekësit, duke zbuluar se ajo dhe bashkëshorti i saj, Philip Schneider, po presin një tjetër fëmijë.
Aktorja zgjodhi një mënyrë kreative për të njoftuar shtatzëninë. Në një video të publikuar në Instagram, ajo shfaqet duke kërcyer me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre, binjakët Aya dhe Ohm, të cilët erdhën në jetë në prill të vitit 2023.
Në video, familjarët shfaqen në errësirë me drita fosforeshente të vendosura në trup, ndërsa Swank zbulon edhe barkun e rrumbullakosur, duke e bërë të qartë se familja e tyre do të zgjerohet së shpejti.
“Shumë njerëz më kanë pyetur se cili do të jetë projekti im i radhës. Ky publikohet në dhjetor”, shkroi aktorja, duke lënë të kuptohet se foshnja pritet të vijë në jetë në fund të vitit.
Swank u bë nënë për herë të parë në moshën 48-vjeçare, kur solli në jetë binjakët e saj. Në intervista të mëparshme, ajo ka folur hapur për përvojën e mëmësisë dhe lumturinë që i kanë sjellë fëmijët.
Aktorja, e njohur për rolet në filmat “Boys Don't Cry” dhe “Million Dollar Baby”, është vlerësuar me dy çmime Oscar për aktoren më të mirë. Ajo dhe sipërmarrësi Philip Schneider u martuan në vitin 2018.Për momentin, çifti nuk ka bërë të ditur gjininë e foshnjës së tretë.

