Aktori dhe regjisori Noel Clarke është akuzuar për gjashtë vepra penale pas akuzave të ngritura nga një hetim i vitit 2025. Akuzat ndaj ish-aktorit të “Doctor Who” lidhen me akuza për vëzhgim të fshehtë dhe ekspozim të pahijshëm. Gjatë njoftimit të akuzave Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës (CPS) tha se veprat e pretenduara kanë ndodhur midis viteve 2007 dhe 2016 dhe lidhen me denoncimet e pesë grave. Clarke 50 vjeç pritet të dalë përpara Gjykatës së Magjistratëve të Westminsterit më 21 tetor.
“Gratë që lidhen me këto akuza vazhdojnë të marrin mbështetje nga oficerë të trajnuar posaçërisht. I bëjmë thirrje kujtdo që ka qenë viktimë e sulmit seksual të kontaktojë policinë. Informacioni që jepni do të trajtohet me ndjeshmërinë më të madhe dhe kemi hetues të trajnuar në dispozicion për t’ju mbështetur”, pohoi detektivi mbikëqyrës Mike Cagney.
Ndërkohë prokurorët kanë punuar për të përcaktuar se ka prova të mjaftueshme për ta çuar këtë çështje në gjykatë duke treguar se kjo është në interesin publik. Aktori njihet edhe për interpretimin e tij në filmin “Kidulthood”, i cili trajtonte bullizmin, abuzimin me drogën dhe dhunën ekstreme mes të rinjve në Londër.

