Aktori dhe autori i njohur britanik David Walliams është përballur me akuza serioze nga disa gra, të cilat pretendojnë se ai ka përdorur famën dhe ndikimin e tij për të krijuar marrëdhënie seksuale me vajza të reja.
Një investigim i publikuar nga gazeta britanike “The Guardian” në bashkëpunim me ITV News ka zbuluar dëshmi nga disa gra që kanë treguar për përvojat e tyre me aktorin 55-vjeçar, të njohur për rolin në serialin “Little Britain” dhe si ish-anëtar i jurisë së “Britain's Got Talent”.
Sipas investigimit, dy gra kanë deklaruar se e kanë njohur Walliams kur ishin vetëm 15 vjeçe. Të dyja, të cilat tashmë janë në të 30-at, pretendojnë se janë manipuluar prej tij dhe se përvojat e asaj periudhe kanë ndikuar në jetën e tyre për gati dy dekada.
Raportimi përfshin gjithashtu pretendime për sjellje të papërshtatshme ndaj vajzave të reja që e kishin kontaktuar përmes rrjeteve sociale, si dhe ndaj punonjëseve në ambientet e punës.
Investigimi, i cili bazohet në dëshmitë e 30 personave dhe në dokumente, mesazhe e komunikime të tjera, ngre pikëpyetje edhe për periudhën kur Walliams ishte pjesë e spektaklit “Britain's Got Talent” dhe për marrëdhëniet e tij me shtëpinë botuese HarperCollins.
Kjo e fundit kishte ndërprerë bashkëpunimin me autorin në dhjetor të vitit 2025, pas një hetimi të brendshëm për sjellje të papërshtatshme ndaj punonjëseve të reja.
Walliams i ka mohuar të gjitha akuzat për sjellje të pahijshme dhe ngacmime seksuale. Në një letër drejtuar gazetarëve, ai ka pranuar se në të kaluarën mund të jetë sjellë pa menduar sa duhet në disa marrëdhënie personale, por ka mohuar se ka abuzuar me pushtetin apo famën e tij.
“Unë nuk jam një grabitqar seksual. Nuk kam shkelur ligjin”, ka deklaruar ai, sipas letrës së cituar nga “The Guardian”.
Publikimi i investigimit u bë i mundur pasi Gjykata e Lartë në Londër rrëzoi kërkesën ligjore të aktorit për të ndaluar publikimin e materialit. Gjykatësi vlerësoi se çështja përbënte interes të konsiderueshëm publik dhe se ndalimi do të ndërhynte rëndë në lirinë e medias.
Rasti ka rikthyer në vëmendje diskutimet mbi marrëdhëniet e pushtetit dhe ndikimit në industrinë televizive, veçanërisht kur bëhet fjalë për personazhe të famshëm dhe gra të reja që përpiqen të ndërtojnë karrierën e tyre.
Megjithatë, pretendimet e publikuara mbeten akuza dhe Walliams i mohon ato. Deri më tani nuk bëhet fjalë për një vendim gjykate që e shpall atë fajtor për këto pretendime.

