Aktivisti Etrid Zifla ka folur në emisionin “Prime News24” në News24 për takimet e zhvilluara me kancelarin e Austrisë, deputetë të Parlamentit austriak dhe sekretarin e Presidentit austriak, ku sipas tij janë ngritur shqetësimet për dhunën gjatë protestave në Shqipëri dhe paketën e re ligjore të propozuar nga qeveria. Zifla deklaroi se gjatë takimeve janë diskutuar dy çështje kryesore: ajo që protestuesit e konsiderojnë dhunë joproporcionale nga ana e policisë dhe paketa e re ligjore, të cilën ai e cilësoi si një paketë kundër protestave. Aktivisti bëri të ditur se do të vijojë komunikimi me përfaqësuesit austriakë, ndërsa theksoi se kanë përgatitur një dosje voluminoze me dokumente dhe materiale që, sipas tij, evidentojnë rastet e dhunës gjatë protestave. Ai shtoi se dosja e përgatitur nga avokati përmban dokumentacion mbi rastet e denoncuara të dhunës dhe se do të përcillen informacione të tjera edhe për paketën ligjore. Zifla bëri të ditur gjithashtu se u kanë dërguar përfaqësuesve austriakë një letër me kërkesat e protestuesve, duke kërkuar që Austria të ngrejë zërin për çështjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, veçanërisht në kuadër të zhvillimeve të pritshme më 4 nëntor, kur pritet të diskutohet edhe udhërrëfyesi për Shqipërinë.
“Dje kemi takuar në kryeministri kancelarin e Austrisë, katër deputetë nga parlamenti austriak dhe sekretarin e Presidentit të Austrisë. U janë adresuar dy çështje kryesore dhuna e gjykuar jo proporcionale, nga ana e policë kundrejt protestuesve si edhe paketa e re ligjore antianarki mos gaboj që është quajtur nga qeveria. Që ne e kemi gjykuar një masë ligjesh anti protestë. Do vazhdojmë komunikimin me kancelarin, ne kemi një dosje voluminoze të përgatitur nga avokati ku janë dokumentuar dosjet e dhunës dhe do çojmë edhe më shumë informacion për ligjin. Kemi dërguar edhe një letër me kërkesat tona që Austria të bëhet zëri i protestuesve kur të vijë puna për të adresuar çështjen e Shqipërisë në BE, si edhe kryesisht për datën 4 nëntor që propozohet edhe udhërrëfyes për Shqipërinë, dhe aty do ishte mirë që të adresoheshin edhe kërkesat tona. Deputetët në varësi të partive politike që përfaqësonin kanë thënë gjëra të ndryshme dhe ne u kemi kërkuar gjëra të ndryshme. Po ashtu na është kërkuar që të çohen informacione të mëtejshme. Janë diku 140 video foto të dhunës, me tronditëse”, tha ai. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
